Institucionet bashkohen në parandalimin e dhunës në familje
Gjilan – Komuna e Gjilanit po i kushton rëndësi të veçantë luftës kundër dhunës në familje. Kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri është zotuar se në vitin 2015 do të financojë draft-propozimin për mbështetje të strehimores, në bashkëpunim me UN Women, thotë Vjollca Jakupi, nga Zyra komunale për koordinim kundër dhunës në familje.
Për të diskutuar problemet e dhunës në familje, OSBE në Gjilan, ka organizuar një takim të mekanizmave që merren me dhunën në familje, ku është trajtuar bashkëpunimi ndërinstitucional për parandalimin dhe zvogëlimin e dhunës në familje.
Në këtë tryezë të përbashkët kanë marrë pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Gjilan, Zyra Komunale për Koordinimin Kundër Dhunës në Familje, Mbrojtësit e Viktimave, Qendra për Punës Sociale, Shërbimi Korrektues, Zyra e Ndihmës Juridike falas, OJQ-të lokale, Strehimorja e Grave “Liria” në Gjilan dhe të tjerë.
Jakupi thotë se qëllimi i tryezës ka qenë që të diskutohen përpjekjet, përvojat dhe praktikat mes palëve të interesit si dhe institucioneve relevante në regjionin e Gjilanit, në ngritjen e bashkëpunimit ndër-institucional dhe bashkërenditjen e veprimeve në sferën e çështjes së dhunës në familje.
U tha se është e domosdoshme që të adresohen sfidat e programit të Kosovës si dhe Planit të Veprimit 2011 – 2014 në luftimin e dhunës në familje.
Pas kësaj tryeze dhe premtimit të kryetarit Lutfi Haziri, për mbështetje, Jakupi është optimiste se gjerat do të lëvizin në aspektin pozitiv./rajonipress/

