In memoriam, Begzad Ademi, veteran i arsimit nga Malësia e Bujanocit

Nga Sevdail Hyseni – Ndarja nga jeta e mësues Begzadit, ishte një hidhërim për gjithë ata, që e njohën për së afërmi, ose kishin dëgjuar për veprimtarinë e tij, arsimore, politike e atdhetare. Ai, ishte një burrë i urtë, fisnik e bujar, me tipare të një malësori të vërtetë.

Veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare

Në përvjetorin e 28-të të Referendumit, të 1 e 2 marsit të vitit 1992 dhe në prag të Ditës së Mësuesit, në moshën 71 vjeçare, u nda nga jeta mësuesi, pedagogu dhe veprimtari i devotshëm i kauzës sonë kombëtare Begzad Ademi, nga Muhoci, Malësia e Bujanocit.

Këto dy ngjarje nga më të rëndësishmet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk arritën ta gjejnë midis nesh, mësuesin tonë të dashur, për shkak të një aksidenti të shkaktuar me veturën e tij, në rrugën Breznicë-Tërnoc, nga u kthye i vdekur prej spitalit të Nishit.

Ndarja nga jeta e mësues Begzadit, ishte një hidhërim për gjithë ata, që e njohën për së afërmi, ose kishin dëgjuar për veprimtarinë e tij, arsimore, politike e atdhetare. Ai, ishte një burrë i urtë, fisnik e bujar, me tipare të një malësori të vërtetë.

Për t’i dhënë nderimet e fundit mësues Begzadit, në ditën e varrimit të tij, kishin ardhur miq e dashamirë të shumtë, personalitete të shquara nga jeta arsimore, politike e institucionale të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë nga rajoni. Në emër të kolektivit të Shkollës Fillore “Migjeni”, në Muhoc, një falim mortor e mbajti drejtori Sadik Demiri, si dhe u vendosën kurora lavdie mbi varrin e tij.

Begzad Ademi, lindi, më 26 mars të vitit 1949, në Muhoc, të Komunës së Bujanocit. Shkollimi fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, kurse Akademinë Pedagogjike në Shkup.

Fillimisht mësues Begzadi, u angazhua si punëtor i arsimit në Shkollën Fillore “Migjeni”, në fshatin e tij të lindjes në Muhoc. Pas 12 vjet përvojë pune, ai, përjashtohet nga procesi arsimor, kinse në mungesë të përshtatshmërisë moralo-politike, të cilën formulë e zbatonte ish sistemi komunist kundër kuadrove shqiptare në Bujanoc dhe rrethinë. Pra, ishin ngjarjet e vitit 1981, të cilat sollën pranverën e protestave shqiptare në Kosovë, me rastin e rrëzimit të autonomisë së saj dhe diferencimit ideopolitik të intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe në krahun e saj lindor të Luginës së Preshevës.

Me kaq nuk përfunduan sakrificat jetësore për mësues Begzadin, ai pas një varg ankesash nëpër gjyqe, arriti të kthehet në punë në cilësinë e punëtorit administrativ të shkollës, të cilën detyrë prej kontabilisti e ushtroi deri në vitin 2005.

Pas rrëzimit të ish regjimit komunist dhe lindjes së pluralizmit në Luginë të Preshevës, mësues Begzadi, u gjend në krye të proceseve demokratike, duke u bërë një zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Malësi të Bujanocit dhe më gjerë. Ndryshimi i rrethanave politike, solli në vend drejtësinë e nëpërkëmbur të mësues Begzadit, i cili njëzëri nga kolektivi i shkollës, prej nga u larguar dhunshëm, u emërua drejtor me mandatin deri në pensionimin e tij.

Mësues Begzadi, ishte bashkautor me Prof. Dr. Shefik Haliti dhe Adem R. Ademi, për hartimin e monografisë së Shkollës Fillore “Migjeni” në Muhoc, një libër shumë i qëlluar, i cili doli nga botimi me rastin e 65-vjetorit të themelimit të shkollës, vatër kjo që edukoi shumë breza shkollarësh deri në doktorë shkencash.

Gjithashtu, për shkak angazhimeve të pandërprera në shumë fusha të veprimtarisë shoqëroro-politike, Partia për Veprim Demokratik e emëroi për këshilltar komunal dhe anëtar të kryesisë partiake, për ta dekoruar në përvjetorin e 29-të të saj, gjatë vitit të kaluar, më 24 gusht 2019, me Mirënjohje për kontributin e tij si veprimtar i palodhshëm në promovimin e vlerave arsimore, kulturore, politike e kombëtare.

Shëmbëlltyra dhe personaliteti i mësuesit Begzad Ademit, do të shërbej si udhërrëfyes për brezat e tashëm dhe të ardhshëm, se si duhet të punohet dhe veprohet për të mirën e shoqërisë sonë, duke e kujtuar me respekt për njeri të mirë, të urtë, fisnik e bujar, karakteristikë kjo e burrave të Malësisë së Bujanocit./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).