Fundamenti

Inaugurohet biblioteka personale e akademik Idriz Ajetit në bibliotekën ndërkombëtare “Fan S.Noli”

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në Bibliotekën e Komunës së Gjilanit “Fan S.Noli”, është inauguruar sot këndi i bibliotekës me libra, dorëshkrime, botime, revista, mirënjohje e arritje shkencore të akademik Idriz Ajeti, që nga ish studentët e tij, tash profesorë doktor, dhe përfaqësuesit e institucioneve komunale, u cilësua si gjiganti i letërsisë, pendës, albanologjisë, studimit të gjuhës dhe mësuesit të madh shqiptar.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se Idriz Ajeti i bën nder jo vetëm Gjilanit dhe Kosovës por gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

“Akademik Idriz Ajeti, është një gjigant i cili i bën nder të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, por Gjilani është shumë krenar për këndin e librave të tij, që familja dhe vet akademik Ajeti, kishte përcaktuar që ato t’i jepen institucionit më të lartë të librit në nivel të regjionit të Gjilanit. Biblioteka e Gjilanit është e nderuar dhe ka përgjegjësi shtesë, që brenda vetes ka thesarin e madh të bibliotekës së akademik Ajetit. Sot Gjilani është më I pasur, sepse ka materialin shumë të çmuar të akademik Idriz Ajetit, për të cilin kanë shkruar dhe flasin akademitë më të mëdha botërore që nga Egjipti e deri në Paris, Vjenë, Romë, Athin e gjetiu”, tha mes tjerash ajo.

Ndërsa, Bahtijar Kryeziu, ish student i të gjitha niveleve akademike të Idriz Ajetit, ka prezantuar biografinë e akademikut, i cili nën emocion të veçantë dhe me entuziazëm ka folur për të bëmat e pafundme që ka bërë gjatë jetës 102 vjeçare akademiku i të gjithë shqiptarëve.

“Ky lis i madh, siç po e quajnë me të drejtë disa, “mbiu” më 26 qershor 1917, në një cep të Kosovës Lindore, në Topallën e Medvegjës, në ato tërthore që me shekuj nuk gëzuan të drejtën e tyre të jenë pjesë e Shqipërisë etnike. Mbiu atje për të lëshuar rrënjë të thella e për të shtrirë degët e tij në të gjitha trojet e përtej trojeve shqiptare. Veprimtaria shkencore e akademik Idriz Ajetit është e begatë dhe e nduardurshme. Ajo ngërthen në vete një korpus të gjerë studimesh: sa nga dialektologjia aktuale e historike, po aq edhe nga historia e gjuhës së shkruar, nga morfologjia historike e shqipes dhe problemet e diskutueshme të saj, po aq edhe nga historia e leksikut, sa nga interferencat e dyanshme gjuhësore shqiptaro-sllavojugore, po aq edhe nga onomastika mesjetare, sa nga normimi i shqipes, po aq edhe nga çështjet e kulturës së gjuhës etj. Akademik Idriz Ajeti ishte dhe mbetet një ndër themelvënësit e arsimit të lartë dhe të shkencës albanologjike në Kosovë. Emri i tij zë një vend nderi në historinë e arsimit e të kulturës sonë, krahas figurave më të shquara shqiptare. Jemi shumë të lumtur që në Gjilan sot kemi bibliotekën e profesor Ajetit, dëshirë që ishte shprehur edhe nga familja dhe vet akademik Ajeti”, tha mes tjerash Bahtijar Kryeziu.

Me fjalë rasti është paraqitur edhe Begzad Baliu, i cili ka thënë se është shumë krenar që sot po bëhet inaugurimi i këndit të akademik Idriz Ajetit në bibliotekën regjionale të Gjilanit.

Mobi Casa

“Jam shumë i lumtur që akademik Idriz Ajeti është pikë referente e studimit të të gjithë albanologëve ndërkombëtarë. Studiuesit e ndryshëm mund të shohin veprat ku është mbështetur profesori Idriz Ajeti. Gjatë të ardhmes do ta dorëzojmë edhe dorëshkrimet e tij që është një arkivë në vete, aty gjenden me saktësi së ai ishte i lindur me 14 janar të vitit 1917. Kosova ka shumë heronjë, dëshmorë e martirë, por edhe jemi popull martir dhe duhet të ketë një shtatore të akademik Idriz Ajetin dhe besojmë shumë që këtë ta bëjë Gjilani dhe kryetari Lutfi Haziri. Kosova ka tri shtylla të fuqishme, e para është Esat Mekuli, shtylla e dytë që e përcakton vijën kulturore të ndërtuar në vetëdijen tonë është e profesor Idriz Ajetit dhe shtylla e tretë është e rezistuesit të madh Adem Demaqi, që pastaj kanë rrjedhur të gjitha degët tjera deri te liria e plotë”, ka thënë mes tjerash Begzad Baliu.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Kadir Hysiun dhe drejtoresha për Kulturë Deniza Limani, kanë ndarë mirënjohje për familjen e akademik Idriz Ajeti, që e kanë dhuruar të gjithë bibliotekën e profesorit.

“U shprehim falënderimin më të veçantë për librat dhe materialet e shumta që i keni dhënë Gjilanit duke e pasuruar edhe më shumë jo vetëm këtë bibliotekë dhe Gjilanin si vendbanim, por duke i dhënë një nivel tjetër edhe botimeve të kësaj ane dhe mundësive që ofrohen për qytetin universitar të jug-lindjes së Kosovës, Gjilanit”, kanë thënë ata mes tjerash.

Në emër të familjes, Hasan Ismajli i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, derisa Komunës së Gjilanit i ka uruar këndin e Bibliotekës së akademik Idriz Ajetit, i cili e kishte shumë përzemër këtë qytet.

Akademik Idriz Ajeti gjatë jetës së tij 102 vjeçare, ka lënë për bibliotekën e Gjilanit mbi 4 mijë librave dorëshkrime./rajonipress/