Instituti GAP publikon raportin, “Si ndikon në inflacion kontrolli i çmimeve të produkteve”

Sot, Instituti GAP publikoi raportin “Si ndikon në inflacion kontrolli i çmimeve të produkteve”?Rritja e ndjeshme e çmimeve po e rëndon mirëqenien e familjeve në Kosovë.

Sfiduese për Kosovën do të jetë dhe furnizimi me energji elektrike në muajt në vijim, duke marrë parasysh kapacitetet jo të mjaftueshme prodhuese të Kosovës dhe çmimet e larta të importit.

Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar të metat dhe përparësitë e praktikës së kontrollit të çmimeve, konkretisht efektet e rregullimit të çmimit të naftës në Kosovë, ndërhyrjet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për të luftuar inflacionin dhe ndikimin e ndryshimit të mundshëm të disa normave tatimore.

Së fundmi, me propozim të Qeverisë, Kuvendi ka aprovuar në lexim të dytë Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, i cili rregullon një numër më të madh të produkteve të shportës bazike.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se gjatë kohës së kontrollit të çmimit të naftës vërehet një lëvizje më e sinkronizuar e çmimit të naftës me pakicë në Kosovë dhe asaj në berzë. Ndërkaq, në kohën kur çmimet e naftës janë të parregulluara vërehet një tendencë e menjëhershme e rritjes së marzhës së fitimit nga naftëtarët dhe sinkronizim i vonuar me çmimet në berzë.

Nëse problemi me inflacionin shndërrohet në problem afatgjatë, politika e kontrollit të çmimeve mund të dëmtojë sektorët e ndikuar, siç tregojnë gjetjet nga vendet e tjera të cilat kanë aplikuar masa të ngjashme. Me Ligjin e miratuar nga Kuvendi, do të preken sektorë që së bashku kanë qarkulluar mbi 1.1 miliard euro në vitin 2021 apo sa 15% e BPV-së për atë vit.

Praktikat e vendeve tjera tregojnë që kontrolli i çmimeve si instrument për uljen e inflacionit është jo-efektiv, meqë pas heqjes së kufizimeve, çmimet kanë tendencë të rriten menjëherë.Aplikimi i formave tjera të ndihmës ndaj qytetarëve, që kryesisht parashohin uljen e normave tatimore ose heqjen e TVSH dhe akcizës për disa produkte, mund të ketë ndikim buxhetor nga 205 deri 246 milionë euro në gjashtë muaj apo rreth 455 milionë euro në vit.

Ndër problemet kryesore me politika të tilla mbetet targetimi jo adekuat, si dhe ndikimi në rritjen artificiale të konsumit.Instituti GAP rekomandon që krahas masave aktuale të Qeverisë, është e duhur që të miratohet paga e re minimale e cila do të ndikonte rreth 106 mijë punonjës të sektorit privat. Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet:– të hartojë dhe zbatojë politika të qëndrueshme për rritje të prodhimit vendor në mënyrë që të ulet varësia nga importi;

– të marrë vendime për kursimin e energjisë elektrike edhe në sektorin privat dhe në vazhdimësi të ndajë mjete për iniciativat që mbështesin rritjen e efiçiencës në konsum të energjisë në shtëpi;– të konsiderojë lirimin nga obligimet tatimore për gazin dhe peletin, çmimet e të cilave parashihet të kontrollohen përmes ligjit të ri, si dhe – të miratojë dhe fillojë së zbatuari Strategjinë e re të energjisë 2022-2031.

Raportin e plotë mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS