Injorohet nga institucionet, edhe pse tërë jetën ia kushtojë kombit

Gjilan – Demir Krasniqi ka një emër me shumë autoritet kudo në trojet shqiptare. Kudo që shkon i ka dyert e hapura dhe është i mirëpritur nga të gjitha shtetet shqiptare, por për çudi në Gjilan ai vazhdimisht injorohet. Krasniqi edhe pse është autor i dyfishtë i “Himnit të Flakës së Janarit” dhe krijues i parë i këngës së Pavarësisë së Kosovës, asnjëherë nuk ftohet nga institucionet komunale për të qenë pjesë e këtyre manifestimeve.
Ka punuar tërë jetën në shërbim të institucioneve kulturore, arsimore, pedagogjike, edukative dhe është njëri nga themeluesit, kompozuesit, autorët e qindra teksteve autoriale e muzikore. Kufijtë rreth muzikës i ka tejkaluar kaherë dhe është bërë emër i njohur e shumë i nderuar në të gjitha trojet shqiptare, raporton rajonipress.
I shpërblyer qindra herë me mirënjohje e dekorata për punën e mirë që ua ka lënë brezave të rinj. Për çudi ky bagazh i Demir Krasniqit vazhdon të injorohet nga institucionet komunale në Gjilan. Ai pos që injorohet as nuk ftohet në manifestimet që vet i ka krijuar e dizajnuar.
Ky ishte shkasi që Demir Krasniqi pa dashjen e tij dëshiron të rrëfehet për rajonipress.
Krasniqi thotë se ndihet i diskriminuar në vazhdimësi nga këto institucione. “Institucionet kulturore e arsimore të Gjilanit, në vazhdimësi po ushtrojnë një diskriminim, injorancë, xhelozi dhe urrejtje të pa parë patologjike ndaj meje, pa asnjë arsye të vetme. Gjilani, më largoi nga puna dhe më qiti përgjithmonë në rrugë, pas 38 viteve përvojë pune e kontribute të pa para në arsim” rrëfehet Krasniqi.
Krasniqi thotë se manipulantët të cilët pa asnjë profesionalizëm e drejtojnë në vazhdimësi kulturën e Gjilanit, madje ka edhe nga 3 persona prej një familje që e drejtojnë kulturën në Gjilan, që prej se kanë arrit në atë post, më kanë injoruar nga çdo program kulturor, manifestim, festival e çka jo tjetër, vetëm e vetëm nga xhelozia dhe urrejtja patologjike që e mbajnë në shpirt ndaj meje?!
“Përveç mijëra e mijëra krijimesh muzikore nga imagjinata ime, unë jam edhe autori i dyfishtë i “Himnit të Flakës së Janarit”, por personat e lartëcekur kurrë nuk më kanë ftuar që të marr pjesë në këtë Manifestim?! . Unë, po ashtu jam njëri ndër krijuesit e parë të këngës së Pavarësisë së Kosovës, me titull:”Kosova – nuse me kurorë”, por as për manifestimet që i kushtohen kësaj dite, personat e “autorizuar kulturor” nuk më thërrasin kurrë që të marr pjesë, e mos të flasim për shpërblime” ka sqaruar ai.
Krasniqi thotë se kurrë në jetën time, nuk kam qenë i prirur për materialist, as si karrierist, por gjithmonë jam munduar që të jap kontributin tim, për të mirën e këtij populli, këtij vendi dhe kësaj kulture, por i tërë mundi dhe kontributi im u hodh në mbeturinat e kohës nga njerëzit e pa përgjegjshëm dhe të pa ndërgjegjshëm./rajonipress/