RCCOLA

Inaugurohet ujësjellësi në fshatin Drobesh të Vitisë

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Banorët e fshatit Drobesh të Vitisë, që nga sot nuk do të kenë problem me furnizimin me ujë të pijshëm. Me një solemnitet rasti është përuruar të martën projekti i ujësjellësit që është donacion i komunës së Vitisë dhe CDI-së në bashkëfinancim edhe të qytetarëve të këtij lokaliteti. Ky projekt kap shumën 146.000 euro.

Duke bërë inaugurimin e këtij projekti, kryetari i komunës Nexhmedin Arifi ka theksuar se ky projekt është edhe një realizim i premtimeve të punës në kuadër të projekteve për mirëqenien e qytetarit të kësaj komune. “Ne kemi arrit që të shtrijmë rrjetin e ujësjellësit në shumë fshatra ku është konsideruar se furnizimi me ujë të pijshëm është i vështirësuar. Dihet se uji është një nga nevojat kryesore të njeriut, andaj edhe si institucione i kemi dhënë prioritet kësaj çështje që qytetarët mos të përballen me këtë problematik”, tha Arifi.

Ai po ashtu është shprehur se do të angazhohet që edhe në të ardhmen të jenë pranë qytetarit në zgjidhjen e problemeve tyre.

Uji Dea

Ndërsa Avdullah Kadriu përfaqësues i fshatit Drobesh, tha se për banorët ky është një projekt kapital sepse për vite me radhë janë përballur me problemin e ujit të pijes. “Edhe nisma për realizimin e këtij projekti ishte mirëpritur dhe pothuaj pjesa dërmuese e fshatit është treguar e gatshme për të bashkë financuar në pjesën që u takon. Falënderoj edhe institucionet komunale, konkretisht kryetarin Arifi për mbështetjen e vazhdueshme që ka bërë për fshatin Drobesh , por edhe në projektin që po e inaugurojmë sot”, tha Kadriu.

Plaku Faik Hajdini duke përkujtuar vështirësitë me furnizimin me ujë të pijshëm që kanë pasur banorët, tha se sot është një ditë e veçantë për ta sepse po zgjidhet problemi të cilin e kanë pasur për vite me radhë. Ky projekt i ujësjellësit, kap shumën 146.000 euro, ku komuna dhe banorët kanë bashkë financuar me 65.000 euro dhe CDI me pjesën tjetër./rajonipress/