RCCOLA

Importuesit e nëntokës e sjellin naftën ruse me letra të falsifikuara

/ 7 minuta lexim

Dogana e Kosovës po vazhdon të lejojë edhe më tej importimin e derivateve të naftës ruse, e cila po importohet nga disa kompani të naftës, duke i falsifikuar “letrat” se gjoja derivatet e naftës po vijnë nga Serbia apo Bullgaria.

DOGANA E KOSOVËS NUK E RESPEKTON VENDIMIN PËR EMBARGO NDAJ MALLRAVE RUSE

Dogana e Kosovës po vazhdon të lejojë edhe më tej importimin e derivateve të naftës ruse, e cila po importohet nga disa kompani të naftës, duke i falsifikuar “letrat” se gjoja derivatet e naftës po vijnë nga Serbia apo Bullgaria.

Sipas analistëve, kjo edhe është arsyeja se pikërisht prapa këtyre kompanive qëndrojnë figura të larta politike dhe të nëntokës, që Dogana realisht këto importe të naftës nga Rusia as që denjon t`i kontrollojë, bile për më tepër të tilla importe më së shumti për nga sasia zhdoganohen në terminalet doganore që dyshohet se janë të të inkriminuarve me nëntokën kriminale, siç janë vëllezërit Devolli. Por, Dogana e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës se pse po lejohet importi i tillë i pakontrolluar, siç nuk ka kthyer përgjigje as Shkëlqim Devolli, që është pronar i disa terminaleve Doganore. Ndryshe, sipas shënimeve zyrtare në Kosovë, të bëra publike më herët brenda një viti, importohen rreth 650 milionë litra të derivateve të naftës, kurse një pjesë e madhe e derivateve të naftës kontrabandohet.

Berjani: Masa urgjente ndaj kompanive që thyejnë bllokadën e BE-së ndaj Rusisë

Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën”Kosova Sot”, ka thënë se si shoqatë e naftëtarëve shprehin shqetësim pse Doganat e Kosovës po vazhdojnë që edhe më tutje të lejojnë importimin e derivateve të naftës ruse, ndonëse thotë se kjo sasi ka shënuar rënie. Ai thotë se embargoja e importimit të mallrave ruse duhet që të respektohet me përpikëri nga institucionet tona, sepse bëhet fjalë për një embargo të vendosur nga aleatët tanë, BE-ja dhe SHBA-ja. “Urgjentisht qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa ndaj këtyre kompanive bandisteske që nuk po i respektojnë vendimet për embargon e mallrave ruse, që i kanë vendosur BE-ja dhe SHBA-ja”, është shprehur ai.

Uji Dea

Analisti Ardian Nokaj thotë për “Kosova Sot” se tregu i derivateve të naftës kontrollohet nga mafio-oligarkikët, por shton se ajo që nevojitet tash është kërkesa se duhet të përgjigjen kush po lejon që nafta jocilësore nga Rusia po përfundon në Kosovë. Thotë se para ligjit duhet nxjerrë figurat politike që janë të involvuara në këtë krim ekonomik dhe kundër interesave shtetërore kombëtare.”Pyetja që shtrohet është se përse po hesht qeveria “Haradinaj” dhe deri kur kosovarëve do t`iu shitet nafta dhe derivatet e naftës ruse, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me vendim të Qeverisë. Deri kur Dogana do t’i mbyllë sytë para naftës ruse që po hyn me letra të “falsifikuara” dhe e njëjta po zhdoganohet përmes terminaleve doganore të lidhura me nëntokën, pra askush nuk i ngacmon nga pushtetarët”, është shprehur ai.

