KKVITI

Ikja e mjekëve, fenomen që po vazhdon

/ 4 minuta lexim

Kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Megjithëkëtë, zyrtarë të lartë thonë se nuk ka statistika të sakta se sa mjekë punojnë në institucione shëndetësore jashtë Kosovës.Sipas zyrtarëve brenda Ministrisë së Shëndetësisë, janë të paraqitur rreth 150 mjekë specialistë, të cilët nuk kanë mundësi punësimi në vend.

Gjithashtu, edhe ikja nga sektori publik shëndetësor nuk mungon. Vetëm vitin e kaluar, shtatë mjekë specialistë e kanë lënë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për t’u punësuar në sektorin privat, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Pagat e mjekëve specialistë janë mbi 500 euro, derisa infermierët për punën e tyre paguhen rreth 300 euro në muaj, në sektorin publik, pohon zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare.

Gani Abazi, neurokirurg, nga Prishtina, ka shkuar në Amerikë për avancim të mëtutjeshëm profesional. Tash ai jeton dhe punon në Departamentin e neuro- kirurgjisë në një nga spitalet e Harvardit.

“Unë kam shkuar atje për studime të mëtejshme dhe pas përfundimit të magjistraturës, e kam parë të domosdoshme të specializoj në Amerikë.
Diferenca ndërmjet Kosovë dhe vendit ku punoj unë, në Amerikë, është shumë e madhe, në raport me monitorimin e kualitetit të procedurave, ekselencën klinike, sigurimet shëndetësore”.

“Në Amerikë është e protokolluar dhe jepet trajnimi më i mirë i mundshëm për mjekët, por në qoftë se nuk kryhet puna si duhet, atyre mjekëve u merret menjëherë licenca. Mendoj se është një lloj zinxhiri i përgjegjësisë, sepse ne kemi të bëjmë me jetën e njeriut dhe duhet të jemi përgjegjës edhe para ligjit, edhe para normave etike që janë në shëndetësi”, tregon Abazi.

RCCOLA

Por, ai thotë se me kohë do të kthehet në Kosovë dhe do të kontribuojë në sektorin e shëndetësisë.
“Patjetër se do të kthehem dhe të kontribuoj në ndërtimin e një qendre specialistike moderne të neurokirurgjisë në Kosovë dhe të inkorporoj politikat shëndetësore në kuadër të ekselencës klinike”, thekson Abazi.

Edhe Islam Miftari, mjek familjar dhe magjistër mbi substancat që krijojnë varësi te njeriu, jeton në Kanada. Ai bën dallimin ndërmejt pacientëve kosovarë dhe atyre kanadezë, të cilët janë të varur nga substancat narkotike dhe kanë nevojë për trajtim.

“Kam mbaruar magjistraturën në Kanada, atje dhe jam i specializuar në mjekësinë familjare. Kam punuar në Kosovë për shumë vjet dhe nëse bëhet krahasimi për trajtimin e pacientëve sa i përket substancave narkotike, janë të mëdha. Kushtet që janë në Kanada, janë të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, derisa këtu nuk ka as përafërsisht diçka të ngjashme për atë që pacientët kanë nevojë”, shprehet Miftari.

Ai Kosovën e sheh si vend me potencial për prevalencë të lartë të personave që përdorin substance narkotike.
“Numri i përdoruesve në Kosovë, është në rritje e sipër dhe do ta quaja një problem emergjent për shoqërinë kosovare për të bërë diçka. Ka çka punohet dhe ka hapësirë për t’u ofruar ndihmë këtyre personave. Arsyeja e zhvendosjes sime ka qenë edhe familjare, por po qe se më jepet rasti, do të kthehem dhe përvojat e mia nga Kanadaja, do t’i praktikoj në Kosovë”, shton Miftari.

Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se migrimi i mjekëve nga Kosova në vendet tjera, është fenomen që po ndodh.

“Kohëve të fundit ka një interesim më të madh dhe është evidente që pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë dhe pamundësisë që të inkuadrohen në programin e specializimit apo në punësim, opsion është edhe dalja nga Kosova dhe kërkimi i alternative tjera për ta”, deklaron Hoti.

Sidoqoftë, vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar se dukuria e shpërnguljes së kuadrit profesional nga Kosova në Evropë e më gjerë, ka bërë që ministria që ai udhëheqë, të marrë masa për adresim të këtij problemi.