Fundamenti

Importi ra në zero, mallrat nga Serbia e Bosnja stërmbushin marketet

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Pushteti po përfiton nga politikat dhe vendimet populiste

“Qeveria, po deshi ta ndalë kontrabandën, ajo duhet që të merret me seriozitetin më të madh për aplikimin e këtyre masave ndaj Serbisë dhe Bosnjës, në mënyrë që mos të lejojë që të ketë rritje të kontrabandës dhe informalitetit në asnjë pjesë të Kosovës, që mund të bëhet përmes pikave doganore apo kanaleve të tjera alternative dhe rrugëve dytësore.

E them lirshëm se po pati vullnet, Qeveria jonë mund ta bëjë këtë, por si po duket dikujt nga pushtetarët tanë të lartë, që është i lidhur me bizneset mafioze, po i konvenon kjo situatë, sepse, si duket, dikush nga pushtetarët po përfiton para të majme, ndaj i kemi dyqanet plot mallra serbe e boshnjake”, thotë ligjëruesi i lëndëve ekonomike, Sejdi Halimi për gazetën “Kosova Sot”

Drejtues të dikurshëm të Qeverisë së Kosovës, deputetë të opozitës dhe analistë ekonomie vlerësojnë njëzëri se taksën e Qeverisë së Kosovës, që është vendosur tash e disa muaj ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, po e paguajnë qytetarët kosovarë.

Ndërkaq, edhe pse Doganat po deklarojnë se ka rënë importi nga Serbia e BH-ja, prapëseprapë tregu kosovar është i stërmbushur me mallra serbe e boshnjake. Deputetët e opozitës dhe analistët pyesin se si po mbushen marketet përplot mallra serbe, edhe pse në Doganat e Kosovës po deklarojnë se ka rënë dukshëm importi zyrtar nga Serbia dhe BH-ja. Së këndejmi, opozita dhe njohësit e kësaj fushe thonë se me kontrabandë, me monopole kriminale, me përgjysmim të rritjes së të hyrave buxhetore, me 1/3 rritje të trendit të shpenzimeve, me rritje të papunësisë e shumë skandale të tjera, nuk ka shans që të kemi zhvillim ekonomik, por do të kemi vetëm pasurim të mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetarët.

Mustafa: 100 për qind taksën po e paguan Kosova, e jo Serbia e Bosnja

Kreu i LDK-së, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se tarifën e kësaj qeverisjeje nuk po e paguan Serbia dhe Bosnja, por atë njëqind për qind po e paguan Kosova. Mustafa përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se, derisa Drejtoria e Doganave deklaron se importet nga këto vende kanë rënë 99 për qind, shitoret janë përplot me mallra serbe e boshnjake.

“Kështu thonë qytetarët! Ndërkaq, ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën-tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencive të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të Prokurorisë dhe Gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, në Kosovë, për më shumë se një vit, dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinion publik të mos merren me zhvillim ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë”, ka shpjeguar lideri opozitar. “Thuajse ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?! Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri- tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre”, ka thënë me bindje Mustafa. Veç saj, Mustafa ka thënë se nëse dikush nga koalicioni qeverisës e do këtë vend, derisa ka shtuar se nuk dyshon se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha, dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje.“Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje. Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse asgjë e mirë, përpos ushqimit të populizmit, nuk arrihet nën presion të tillë”, ka thënë Mustafa

Mafio-oligarkët po pasurohen nga kontrabanda

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu(PSD), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se tashmë të gjithë po e dinë se, edhe përkundër taksës së Qeverisë së Kosovës në kuotën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, në Kosovë po vazhdon edhe më tej kontrabandimi i mallrave serbe dhe atyre nga BH-së.

“Tashmë nuk e kam asnjë dyshim se e tëra kjo po bëhet me dijeni të pushtetarëve aktualë dhe mafio-oligarkëve që po e bëjnë këtë vetëm e vetëm për përfitime personale, andaj edhe po vazhdon kontrabanda me mallra serbe dhe boshnjake në Kosovë, edhe pse taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të BH-së mbetet në fuqi”, u shpreh ai. “Kjo ka bërë që vetëm në saje të kontrabandës që po bëhet me mallra serbe, mafio-oligarkët po pasurohen edhe me shumë dhe tërë haraçin e kësaj takse po e paguajnë qytetarët kosovarë, sepse kemi rritje të çmimeve në tregun vendor. Andaj, edhe kjo është arsyeja se përse edhe më tej marketet kosovare janë të stërmbushura me mallra serbe dhe boshnjake”, vijoi më tej Salihu.

“Nga kjo prani aq e madhe e mallrave serbe në Kosovë është një tregues se te pushtetarët nuk po ka vullnet për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e Qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase, sipas medieve, po thuhet se i tërë ky mall i kontrabandë po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën dhe nëpërmes rrugëve alternative”, vlerësoi ai. “Unë edhe një herë po e përsëris se nëse nuk ka vullnet të institucioneve për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e Qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe dhe atyre boshnjake, ngase në opinion e në medie po shkruhet e flitet se i tërë ky mall kontrabandë po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën dhe nëpërmes rrugëve alternative”, ka thënë Salihu.

