Informaliteti han miliarda, oligarkët mbushin xhepat
Në mungesë të gatishmërisë dhe aftësisë së pushtetarëve aktualë, Kosova e ka shumë të vështirë që ta luftojë informalitetin, që është i shtrirë gjithandej vendit. Analistët, deputetët dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se e tëra kjo po ndodh sidomos në mungesë të arkave fiskale dhe si pasojë e kontrabandës së mallrave.
Bizneset e ndershme dhe qytetarët e pësojnë.
Evazioni fiskal dhe kontrabanda po e shkatërrojnë ekonominë dhe buxhetin e Kosovës. Organet kompetente duken të pafuqishme ta ndalin këtë dukuri, ndërsa politika në pushtet përfiton nga miliardat, që qarkullojnë jashtë rrugëve legale,raporton Gazeta Kosova Sot
Në mungesë të gatishmërisë dhe aftësisë së pushtetarëve aktualë, Kosova e ka shumë të vështirë që ta luftojë informalitetin, që është i shtrirë gjithandej vendit. Analistët, deputetët dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se e tëra kjo po ndodh sidomos në mungesë të arkave fiskale dhe si pasojë e kontrabandës së mallrave. Sipas tyre, heshtja e Qeverisë dhe lejimi i informalitetit po i dëmton me të madhe bizneset e ndershme në konkurrencë dhe shumë nga ato i bën që të falimentojnë. Vetë udhëheqësit e Qeverisë dhe institucionet financiare ndërkombëtare e pranojnë se informaliteti është rreth 33-40 për qind. Edhe pse është themeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal, rezultatet janë të dobëta. Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, kohë më parë tha se shkalla e informalitetit sipas vlerësimeve që janë bërë edhe prej instituteve ndërkombëtare, sillet mbi 30 për qind në Kosovë. Sipas tij, kjo është 1/3 e buxhetit që konsiderohet informalitet, dhe se deri më tani janë mbi 24 mijë tatimpagues që janë fiskalizuar me mbi 32 mijë pajisje elektronike fiskale.
nformaliteti mbush xhepat e pushtetarëve Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, tha për “Kosova Sot” se shkalla e saktë e informalitetit është shumë e vështirë, që të përcaktohet kudo në botë, por flitet se tek ne informaliteti është 30 -35 për qind. “Problemi qëndron se tek institucionet tona atyre u mungon vullneti për ta luftuar këtë dukuri. Kur them nuk kanë disponim, kjo nënkupton se askush nuk punon që të lufton kundër vetvetes në rastet, kur ai përfiton, sepse po mos të kishin interes pushtetarët aktual ata do të tregonin ndonjë vullnet për ta bërë këtë veprim”, u shpreh ai.
Shatri tha se këta pushtetarë nuk po duan që ta zvogëlojnë informalitetin, sepse fundja informaliteti në shkallën 100 për qind nuk hiqet kurrkund, por ai duhet që të zvogëlohet në përmasa normale dhe për pasojë këtu tek ne nuk është duke u zvogëluar që 15 vite fare. “Kjo tregon se këtu nuk ka vullnet për ta bërë këtë, sepse po shihet qartë se në këto punë të pista janë të lidhura grupe të interesit, që përfitojnë në forma të ndryshme, ashtu si punohet tek ne në Kosovë”, theksoi më tutje ai. Shatri tha se, në këto raste dëmet dihet dhe e pësojnë të gjitha ato biznese që e respektojnë ligjin dhe përfitojnë të bizneset e parregullta dhe që nuk e respektojnë ligjin. “Kësisoji shteti humb dyfish, sepse ai që është i parregullt nuk e paguan tatimin dhe i njëjti forcohet, kurse ai biznes që e paguan tatimin detyrohet që të falimentojë dhe kështu ndikojmë që biznesi i parregullt të forcohet dhe në të njëjtën kohë e humbim një partner se humbim tatimin që nuk e paguan ky biznes i parregullti”, u shpreh Shatri./kosova sot/


