Ikin gjermanët

Biznese gjigande gjermane po ikin nga Kosova dhe po investojnë në vendet e rajonit, ku po krijojnë mijëra vende të reja të punës.
Vendin e investitorëve gjermanë në Kosovë po e zënë investitorët turq, të cilët tashmë kanë privatizuar asetet kryesore të vendit, përkatësisht rrjetin e distribucionit të energjisë elektrike dhe koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2013, investimet gjermane gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rënie drastike për më shumë se 56 për qind, përderisa investimet turke janë rritur për 33 për qind.
Largimi i investitorëve gjermanë nga Kosova po përcillet edhe me reagimet e kryetarëve të odave dhe ekspertëve të ekonomisë.
Ata vlerësojnë se Kosova ka sektorë të mjaftueshëm për investime, por problemet e shumta dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të mos e shfrytëzojnë kapitalin e tyre në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke u shprehur lidhur me situatën e krijuar ka shtuar se në Kosovë shumë më tepër flitet sa u përket investimeve të huaja sesa që bëhet për investime të huaja.
Gërxhaliu ka thënë se faji është tek kosovarët pasi që ata shumë më tepër duhet të bëjnë pyetjen çka bëjnë për investitorët e huaj sesa të merren me atë se çka do të investojnë të huajt në Kosovë. “Dhe në këtë drejtim e them me keqardhje, Kosova është shumë më tepër duke promovuar investime të huaja në rajon sesa ato të mbesin në Kosovë”, ka shtuar ai. Gërxhaliu po ashtu ka thënë se investitorët gjermanë gjithmonë kanë hasur në vështirësi. “Në rend të parë komunikimi, në rend të dytë perceptimi negativë për investitorin e huaj, dhe tërë ata njerëz i ka demotivuar dhe tani ata janë aktivë qoftë në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi”, ka thënë Gërxhaliu.
OEK: U largua edhe një kompani gjermane
Gërxhaliu po ashtu ka thënë se Kosova së pari nuk është atraktive për investitorët vendorë e pastaj edhe për ata të huaj. Sipas tij, vendet e rajonit kanë hartuar strategji agresive dhe marketing agresiv për të tërhequr investitorë të huaj. Gërxhaliu gjatë intervistës ka shpalosur edhe një detaj ku tregon se si një investitor enorm prestigjioz “Roland Berger” nga Gjermania, është tërhequr muajin e kaluar nga Kosova.
Kjo kompani kishte qenë fituese e një projekti për hartimin e strategjisë së shfrytëzimit të mineraleve dhe menaxhimit të minierave të Kosovës. “Dhe paramendoni, Agjencia Kosovarë e Privatizimit (AKP), pa bord të kompletuar, pa kryetar të bordit i cili funksionon vetëm në bazë të drejtorëve si ushtrues detyre, të cilëve çdo ditë u kalon afati, paramendoni ata e përjashtojnë një kompani të tillë”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka thënë se tani është koha të hartohet një planë dinamik apo një plan aksional ku dhe në çfarë forme do të qasen karshi investitorëve të huaj. “Të gjitha kompanitë më prestigjioze kanë qenë në Kosovë. Dhe paramendo në televizionet serbe promovohet një storie suksesi, ku një kompani gjermane për prodhime farmaceutike që i ka punësuar 492 punëtorë, dhe pyetja e gazetarit ka qenë: prej kah ideja për të investuar në Serbi, ai thotë: paraja ka qenë e dedikuar për Kosovë, por atje nuk pata me kë të bisedoj dhe mu nga kjo arsye jam kthyer dhe kam investuar në Serbi, ngase oferta ka qenë shumë më joshëse sesa ajo që kam hasur në Kosovë”, ka treguar Gërxhaliu.
OEGJ: Gjermanët nuk “mashtrohen” me konferenca
Kritik ndaj këtyre lëshimeve që kanë ndodhur me investitorët gjermanë në Kosovë, është shprehur edhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi.
Ai ka shtuar se për të ftuar investitorë gjermanë në Kosovë, nuk mjafton vetëm pjesëmarrja e institucioneve nëpër samite e takime, pa i përfunduar “detyrat e shtëpisë” brenda Kosovës.