Guraziu: Prapa kompanive importuese janë figura të larta politike dhe të nëntokës

Analisti Ragip Guraziu theksoi për “Kosova Sot” se e tërë kjo punë e pistë dhe kontrabandë me derivate po bëhet dhe po lejohet, ngase pikërisht prapa këtyre kompanive qëndrojnë figura të larta politike dhe të nëntokës”. “Dogana realisht këto importe të naftës nga Rusia as që ka guxim që t’i ndalojë e t’i kontrollojë. Bile për më tepër të tilla importe më së shumti për nga sasia zhdoganohen në terminalet doganore të të inkriminuarve që janë të lidhur me nëntokën kriminale, siç janë vëllezërit Devolli”, theksoi ai.”Është për t’u brengosur se deri kur kosovarëve do t’u shitet nafta dhe derivatet e naftës ruse, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me vendim të Qeverisë. Kjo po ndodh ngase Dogana po i mbyll sytë para naftës ruse që po hyn me letra të “falsifikuara” dhe askush nuk ka guxim që t’i ngacmojë këto kompani për këtë kontrabandë që e bëjnë në formë ashiqare, kurse përgjegjësia nuk është askund dhe kjo mund të ndodhë vetëm këtu në Kosovë”, është shprehur Guraziu. Analisti Reshat Badallaj theksoi për “Kosova Sot” se shteti i Kosovës, deshëm apo nuk deshëm të pranojmë, është pa Zot shtëpie.”Banda serbiane me hapa shumë të shpejtë është duke bërë kërdi të paparë në Kosovë. Herët kemi thënë dhe e ripërsërisim se kjo bandë famëkeqe e ka kapur shtetin dhe është duke shkatërruar deri në palcë”, është shprehur ai.

Badallaj thotë se kjo bandë hajdutësh e kusarësh mbështetën fuqishëm banditët e kryebanditët jo vetëm të bandave politike, por edhe banditët e majave të larta të shtetit dhe mu për këtë bëhen symbyllur e vesh leshi edhe Prokuroria e Kosovës. Ai tutje ka shtuar:”Të gjithë janë të kapur në vallen e krimit. Banda famëkeqe serbiane, që quhet “Devolli”, është e lidhur ngushtë me kanalet më mafioze të nëntokës për të shkatërruar Kosovën, bëjnë çmos kundër shtetit dhe askush nuk i kontrollon”, është shprehur ai. Badallaj thekson se prapa naftës ruse pa dyshim qëndrojnë edhe miqtë e vjetër serbianë që quhen Devolli dhe sipas disa raporteve të kanaleve tona në vendin tonë importohen diku 650 deri ne 700 milionë litra derivate nafte, duke mos përfshirë fare atë të kontrabandës ilegale.”Përpos bandës serbiane “Devolli”, e ndërsyer dhe e përkrahur fuqishëm nga Serbia fashiste, nga kryebanditët dhe banditët e bandave politike, nga matrapazët e majave të shtetit, prokurorisë së shurdhur dhe gojë mbyllur, përgjegjësia në këtë krim bie edhe në dogana, por doganat janë vetëm kukull dhe janë të zaptuara nga mafio-oligarkët. Dhe, as që u intereson se a janë me letra të rregullta apo të falsifikuara, për ta nuk kanë rëndësi fare që shkatërrohet ekonomia e Kosovës”, është shprehur ai. Badallaj thotë se në këtë krim të organizuar kundër vendit tonë qëndron edhe klani famëzi “Pronto”. Mbajeni mend që herëdokurdo do të vihen para drejtësisë të gjithë kriminelët dhe banditët, kushdo qofshin, që kanë organizuar krim të organizuar kundër vendit. Në fund të fundit pse u dënua banda serbiane “Devolli” me 500.000 euro”, është shprehur ai.

Ndërsa Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’) theksoi për “Kosova Sot” se ajo që ndodhi në Bruksel është pasoja.”Arsyeja, shkaku, burimi i problemit janë diçka tjetër, janë diku tjetër. Për mungesë të informatave të sakta e të detajizuara, pa vullnet për të hipotetizuar temën dhe çështjen, nuk mund të jem vlerësues as pleqnar i denjë. Megjithatë, është mendim i përgjithshëm se Brukseli zyrtar si tepër shumë po e llaston Serbinë – sepse interesat i ka te Rusia, e cila është e detyruar të ruajë balancën diplomatike, gjeostrategjike e politikoushtarake me Rusinë. Në anën tjetër, pretendojmë se SHBA-të janë më të sinqerta e më korrekte në raport me Kosovën”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)