Ikja vazhdon
Ia mësyjnë shteteve tjera për të gjetur një jetë më të mirë. Qindra autobusë nisen brenda ditës për në Serbi ku udhëtarët janë të shumtë. Qytetarë të Kosovës, ku më së shumti dominojnë të rinjtë, por ka edhe gra dhe fëmijë nuk e shohin të ardhmen në Kosovë.
Ata po shesin çka po kanë dhe po e marrin botën në sy. Vetëm gjatë këtij viti afër 14 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në shtetet e Bashkimit Evropian, shkruan “Tribuna”.
Franca dhe Gjermania janë dy shtetet që kosovarët më së shumti po kërkojnë azil. Sociologët e sqarojnë se varfëria është njëra ndër arsyet kryesore dhe mosperspektiva e të rinjve. Hulumtimet tregojnë se pesimizmi është në rritje nga viti në vit.
Ministria e Punëve të Brendshme posedon me të dhëna të sakta për numrin e atyre që kërkojnë azil nëpër vendet e BE-së.
Drejtoresha për media në këtë Ministri, Roksana Qarri, tha se deri më tani afër 14 mijë njerëz kanë kërkuar strehim në këto vende. Sipas saj bëhet fjalë më së shumti për mosha të reja. “Informatat e sakta rreth grupmoshave nuk i kemi, por zakonisht bëhet fjalë për persona të moshës madhore, 18 deri 35 vjet”, tha Qarri.

