Eko Higjiena

Injorantët ia humbën shtetit 300 milionë euro

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Për herë të parë që nga themelimi, ZAP-i (Zyra Kombëtare e Auditimit) ka nxjerrë një raport auditimi për menaxhimin e borxheve publike. Sipas Auditorit, shqetësuese është aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të këtyre fondeve të borxheve publike.

Maloku: Raporti i Auditorit na tregon se sa të mangët dhe të padijshëm janë drejtuesit e institucioneve

“Qeveria e Kosovës si mungesë profesionale ka edhe 295.809.378 euro mjete, të cilat nuk janë tërhequr-shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur, pra thjesht degradim total i prioriteteve nga ana e Qeverisë. Kjo do t’i kushtojë Republikës së Kosovës, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve dhe vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890.000 euro”, thotë analisti Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

Për herë të parë që nga themelimi, ZAP-i (Zyra Kombëtare e Auditimit) ka nxjerrë një raport auditimi për menaxhimin e borxheve publike. Sipas Auditorit, shqetësuese është aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të këtyre fondeve të borxheve publike.

Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, 295.809.378 euro janë mjete të cilat nuk janë tërhequr apo shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për tu përdorur. Si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890.000 euro. Si e shpjegon qeveria se përse afërisht 300 milionë euro borxhe publike nuk janë tërhequr apo shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur, ku si pasojë pastaj janë shpenzuar afro 900 mijë euro për tarifat e zotimit për mjetet e kredive të patërhequra. Sipas deputetëve të opozitës dhe analistëve, kjo është edhe tallje me buxhetin e tatimpaguesve kosovarë, kur edhe pse e fillojnë procesin e huamarrjes paratë e gatshme të fondeve nuk shfrytëzohen me kohë dhe si pasojë paguhen tarifat e zotimit 900 mijë euro, ndërkaq paratë nuk shfrytëzohen, andaj deputetët dhe ekspertët thonë se janë qeveritarët tanë të padijshëm e shkatërrues të shtetit fajtorët që po e marrin në qafë Kosovën që po nënshkruajnë kontrata, anekse ligjore, udhëzime administrative joligjore e shumëçka tjetër, pa e ditur se çka po bëjnë, duke shkaktuar dëme të rënda për buxhetin e vogël të vendit.

Rekomandimet e ZAP-it nuk po përfillen

Deputeti Salih Salihu, për “Kosova Sot” tha se e vlerëson lart angazhimin eZAP-it dhe të kryeauditorit për të gjeturat e bëra për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet që po bëhen nga paslufta me paranë publike. “Por, nga ana tjetër, raporti po na tregon se Kuvendi i Kosovës, Qeveria, ministritë së bashku me institucionet e drejtësisë nuk kanë qenë në nivel të detyrës për shpenzimin e këtyre mjeteve”, u shpreh ai.”Nëse këto informata dalin në një nivel aq të lartë, si është Kuvendi i Kosovës, dhe institucionet e tjera, atëherë ne na mbetet vetëm që ta shprehim zhgënjimin dhe ta pyesim veten se çfarë po presim. Përkatësisht të pyesim se a duhet që ne ta kryejmë punën e sistemit të drejtësisë, të Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe ministrive që i kemi zgjedhur me votën tonë, duke ua deleguar edhe disa kompetenca dhe autorizime”, vijoi më tej Salihu. Ndërsa ish-deputeti Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot” tha se është shumë mirë që po bëhen auditimet dhe po na i hapin sytë për të mësuar se si është shpenzuar dhe keqmenaxhuar paraja publike.”Andaj edhe në këtë rast ky auditim na tregon se si ndër vite janë bërë shkelje të shumta në keqmenaxhimin e parasë publike nga agjencitë që harxhojnë paratë e buxhetit të Kosovës, paratë e taksapaguesve të qytetarëve të varfër të vendit dhe si nuk kemi ditur t’i shfrytëzojmë 300 milionë euro kredi nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo e tregon papërgjegjësinë e institucioneve tona financiare e bankare”, potencoi ai. Neziraj thotë se fundja auditimi e ka për qëllim që t’ua tërheqë vërejtjen të gjitha institucioneve të vendit që harxhojnë paratë publike në bazë të Ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe njëherë e përgjithmonë të harxhohen paratë publike të bazuara në ligje dhe për të mirën e qytetarëve të vendit.”Është shumë e keqe e madhe se edhe pse auditori për çdo vit u jep rekomandime të shumta institucioneve që harxhojnë paranë publike të buxhetit të vendit, në vend që të përmirësojnë dhe të mos i përsërisni gabimet e kaluara, po ndodh që nëvitin tjetër vijues jo vetëm se nuk po u përmbahen rekomandimeve, por institucionet po bëjnë gabime edhe më të mëdha dhe kjo të lë të dyshosh se në këto institucione ka keqmenaxhim dhe nuk po ndëshkohen nga askush”, theksoi Xhevdet Neziraj.

ARKATANA

Kjo qeveri meriton të shkarkohet!

