Integrimi nuk bëhet vetvetiu
“Büro Netzwek Integration” në Reinach ka hapur një këshillimore për të huajt me gjuhë amtare shqipen
Në regjionin Oberwynental, Kantoni Aargau, jetojnë 15 mijë banorë, prej të cilëve 6000 janë të huaj. Pjesa më e madhe e të huajve flasin shqip. Netzwerk Integration Oberwynental, (Rrjet për integrim) i cili prej rreth dhjetë vitesh përpiqet të promovojë lidhjen e të huajve me përditshmërinë e vendit, shkruan në prezantimin e tij: “Nga ana zvicerane janë ofruar shumë projekte që nxisin integrimin, por ato shfrytëzohen fare pak ose aspak nga shqiptarët. Përfaqësuesit e Rrjetit brengosen për faktin se “qasja ndaj këtij komuniteti paraqitet e vështirë”.
Me ofertën e re, përmes një qendre informative publike, anëtarët e Rrjetit synojnë të sfidojnë gjendjen e pakënaqshme. Kështu, të martën (java e kaluar) ka filluar “Wyn-Info Shqip”, qendra për informim pa pagesë me këshilltarë shqiptarë. Çdo të martë në mbrëmje, shqiptarët mund të paraqiten këtu me shqetësimet dhe pyetjet e tyre. Qendra e informimit luan po ashtu edhe rolin e ndërmjetësimit, e cila në rast problemesh lidhet edhe me qendra përkatëse profesionale dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Thjesht, shqiptarët këtu mund të gjejnë zgjidhje në rast se kanë pyetje për sistemin shkollor, u duhet përkthimi i ndonjë teksti të shkurtë ose ndihma për të kontaktuar autoritetet apo për plotësimin e formularëve. Që të katër të rinjtë që kanë ndihmuar organizimin e këtij projekti dhe të cilët tash shërbejnë si këshilltarë, janë “Secondos” (brezi i dtë). Ata kanë ardhur si nxënës me prindërit e tyre në Zvicër dhe e kanë përjetuar vetë se çfarë kërkon integrimi.
Nikollë Gjolleshaj thotë se rruga për integrim kalon patjetër përmes gjuhës dhe arsimimit. Ai është kualifikuar për kujdestar profesional, ka ndjekur kurse profesionale dhe sot punon në një shtëpi të pleqve. Jozef Perkola ka ardhur në Zvicër në moshën e ciklit të lartë të shkollës fillore. Ai ka mbaruar këtu gjimnazin dhe mandej ka studiuar për farmaci. Martin Qunaj ndërkaq ka mbaruar shkollimin për mësues të ciklit të lartë dhe sot jep mësim në Aargau. E katërta në këtë mes, Burbuqe Ibishi është po ashtu pjesëtare e brezit të dytë dhe punon si kujdestare profesionale. Që të katërt janë të gatshëm të ndihmojnë bashkatdhetarët e tyre. Ata thonë se sot, pjesëtarët e gjeneratës së dytë të emigrantëve shqiptarë janë bërë tashmë edhe vetë prindër dhe është shumë me rëndësi që edhe ata të mos e humbin qasjen me shoqërinë pritëse.
Se fëmijët me prejardhje të huaj kanë shanse të mira për arsimim dhe se në shkollat e këtushme gjejnë mbështetjen e nevojshme, dëshmi të mjaftueshme japin vetë historitë e atyre të katërve. “Ka rëndësi që ne të paraqitemi si njerëz të besueshëm. `Pragu` për në zyrën tonë duhet të jetë i ulët”, thotë Gjolleshaj.
Qendra e informimit synon të arrijë që komuniteti i këtushëm shqiptar të informohet për ofertat ekzistuese në regjion dhe t`i shfrytëzojë ato. “Bëhet fjalë për këshillimoret, kurset, grupet e lojës, vendtakimet për nënat me fëmijë të vegjël”, thotë Marianne Eichenberger, e cila para 13 vitesh e ka themeluar bashkë me të tjerët Rrjetin për Integrim.
Në tri komunat: Reinach, Menziken dhe Burg jetojnë mbi 170 familje shqiptare me fëmijë të moshës para ciklit parashkollor. Disa nga këto familje nuk janë të integruara, thonë në Wyn-Info, ato nuk kanë ditur të orientohen në sistemin tonë. Shpeshherë shkalla e arsimimit të prindërve është e mangët. Prindërit ashtu si dhe gjyshërit, kanë jetuar të izoluar nga përditshmëria zvicerane, në një lloj shoqërie paralele. Në të shumtën ata kryejnë punë që paguhen pak. Shumë prej tyre nuk kanë mundur as të gjejnë punë pasi që nuk e zotërojnë gjuhën dhe nuk kanë arsimim të duhur. Situata e tillë nuk guxon të çimentohet, thonë në Wyn-Info.
Këta njerëz, shumica e të cilëve duan të mbeten në Zvicër, do të duhej ta merrnin ardhmërinë në duart e tyre, fëmijët duhet të mbështeten në shkollë dhe në arsimimin profesional.
Përgjegjësit kantonalë për integrim dhe një grup personash shqiptarë të arsimuar nga e gjithë Zvicra e kanë identifikuar problemin dhe qëndrojnë mbrapa projektit Wyn-Info Shqip. Bartës i projektit është Netzwerk Integration, i cili i bart edhe shpenzimet. Në rast se projekti ecën mirë, atëherë Netzwerk, për vitin 2014 do të kërkojë bashkëfinancim edhe nga kantoni.
Wyn-Info Shqip ofron informacione dhe këshilla për shqiptarët çdo të martë nga ora 19 deri në orën 21. Adresa: Hauptstrasse 65, 5734 Renach. Tel: 076 528 66 34. www.netzwerk-integration.ch.
Aargauer Zeitung


