Fundamenti

Inaugurohet Qendra e re e Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria të Gjilanit, kostoja afro 340 mijë euro

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Është inauguruar të mërkurën objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria, në ngjarjen ku mori pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, drejtori i organizatës Qatar Charity, Esam Dabab e përfaqësues të shëndetësisë primare.

Hyseni, pasi falënderoi drejtorin e kësaj organizate për bashkëfinancimin e këtij projekti, tha se ndërtimi i kësaj Qendre ka qenë i domosdoshëm pasi objekti ku ka funksionuar deri tani nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme.

“Tash jemi në një ambient të ri ku kemi një hapësirë prej 380 metra katrorë, tetë salla, duke përfshirë edhe stomatologjinë dhe laboratorin e analizave biokimike dhe hematologjike, ndërkaq si shërbim shtesë është edhe ai i radiologjisë. Pajisjet teknologjike që gjenden këtu, mund të themi se janë në nivel edhe më të lartë se ato të Spitalit të Përgjithshëm”, ka Hyseni.

Ai theksoi se shumë shpejt pritet të fillohet me renovimin e QMF Dardania, ndërkaq në Zhegër tashmë është dërguar laboratori për analiza bazë.

Uji Dea

“Në këtë formë po përmirësohet infrastruktura shëndetësore në komunën tonë”, tha kreu i Gjilanit.

Drejtori i organizatës Qatar Charity, Esam Dabab, tha se ky është njëri prej projekteve më të suksesshme me Gjilanit, derisa e ka falënderuar kryetarin e Komunës, për të cilin tha se ka qenë shumë aktiv në realizimin e këtij projekti të përbashkët.

“Thënë më sinqerisht, po të mos ishte ndihma dhe prezenca e kryetarit, nuk do të ishte ky realizim në këtë kohë. Komuna e Gjilanit llogaritet si një komunë strategjike për projekte në të ardhmen”, tha ai.

Ndryshe, kostoja e këtij projekti është rreth 340 mijë euro, ku 60 për qind të kësaj shume e ka financuar Qatar Charity, ndërkaq Komuna ka marrë pjesë me 40 për qind të mjeteve./rajonipress/