Institucionet mikrofinanciare s’e ndërrojnë statusin

Përfitojnë miliona euro, por gjithë veprimtarinë e tyre vazhdojnë ta ushtrojnë si Organizata Jo Qeveritare (OJQ), qëllimi i së cilave është të jenë jo përfituese.
Shtatëmbëdhjetë institucione mikrofinanciare që ekzistojnë në Kosovë janë të regjistruara si OJQ, në përputhje me Ligjin për lirinë e asocimit në OJQ. Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza ka thënë për Tribuna se asnjë institucion financiar nuk ka aplikuar që të ndërrojë statusin e tyre.
E gjithë këto paqartësi në statusin e këtyre institucioneve kanë ardhur si pasojë e mos miratimit të Ligjit të ri për IMF-të pas anulimit të disa neneve të ligjit paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Guvernatori Hamza ka sqaruar se institucionet mikrofinanciare nëse dëshirojnë të shndërrohen në shoqëri aksionare, atëherë ato mund të shndërrohen, por nuk lejohet transferi i kapitalit prej OJQ-së në shoqërinë e re aksionare.
“Institucionet mikrofinanciare nuk kanë ndonjë pjesëmarrje të madhe në totalin e tregut financiar. Ato janë regjistrua me ligjin për OJQ-të kur ka qenë një rregullore e UNMIK-ut. Ne e dimë që e kemi pas një ligj ku nene të caktuara të atij ligji janë shfuqizuar. Tash është krijuar një dokument i ri që ka mbet në procedura të Kuvendit, me qëllim që pjesëmarrja e IMF-ve në tregun financiar duhet me u regjistrua si shoqëri aksionare dhe duhet të licencohen në Bankën Qendrore”, ka sqaruar Hamza…(Tribuna)