Mobi Casa

Imazhi i Kosovës është dëmtuar

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkon nga spektri politik kosovar që nëpërmjet dialogut ta gjejnë “shtegun” e daljes nga kriza, ndërsa zgjedhjet e parakohshme nuk i sheh si zgjidhje.

Në intervistë për gaztën “Zëri” Jahjaga shprehet e zhgënjyer me liderët politikë që nuk u treguan të gatshëm për zhvillimin e një dialogu të brendshëm konstruktiv.

Ndërkaq, ajo ka folur edhe për bllokimin e Kuvendit me gaz lotsjellës e dhunë. Presidentja ka theksuar se këto ngjarje kanë vazhduar të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Uji Dea

“Jam shqetësuar se si këto kriza të njëpasnjëshme dhe ky testim i skajshëm i demokracisë tonë po e lëkundin besimin e qytetarëve në institucionet, që duhet t’i përfaqësojnë interesat e tyre. Dhe pastaj, natyrisht, këto ngjarje kanë vazhduar të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, tashmë të rënduar për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit dhe sfidimit të rendit dhe ligjit. Qytetarët tanë duhet ta ndiejnë sigurinë që garanton një rend demokratik, një gjyqësor i pavarur, një politikë që përfaqëson interesat e tyre për ta. Ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë shtetin tonë vend ku gjeneratat e ardhshme mund të realizojnë vullnetin dhe ëndrrën e tyre.

E kam thënë edhe në fjalimin tim vjetor para Kuvendit që Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh. Dua po ashtu të them që qytetarët e Kosovës nuk na e kanë borxh të sillemi kaq papërfillshëm me të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Dhuna dhe përplasjet politike janë të papranueshme, aq sa është e papranueshme kur njerëzit e dënuar për krime të rënda e sfidojnë drejtësinë.

Zhvillimet dramatike në shoqëri, kriza politike e këtyre muajve, si dhe bllokada e vitit të kaluar e kanë penguar konsolidimin ndërkombëtar të shtetit dhe njëkohësisht edhe e kanë zbehur imazhin e vendit. Duke i goditur institucionet, përmes përplasjes politike, dhunës dhe arrogancës së ushtruar kemi dëshmuar papjekuri politike dhe paaftësi për të menaxhuar situatat e brendshme. Ne na duhet urgjentisht një dialog i brendshëm për të rivendosur konsensusin bazik për rrugën tonë përpara. Kjo rrugë nuk duhet të monopolizohet nga asnjë forcë politike”, ka thënë Jahjaga.