Ikja e fuqisë punëtore, me pasoja në ekonominë e vendit

Për shkak të largimit me të madhe të qytetarëve tanë nga Kosova, qoftë me viza pune ku po bëhet më pas bashkimi familjar, qoftë edhe në mënyra të tjera ilegale, me të madhe ka filluar që të bjerë konsumi. Analistët e kësaj fushe dhe deputetë të opozitës thonë se ikja e madhe e kosovarëve nga vendi do të reflektojë në përkeqësimin e biznesit, ku sa më pak qytetarë, aq më pak do të ketë blerje.

Gashi: Vetëm në dy vjetët e fundit rreth 25 mijë qytetarë të Kosovës të moshës madhore e të aftë për punë kanë emigruar në Gjermani dhe rreth 4 mijë në Zvicër, dhe i gjithë ky kontingjent po ndikon ndjeshëm në uljen e konsumit

Për shkak të largimit me të madhe të qytetarëve tanë nga Kosova, qoftë me viza pune ku po bëhet më pas bashkimi familjar, qoftë edhe në mënyra të tjera ilegale, me të madhe ka filluar që të bjerë konsumi. Analistët e kësaj fushe dhe deputetë të opozitës thonë se ikja e madhe e kosovarëve nga vendi do të reflektojë në përkeqësimin e biznesit, ku sa më pak qytetarë, aq më pak do të ketë blerje.

Veç saj, analistët po tërheqin vërejtjen se ikja e qytetarëve do ta zhvendosë vëmendjen e tyre edhe te bizneset larg Kosovës, që e shohin si një vend që po fundoset ekonomikisht dhe një shtet që nuk ka të ardhme as për bizneset. Ekspertët janë skeptikë se largimi i të rinjve do t’i tkurrë edhe interesimet e bizneseve të huaja për të investuar në vendin tonë edhe për shkak të pakësimit të popullatës së aftë për punë. Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se problemi i ikjes se qytetarëve nga Kosova dhe rënia e konsumit ka qenë aktual në vitet 2014 dhe 2015. “Por, dukuria e largimit të qytetarëve nga Kosova në vitin 2017 dhe sidomos në vitin 2018 ka shënuar rënie të ndjeshme. Ndaj, sot mund të thuhet se qytetarët e Kosovës lëvizin jashtë vetëm nëse janë të pajisur me viza, kështu që nuk vërehet një rënie e konsumit”, u shpreh ai. Abazi thotë se, sipas analizave që janë bërë edhe pas liberalizimit që pritet të ndodhë nga fundi i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk do të ngarendin që të ikin jashtë. “Megjithatë, mund të ketë frikë se një numër i punëtorëve të kualifikuar do të gjejnë vende pune në Perëndim dhe kjo mund të shkaktojë kërkesa për rritje të pagave në sektorin privat, por në asnjë mënyrë nuk do të ndikohet në konsum, sepse diskrepanca do të kompensohet me rritje të pagave në sektorin privat”, analizon ai.

MANIPULIMI ME PUNËSIMIN “Jemi dëshmitarë se si po manipulohet me vendet e punës, në njërën anë Nisma Social Demokrate punëson çdo militant të vetin, duke mos përfillur as edhe një kriter elementar, gjithashtu edhe partitë e tjera pothuajse kanë mbushur bordet, Qeverinë, ministritë, komunat e universitetet me militantë, kurse edhe Komuna e Prishtinës po prin në punësime partiake, prandaj po ndodh kështu, ngase ky vend nuk të lë alternativë për të ikur apo për të jetuar”, u shpreh Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

DREJTËSIA AMNISTON KRIMIN EKONOMIK “Një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe gjykatat që personat me ndikim të lartë politikë dhe biznesmenët nuk po i dënojnë, por përkundrazi po i lirojnë. Ndërsa një pjesë e madhe e avokatëve janë bërë sikur qentë e rrugëve, të cilët mezi po presin që dikush t’i marrë e të kujdeset për ndonjë klient të tyre, që do të thotë se në vend që ata të jenë një dritë për qytetarin, ata shkojnë dhe ndjekin hallexhinjtë qytetarë, të cilët po i maltretojnë dhe po i shantazhojnë çdo ditë”, potencoi Dardan Grapci për “Kosova Sot”.

ZGJIDHJET POLITIKE, ME EFEKTE EKONOMIKE “Me zgjidhjen e problemeve politike me Serbinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së bërjes së biznesit, edhe përkundër rritjes së pagave në sektorin privat, investimet e huaja direkte do të rriten, sepse Kosova do të jetë pjesë e një tregu prej më shumë se 500 milionë banorëve”, tha Milazim Abazi për “Kosova Sot”

