Fundamenti

In memoriam, mbresa pune dhe jete

/ 5 minuta lexim
HW

Nga Mehmetali Rexhepi kushtuar Nijazi Hoxhës dhe Qemajl Jakupit

NJAZI HOXHA (1960-2020)
Si duket për mua sot paska qenë njëra nga ditët e pikëlluara…Hapa facebook-un dhe pashë njoftimin mortor për dy kolegë të mijë që iu bashkuan amshimit: Qemajl Jakupi dhe Nijazi Hoxha!… Qemajli profesor i lëndës së Kimisë, ndërsa Nijaziu mësimdhënës i lëndëve Juridike në SHME “Marin Barleti” në Gjilan. Me Nijaziun kam punuar gjatë në shkollën e lart-cituar…

Ia kemi ngrënë bukën njëri-tjetrit në familjet tona… Unë isha më i moshuar se Nijaziu, ndaj respekti i Nijaziut ishte i pashmangshëm ndaj meje… Por, jo vetëm për shkak të moshës, edhe për shkaqe tjera… Nijaziu më respektonte e çmonte lart… Në çdo takim, qoftë të rastit, me Nijaziun nuk ngopeshim shkëmbime fjalësh, temash e motivesh të ndryshme… E di, ishte i etur për të biseduar bashkë dhe, sa herë që ka kërkuar të pinim kafe me të nuk jam larguar pa e pirë kafenë…

Ishte gjithnjë i prajshëm, gojë-ëmbël, i qetë, i pa imponueshëm, madje kishte dhe kulturë e njohuri të përgjithshme, pos përgatitjes profesionale për lëndët e Drejtësisë… Një kohë kishte ushtruar punë avokatie, mandej iu shmang avokatisë dhe iu kthye profesionit të ligjërimit në SHME “Marin Barleti”. Ishte i shkathët për përballimin e jetës materiale, kur Serbia e pezulloi financimin në gjuhën shqipe,jashtë programeve të imponuara dhe segregative të arsimimit dhe edukimit të shkollarëve tanë të rinj.

Shkuarja e Nijaziut është e hershme dhe, me përvojën e tij arsimore-edukative dhe profilin njerëzor, e varfëroi mjedisin tonë shkollor dhe shoqëror… Ai la pas një familje të edukuar dhe shkollare: qoftë gruan Fikreten, mësimdhënëse e lëndëve të lëmit të Drejtësisë, qoftë dy fëmijë të shkëlqyeshëm, të cilët janë në përfundimin e studimeve në Austri. I ndjeri fliste me krenari për fëmijët e tij, të dalluar në studime… Nijaziu doli nga një familje arsimdashëse, ngase babai i tij ishte arsimtar i përkushtuar dhe i nderuar… Gjithsesi arsimtari nuk kishte si mos të ushtronte ndikim për kahen edukative të birit dhe bijave të tij… I nderuari shok e mik: Nijazi Hoxha kujtimi Yt bëftë dritë!…

Fundamenti

QEMAJL JAKUPI (1954-2020)

Shumëkush mund të pandeh se akti i vdekjes së personit të vdekur, ia abstragon të gjitha bëmat e papëlqyera, andaj vjen shprehja e hershme latine: vetëm mirë për të vdekurit. Aq sa e kam njohur dhe si e njoha unë, Qamajl Jakupin, ai njeri, ai shok e mik, ai koleg pune kishte vetëm cilësi të mira! Cilësitë e mira mbizotëronin karakterin e Qemajlit. Qemajli ishte mësimdhënës i lëndës së Kimisë, kur punonim në Gjimnazin e përgjithshëm “Zenel Hajdini” në Gjilan. Pas përvojës relativisht të gjatë në rrjedha të mësimdhënies dhe të edukimit, ai do të merrte një rol tjetër, po ashtu i lidhur më arsimin, por veprimtaria e tij lidhej kryesisht me çështje të mbikëqyrjes së procesit edukativ-arsimor në fushë të zbatimit të ligjshmërisë së mësimdhënies e të mësim-nxënies, të përshtatjes së dokumentacionit me metodologjinë e mësimdhënies, sipas reformimit të plan-programeve shkollore të nivelit përkatës.


E di për Qemajlin, se veprimtaria që kryente ai, ishte me plot kërkesa administrative, ndonjëherë tejet të ndërlikuara dhe vështirë të përballueshme për t`i kapur volumet e punës në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit… Qemajli, jo njëherë, më ishte ankuar për vështirësitë, por punët sado të lodhshme i kryente me përgjegjësi. Ai ishte kuadri që kishte përgjegjësi dhe respekt ndaj punës dhe kolegëve në çdo mjedis… Besoj, të gjithë ata që e kanë njohur, pikërisht për të tillë e kanë çmuar. Të tilla shëmbëlltyra iu kanë dashur arsimimit tonë, karakterit dhe etikës sonë profesionale dhe edukative…
Asnjëherë, profesor Qemajl Jakupi, nuk ngurronte ta ndihmonte e këshillonte akëcilin koleg, kujdestar klase ose nxënës për problematikën që kishte të bënte me interesin e nxënësit, për nxënësit dhe shkollën…

Qamajl Jakupi arriti moshën e tretë pas pensionimit, mirëpo vdekja nuk i dha një mandat më të gjatë, të kënaqej me më të dashurit e vet, familjarë, miq e shokë… Ai la te të gjithë ata që e njohën një butësi njerëzore!…
Qoftë e pashuar drita e urtësisë të kolegut Qemajl Jakupi!
Gjilan, më 22 korrik 2020

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.