Fundamenti

Institucionet pa legjitimitet

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Pushteti LDK e PDK e ka humbur besimin e qytetarëve. Burjani: Shkuarja e këtij koalicioni në shtëpi është e domosdoshme

“Kjo pozitë është bërë për t’i mbajtur në pushtet grupet parapolitike të të dyja partive në pushtet. Ndërprerja e mandatit do të ishte shpëtim për vendin, sepse kjo Qeveri është duke e bërë vendin jofunksional dhe me faktorizimin e Serbisë në Kosovë është duke lënë një konflikt të hapur për gjeneratat e reja”, shprehet deputeti Zafir Berisha

Kjo qeverisje e dobët, e korruptuar dhe e pashpresë për shumicën absolute të qytetarëve e ka humbur legjitimitetin e saj. Ndërprerja e mandatit të saj sa më parë do të ishte e shëndetshme për Kosovën shtet dhe qytetarët e saj.

Fundamenti

Një dialog mes palëve pozitë – opozitë dhe palës së tretë përcaktuese- Kuintit është i domosdoshëm për një marrëveshje për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, sepse vazhdimi i kësaj agonie do të thotë vazhdim i vuajtjeve në agoni për të gjithë qytetarët. Me këto institucione të brishta, të korruptuara e kriminale, dhe me këtë mafio-politikë e mafio-oligarki që ka kapur shtetin dhe ka humbur besimin e shumicës absolute të qytetarëve, nuk mund të ecet para, prandaj shkuarja në zgjedhje të reja është alternativa dhe zgjidhja e vetme për të mos e dëmtuar edhe me tutje tanimë Kosovën e lënduar.

Mbetet vetëm të zgjidhet se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e reja të parakohshme gjatë këtij viti 2015, që do të ishte një pune e vështirë e arritshme, apo në mars-prill të vitit të ardhshëm 2016, deri kur mund të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe të dobishme për zgjedhjet e ardhshme pa blerje e vjedhje të votave? Politologu Faik Krasniqi mendon se kjo klasë politike është futur në qorrsokak dhe nuk ka alternativë, për shkak të dështimit për të krijuar politika të mirëfillta, që e vënë shtetin në binarë të duhur. “Situata në të cilën po kalon Kosova kërkon një zgjidhje afatgjatë.

Një pjesë e njerëzve mendojnë se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme. Qeveria nuk është për asnjë nga variantet. Ajo kërkon ta zgjasë sa më shumë pushtetin e saj, deri në fund të mandatit. Në anë tjetër partitë opozitare, zgjidhjen e këtij kaosi politik e shohin shkuarjen në zgjedhjet e parakohshme. Por, gjendja aktuale me apo pa dëshirën e politikës, kërkon medoemos një zgjidhje të kolapsit aktual”, thotë Krasniqi. Sipas tij, korrupsioni, keqqeverisja, krimi i organizuar, keqpërdorimet, janë gjërat, të cilat po e mbysin vendin./kosova sot/