Mobi Casa

Integrimi në regjion funksionon

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Ambasadori Skender Xhakaliu u njoftua se integrimi funksionon mirë në këtë regjion. Kjo në masë të madhe realizohet falë shoqatës “Die Sterne Kosovas” (Yjet e Kosovës)

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, me ftesën e deputetit federal nga partia CDU Peter Weiß ishte mysafir në Endingen dhe në Herbolzjheim për të marrë kontakt me kryebashkiakët dhe ndërmarrjet e këtushme si dhe për të biseduar në lidhje me integrimin, shkuan gazeta “Badische Zeitung”.

Ndalesa në një punëtori për përpunimin e verës në Kaiserstuhl ishte dëshirë e posaçme e Xhakaliut gjatë vizitës së tij në qarkun Emmendingen. 350 mijë kosovarë jetojnë në Gjermani, shumë prej tyre në landin Baden-Württemberg. “Është shumë e rëndësishme që komunat të mbështesin integrimin e bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë Xhakaliu, duke falënderuar kryebashkiakun Hans-Joachim Schwarz për vënien në dispozicion të hapësirave për mësimin e gjuhës dhe për nj^ndihmesën e dhënë nga qyteti Endingen për integrim.

Në kooperativën e vreshtarëve Königschaffhausen-Kiechlinsbergen u shpreh i impresionuar me strukturimin e ndërmarrjes. Ai i dëgjoi me shumë interes thëniet e menaxherit Günter Zimmmetmann, por edhe me një dhembje të pafshehur. “Edhe ne kemi bodrumet tona përplot me verë të mirë. Por mjerisht ne nuk mund ta shesim atë në BE”. Në këtë kontekst, sipas tij është për të ardhur keq edhe më shumë për faktin se ndërmarrjet për përpunim të verës janë prej pesë vitesh në proces të privatizimit.

FIDANISHTJA

Ambasadori sheh një përfitim të madh për vendin e tij marrjen e mësimeve nga ajo se si punojnë qytetarët e Baden-Württembergut në kooperativa ose në organe shteti. Kjo do të ngjallte shumë iniciativa që Kosovën do ta çonin përpara. Bashkatdhetarët e tij të emigruar në Gjermani do të jepnin një pjesë të madhe të kontributit në atë drejtim.

Se integrimi funksionon mirë në këtë regjion, kjo në masë të madhe realizohet falë shoqatës “Die Sterne Kosovas” (Yjet e Kosovës), e themeluar para pesë vitesh nga Tahir Shabani nga Emmendigeni dhe tash drejtohet nga djali i tij, Arianiti.

“Është me rëndësi që gratë të nxirren nga izolimi”, thotë maturanti 18 vjeçar duke e vërtetuar deklarimin e kryebashkiakut Schwarz në Königschaffhausen. Në vendin e tij të prejardhjes fjalën kryesore vazhdojnë ta kenë meshkujt. Prandaj është bukur, sipas tij, të përjetosh se ofertat e shoqatës po japin fryt: “Gjithnjë më shumë gra dhe fëmijë angazhohen, ata mësojnë gjuhën gjermane, vizitojnë shkolla të avancuara ose marrin një patentshoferi”. Kjo hapje ndaj të tjerëve është çelësi i një bashkëjetese të mirë të gjermanëve me ose pa prejardhje emigrantësh. Qëndrimi i qytetit Endingen ka kontribuar shumë që kosovarët të cilët jetojnë në komunën Kaiserstuhl të integrohen mirë, shpreh lëvdata ambasadori. Familjet e pranishme aty vërtetuan fjalët e tij duke pohuar me kokë. Qasja me respekt ndaj njëri tjetrit fillon në imtësia, thotë kryebashkiaku. “Ne provojmë, fjala vjen, që në kuzhinën e shkollës gjithmonë të ofrojmë edhe një alternativë për mishin e derrit”.

Në Herbolzheim, kryebashkiaku Ernst Schilling i prezantoi ambasadorit të një vendi ende të ri, Xhakaliut, qytetin e tij. Menaxhimi i ujërave nëntokësore , kanalizimi dhe infrastruktura, janë projekte në të cilat Kosova ka nevojë për ndihmën e ekspertëve, thotë ambasadori. Edhe partneriteti i qyteteve ishte temë që u prek aty. Kryebashkiaku Schilling ofroi mbështetjen e tij: Nëse njerëzit nga Kosova duan që të shohin punën që bëhet në administratën e Herbolzheim-it ose që të informohen për mbrojtjen nga vërshimet, mund të qëndrojnë katër javë te ne, kjo nuk paraqet fare problem. Këtë ofertë ne ua japim”, ka thënë Schilling.