ARKATANA

IMF-të notojnë në miliona, kamatat si fajde

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

OJQ-të si banka, me status të pazgjidhur. Procedurat e thjeshta shtyjnë qytetarët të marrin kredi

Analistët financiarë theksojnë se duhet të ndodhë transformimi i këtyre institucioneve mikrofinanciare dhe të bien kamatat tri herë më të larta sesa të bankave komerciale

Burimet financiare të 18 institucioneve mikrofinanciare (IMF) në Kosovë janë të dyshimta dhe jotransparente‏, vlerësojnë njohësit e kësaj fushe. Sipas tyre, këto organizata ofrojnë kredi të vogla për individët, bizneset familjare me të ardhura të ulëta. Sipas raporteve të BQK-së, vlera e kredive në këto institucione ka arritur në mbi 75 milionë euro, por norma e interesit për kredi në këto institucione arrin në 23. 3 për qind, apo gati tri herë më të larta se në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë. Ekspertët thonë se kamatat nga institucionet mikrofinanciare janë jashtëzakonisht të larta dhe kërkojnë nga autoritetet kompetente, që të zbardhet prejardhja e mjeteve të tyre. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Zyrës së BQK-së , Ministrisë së Financave dhe Njësisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, se prej nga financohen këto 18 institucione mikrofinanciare me 113 njësi, si dhe a ka pasur ndonjë hetim për pastrim parash ndaj këtyre institucioneve, zyrtarët e tyre nuk janë përgjigjur. Përgjigje nuk kanë dhënë as institucionet mikrofinanciare, që u janë dërguar pyetjet rreth veprimtarisë së tyre dhe shkallës së kamatave.

FIDANISHTJA

Koncentrimi i kapitalit

Eksperti i financave, Xhevat Meha, tha se organizatat mikrofinanciare në Kosovë janë të regjistruara si OJQ. “Në bazë të ligjit, këto organizata nuk mund të shpërndajnë fitimin e krijuar, por këto organizata duhet që të ofrojnë shërbimet e tyre me kushte më të volitshme sesa institucionet tjera. Në fakt, këto organizata ofrojnë kredi me kamata shumë më të larta, në këtë mënyrë shkelin ligjin, në bazë të së cilit janë themeluar” , tha ai. Analisti Meha tha se ligji përcakton se këto organizata duhet që t’i ofrojnë shërbimet e tyre me personel të angazhuar për këto punë, mirëpo pagesa për këta të punësuar nuk duhet të jetë më e lartë se institucionet e tjera. Sipas tij, këto organizata, në fakt, ofrojnë paga më të larta sesa institucionet tjera, bankat për shembull.

“Përveç pagave të larta, këto organizata japin shpërblime të ndryshme në forma të beneficioneve, që në fakt janë shpërblime për punën e kryer. Të gjitha së bashku, pagesat që ofrojnë për të punësuarit si shumë gjithsej në të gjitha format është shumë e lartë, dhe me ofrimin e këtyre pagesave këto organizata po e shkelin ligjin”, u shpreh më tej ai. Profesori universitar, Mejdi Bektashi, konsideron se problemi kryesor në këtë fushë qëndron tek shkalla e koncentrimit, pasi tri institucione më të fuqishme mikrofinanciare kanë rreth 50 për qind të vlerës së tërë kapitalit të këtyre institucioneve. “Këto institucione kanë 113 milionë euro vlerë të aseteve, ndërkaq vetëm 75 milionë euro kanë të dhëna kredi, çka do të thotë se rreth 40 për qind e mjeteve nuk janë plasuar tek ekonomitë familjare, apo ndërmarrjet”, theksoi ai./kosova sot/