Pasojat e natalitetit dhe migracionit Eksperti i ekonomisë Naim Gashi, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se rënia e konsumit në Kosovë po ndodh nga nataliteti në rënie dhe nga migracioni që është jashtëzakonisht i madh. “Dhe, vetëm në dy vjetët e fundit rreth 25 mijë qytetarë të Kosovës të moshës madhore e të aftë për punë kanë emigruar në Gjermani dhe rreth 4 mijë në Zvicër dhe i gjithë ky kontingjent po ndikon ndjeshëm në uljen e konsumit”, u shpreh ai. Sipas Gashit, në momentin që të ulet konsumi, do të ulet edhe prodhimtaria vendore, pasi produktet nuk mund të shiten në sasinë e mjaftueshme dhe njëkohësisht ulen edhe taksat për shtetin, ngase sa më pak produkte që ne konsumojmë aq më pak taksa i paguajmë shtetit. “Ajo që është më e keqja është se gjeneratat që po largohen janë një forcë e punës që do të ndikojnë në frenimin zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së GDP-së (Bruto Produktit Vendor), në raport me vitet e kaluara. Institucionet tona duhet të forcohen në forcimin e sektorit privat, sepse vetëm përmes këtij sektori gjenerohen vendet e punës dhe përmirësohet konsumi i produkteve dhe shërbimeve”, theksoi Gashi. Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, sipas të dhënave zyrtare janë mbi 24 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës që kanë lënë vendet e tyre të punës, për një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian, ndërkaq janë po aq kosovarë që kanë ikur si pasojë e politikave të gabueshme qeverisëse tash e 19 vjet. “Ikja e kosovarëve do të sjellë pasoja edhe në ekonominë e vendit. Si pasojë e imigrimit shumë biznese veçse kanë filluar të ndiejnë krizën e ikjeve, gjithashtu nëse ky trend vazhdon konsumi i produkteve vendore do të ketë krizë serioze dhe shumë biznese do të detyrohen të gjejnë alternativa për të mbijetuar”, vlerësoi Beqiri.

Ekonomia e “haraçit”! Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se edhe pse shumë kanë ikur para dy vjetëve qytetarët e Kosovës, në mënyre të organizuar nga Prishtina në Beograd, ku aty e kanë vazhduar rrugën në mënyrë ilegale drejtë Hungarisë, sot shumë qytetarë janë të përgatitur për një ikje tjetër masovike nga Kosova. “Veç saj, gjithashtu edhe shumë studentë, mjekë, të rinj dhe të reja janë duke u larguar me viza punë dhe tashmë po punojnë në Gjermani, ndërsa ka edhe nga ata që po rrezikojnë në mënyrë ilegale ikjen e tyre nga Kosova, dhe tashmë po punojnë në të zezë në vendet e BE-së”, u shpreh ai. ” Kjo ikje masive do t’i kushtojë shumë Kosovës, dhe nëse Qeveria e Kosovës urgjentisht nuk ndryshojnë strategji, dhe nuk marrin masa paraprake për parandalimin e këtij eksodi të dytë masiv të qytetarëve, mendoj se deri në vitin 2020 Kosova do të ketë më shumë njerëz të moshuar e shumë më pak të rinj. Prandaj, bizneset në Kosovë nuk po kanë punë, ngase mafia dhe nëntoka po kontrollojnë çdo gjë, investitorëve të huaj po u kërkohet haraç, dhe doemos se shtrohet pyetja se si po mendojnë këta politikanë tanë që ta rregullojnë ekonominë me këto kërcënime”, vlerësoi më tej Grapci. Sipas tij, këtu ka faj policia që është kapur keq nga politikanët dhe mafiozët biznesmenë “të cilët në qoftë se ua prish tymin e duhanit ose të rrahin ose të vrasin”.

Skamje e madhe në Kosovë Ndërsa deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aspak nuk duhet që të çuditemi se përse ka filluar të bjerë konsumi i kosovarëve, ngase e tëra kjo po ndodh për shkak të largimit në masë të madhe të qytetarëve tanë të zhgënjyer nga pushtetarët e tashëm e të mëhershëm dhe mungesa e perspektivës për jetë në vendin tonë. “Qytetarët tanë nga skamja e madhe dhe varfëria e madhe që i ka kapluar, por edhe nga ajo që është më kryesorja,pra nga mungesa e perspektivës, qytetarët e veçanërisht të rinjtë tanë edhe nuk po zgjedhin mënyra dhe forma vetëm e vetëm që të ikin nga Kosova, duke e bërë këtë qoftë me viza pune të përkohshme, qoftë përmes bashkimit familjar, qoftë edhe në mënyra të tjera ilegale të ikjes nga vendi”, theksoi ai. Salihu është i mendimit se ikja e madhe e kosovarëve nga vendi doemos se me të madhe edhe do të reflektojë në përkeqësimin e biznesit, ku sa më pak qytetarë, aq më pak do të ketë blerje, ngase fundja ky është një rregull e ekonomisë së tregut. “E keqja më e madhe e kësaj ikjeje të qytetarëve tanë do të reflektohet se ikja e qytetarëve do ta zhvendosin vëmendjen e tyre edhe te bizneset që janë larg Kosovës, ngase ato e shohin Kosovën me sytë e tillë si një vend që po fundoset ekonomikisht dhe si një shtet që nuk ka të ardhme as për bizneset e tyre. Veç saj, ikja e të rinjve në masë të madhe nga Kosova do t’i tkurrë së tepërmi edhe interesimet e bizneseve të huaja për të investuar në vendin tonë edhe për shkak të pakësimit të popullatës së aftë për punë”, vijoi më tej Salihu. Ai apelon te qytetarët që të mbledhin mend e mos të votojnë këto koalicione që e çuan vendin buzë greminës dhe falimentimit ekonomik.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).