Të ndalet krimi ekonomik

Ndërsa, deputeti tjetër i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi (LVV), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se taksa e Qeverisë sonë ka qenë e drejtë dhe si e tillë duhet të mbetet në fuqi deri në heqjen dorë të Serbisë nga destruktiviteti i saj në veri, ku Serbia e ka pushtuar atë pjesë dhe KFOR-i atje është formalisht.

RCCOLA

“Ndërsa futja e mallrave kontrabandë nga Serbia dhe BH-ja duhet që të pengohet, kurse vendimi për taksën duhet që të mbetet në fuqi. Apeloj tek qytetarët tanë që mos të blejnë produkte serbe, sepse me ato para po e fuqizojnë Serbinë dhe me ato para ajo po e shkatërron shtetin e Kosovës”, theksoi Kurteshi.

Kufiri në duart e kontrabanduesve

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën,”Kosova Sot”, thotë se nuk mund të dimë saktë sa është kontrabanda në këtë kohë, por mund të themi se ka pasur rritje. “Nëse kontrabanda dhe ekonomia joformale ka qenë 30 për qind, tani mund të themi se është rritur 40 për qind.

Produktet serbe dhe ato boshnjake janë duke u futur në forma ilegale nëpër pika të ndryshme jodoganore e që Doganat e Kosovës dhe Policia nuk mund t’i kontrollojnë të gjitha ato vendkalime, e për këtë e dinë edhe institucionet e shtetit, por bëhet sikur nuk e shohin. Përderisa institucionet e vendit nuk mund të kontrollojnë tërë brezin kufitar me Serbinë, në tregun e Kosovës do të ketë mallra serbe dhe boshnjake në vend. Unë e di një gjë se me kontrabandë, me monopole kriminale, me përgjysmim të rritjes së të hyrave buxhetore, me 1/3 rritje të trendit të shpenzimeve, me rritje të papunësisë e shumë skandale të tjera, nuk ka shans që të kemi zhvillim ekonomik, por do të kemi vetëm pasurim të atyre bizneseve që janë të lidhur me pushtetarët më të lartë”, u shpreh ai.

Biznesmenët mafiozë të ndalen

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, edhe pse zyrtarisht vitin e kaluar Qeveria u ka vënë taksë prodhimeve serbe dhe boshnjake nga 20 deri 100 për qind, përsëri nëpërmjet kontrabandistëve dhe biznesmenëve mafiozë, mallrat nga Serbia dhe Bosnja po hyjnë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe po shiten nëpër marketet kosovare.

“Andaj, politikanët tanë duhet urgjentisht ta gjejnë një mënyre për t’i ndaluar këta biznesmenë mafiozë që mos të sjellin më produkte nga Serbia dhe Bosnja në mënyrë ilegale duke i kontrabanduar. Prandaj, për këtë arsye i bëj apel kryeministrit Haradinaj që këtë taksë ta rritë nga 100 në 1000 për qind, ku me këtë rritje Serbia edhe Bosnja do të heshtin, kurse mafio-oligarkët së bashku me biznesmenët mafiozë do të çmenden”, u shpreh Grapci.

Propozohet një Task forcë

Eksperti dhe ligjëruesi i lëndëve ekonomike Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, me gjithë taksën e Qeverisë, është për t’u habitur se sa janë të mbushura marketet me plot mallra serbe dhe boshnjake, ndonëse botërisht dihet se i tërë ky mall po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën.

“Ndaj, ajo që ka nevojë imediat vendi ynë është që organet e shtetit që të formojnë task-forcë, që do të paralajmëronte të gjithë qytetarët dhe bizneset që kapen në flagrancë dhe tregti të zezë me Serbinë dhe BH-në për pasojat që do t’i kenë dhe dënimet drastike me burg në rast të thyerjes së kësaj takse shtesë ndaj Serbisë dhe BH”-së, u shpreh ai.

“Qeveria, po deshi ta ndalë kontrabandën, ajo duhet që të merret me seriozitetin më të madh aplikimin e këtyre masave ndaj Serbisë dhe Bosnjës, në mënyrë që mos të lejojë që të ketë rritje të kontrabandës dhe informalitetit në asnjë pjesë të Kosovës që mund të bëhet përmes pikave doganore apo kanaleve të tjera alternative dhe rrugëve dytësore. E them lirshëm se po pati vullnet Qeveria jonë mund ta bëjë këtë, por si po duket dikujt nga pushtetarët tanë të lartë, që është i lidhur me bizneset mafioze, po u konvenon kjo situatë, sepse, si duket, dikush nga pushtetarët po përfiton para të majme, ndaj i kemi dyqanet plot mallra serbe e boshnjake”, potencoi më tej Halimi. Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Doganat dhe ATK-ja duhet që të jenë shumë më azhurë në punën e tyre, sepse po u vazhdua me këtë kontrabandë do të ketë rritje të evazionit fiskal dhe informalitetit përmes të cilëve mund t’i bëhet një dëm i madh buxhetit të Kosovës.

Lexo edhe këtë: Ligji në duart e nëntokës, qytetarët i drejtohen Kanunit

“Andaj, veç pjesëve të tjera të vendit, në të gjitha rrugët ilegale dhe alternative duhet që vendosen Dogana dhe Policia kufitare dhe nuk duhet hezituar nga Qeveria të kërkojë edhe ndihmë nga trupat e KFOR-it”, u shpreh ai. Sipas Nezirajt, që të bëhet kjo duhet vullnet politik.

(Kosova Sot)