Analisti Lulzim Beqiri për “Kosova Sot” tha se opinioni publik kosovar vazhdon të ruajë tendencën e fortë të optimizmit në ekonomi, punësim, luftim të korrupsionit, luftë ndaj nepotizmit, integrimeve euroatlantike, por përballja me realitetin çdo ditë e më shumë po dëshmon se jemi larg përmirësimit të situatës aktuale. “A e dini që çdo qytetar i Republikës së Kosovës merr pjesë në borxhin publik të shtetit me rreth 600 euro për secilin qytetar, duhet të llogarisë me i nda rreth 600 euro nga të ardhurat e tij?”, thotë ai.”Kosova i ka aktualisht rreth 1 miliard euro borxhe. Nga është ka shkon kjo ekonomi me këta hapa çoroditës? Qeveria e Kosovës si mungesë profesionale ka edhe 295.809.378 euro mjete, të cilat nuk janë tërhequrshpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur, pra thjesht degradim total i prioriteteve nga ana e Qeverisë, kjo do t’i kushtojë Republikës së Kosovës dhe kjo si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890.000 euro”, vijoi më tej Beqiri.”Ky është skandal dhe nuk e meriton as edhe një sekondë kjo Qeveri me udhëheq shtetin. Pse një Qeveri merr kredi kur nuk ka kapacitete t’i menaxhojëmjetet që vetë i kërkon dhe për pasojë humbim rreth 900 mijë euro, sa popull naiv jemi, sa shoqëri aktive që jemi, në një anë falin rreth 53 milionë euro përderisa vendi shkon drejt falimentimit dhe krenohen vaj halli për ne si tatimpagues”, ka thënë analisti Lulzim Beqiri.

Të paaftët udhëheqin institucionet

Kurse eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se si rezultat i instalimit të një nepotizmi dhe ngjyrimit politik në institucionet tona sot po i vuajmë zhvatjet që janë bërë në institucionet nga elita politike në Kosovë.”Pra, rekrutimi i atyre familjarëve dhe militantëve politikë pa kritere profesionale dhe morale sot e kemi këtë gjendje çfarë e kemi, duke mos ditur detyrat dhe përgjegjësitë e veta, por duke vepruar mekanikisht në shërbim të njerëzve të politikës që si pasojë faturën po e paguan qytetari i Kosovës”, potencoi ai. “Nuk ka skandal më të pastër që mjetet e ndara nga bashkësia ndërkombëtare nuk janë tërhequr vetëm në mungesë që njerëzit kompetentë nuk dinë të bëjnë projekte për t’i kthyer në investime që Kosova më shumë se kurrë ka nevojë, duke qenë dëshmitarë të gjendjes së tanishme ekonomike jo të mirë”, vijoi më tutje Kadriaj. Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për “Kosova Sot” tha se Raporti i Auditorit na tregon se si në shumë institucione të shtetit nëpër pozita kyçe sa të mangët dhe të padijshëm janë drejtuesit e këtyre institucioneve që nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë afro 300 milionë euro kredi që kanë mundur t’i shfrytëzojnë. “Mbase kjo na tregon se edhe mungesën e përgjegjësisë individuale dhe llogaridhënies së anëtarëve të komisioneve vlerësuese që po vazhdon të përcjellë proceset e prokurimit publik. Edhe pse Ligji për prokurimin publik parasheh përgjegjësi individuale për vlerësuesit e tenderëve. Por auditori ka gjetur se deri më tani në praktikë nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor kundër personave që kanë vlerësuar “gabimisht” këto mjete se nuk mund t’i shfrytëzojnë apo janëkthyer në rivlerësim”, theksoi më tutje Maloku.

Te nisin hetimet ex-officio

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” tha se nuk është hera e parë që ZAP-i ka gjetur parregullsi që janë bërë nga institucionet lokale dhe qendrore. “Dhe kjo që ka ndodhur është e kuptueshme, ngase në këto institucione ka shuma të mëdha të financave dhe për rregullimin dhe rishikimin e buxhetit të Kosovës gjithmonë ka pasur njerëz të cilët kanë bërë keqpërdorime dhe disa prej këtyre financave i kanë futur në xhepin e tyre”, vlerësoi ai.”Është për të ardhur keq që një shtet i ka pasur në dispozicion edhe 300 milionë euro nga kreditë ndërkombëtarë dhe ato para nuk kanë ditur si të shfrytëzohen nga zyrtarët e institucioneve të shtetit vërtet kjo është për keqardhje”, u shpreh Grapci. Sipas tij, Prokuroria e Kosovës duhet që të fillojë hetimet për këto raste “ex-officio” dhe t’i gjejnë fajtorët dhe personat që nuk kanë ditur të menaxhojnë dhe shfrytëzojnë këto financa në mënyrë legale.”Prokuroria e Kosovës duhet që të fillojë angazhimin maksimal në lidhje me këto raste, ku po vërehet që ka pasur shkelje të rregulloreve dhe ligjit”, vlerësoi ai. Analisti Grapci shton se përgjegjësit për këto dështime nuk mund të amnistohen.

(Kosova Sot)