Krasniqi ka thënë se Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve të Huaja, që vepron në kuadër të MTI-së, në të kaluarën kishte organizuar disa takime të tilla në Gjermani në emër të ftesës për investitorët e jashtëm. “Por pyetja është cilat janë rezultatet nga këto takime? A kemi shtim të investitorëve gjermanë pas këtyre takimeve? Statistikat nuk po na e tregojnë një efekt pozitiv të këtyre takimeve “formale“”, ka thënë Krasniqi. Ai po ashtu ka sqaruar se korporatat e mëdha që kanë shtrirje në shumë vende të botës, kanë një staf jashtëzakonisht profesionist dhe nuk mund të “mashtrohen” përmes konferencave të tilla.
“Garën se cili vend do ta bëjë ambientin më të përshtatshëm për këta investitorë do të duhet ta bëjmë me vendet e rajonit, sepse investitorët gjermanë nuk janë të lidhur emocionalisht vetëm për vendin tonë, kur kanë alternativa më të mira në vendet e rajonit”, ka shtuar Krasniqi. Ai po ashtu ka thënë se Kosova nuk guxon që me arrogancë dhe me papërgjegjshmëri t’i trajtojë ata kur të vijnë në Kosovë. Sipas tij, asnjë biznes serioz nga Gjermania nuk pranon “kushte të veçanta“ dhe shantazhe, nëse ka në plan të investojë në rajon. Krasniqi po ashtu ka thënë se nuk mund të ftosh investitorë të tjerë nëpër konferenca, nëse këta që kanë shprehur interesim dhe që dëshironin të investonin, nuk gjetën mikpritjen, ambientin e përshtatshëm dhe përkrahjen për investime. “Mendoj se po na ikën treni i fundit që të kthejmë interesimin e investitorëve gjermanë për tregun e Kosovës”, ka thënë ai.
Nga Kosova u larguan “RWE”, “AXOS”, “Roland Berger”,…
Për të investuar në Kosovë ia kishin mësyrë kompani të ndryshme me renome nga Gjermania, por ato ishin larguar pa investuar asnjë cent deri më tani. Vite më parë kompania gjermane e energjetikës “RWE” ishte interesuar të investojë në Kosovë, por ishte tërhequr mbrapa. Po ashtu kompania “AXOS” ishte interesuar për të privatizuar PTK-në, por edhe kjo kompani ishte tërhequr.
Një investitor tjetër prestigjioz “Roland Berger” nga Gjermania, është tërhequr muajin e kaluar nga Kosova. Kjo kompani kishte qenë fituese e një projekti për hartimin e strategjisë së shfrytëzimit të mineraleve dhe menaxhimit të minierave të Kosovës. Vetëm nga zonat industriale në lindje të Shkupit, janë vendosur disa kompani gjermane, të cilat më parë ishin interesuar të investojnë në Kosovë.
Në këto dy zona që nga viti 2009 është duke prodhuar edhe prodhuesi gjerman i pajisjeve elektronike për vetura, “Draexlmaier Automotive Eletronics”, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar që të instalohet në zonën Prishtinë-Fushë Kosovë, e të prodhojë të njëjtat aty për të punësuar 100+500 punëtorë vendorë. Po ashtu në këto zona janë edhe prodhuesit belgë të autobusëve, “Van Hool” në zonën Shkup 2, apo edhe prodhuesit e tjerë si “Johnson Controls” në Shkup, “Johnson Matthey” në zonën Shkup 1 etj.
Qeveria maqedonase tregoi qasje të veçanta ndaj prodhuesit gjerman i cili e braktisi Kosovën pas tre muajsh (korrik – shtator) dhe vetëm pas një viti arriti marrëveshje për të prodhuar në lindje të Shkupit të njëjtat prodhime. Në qershor të këtij viti, pronarët e “Draexlmaier Automotive Eletronics” shpallën edhe njoftimin për hapjen e linjës së dytë të prodhimit këtë vit, e për të rritur numrin e të punësuarve nga 4300 sish në 4900 deri në fund të vitit, me paga mesatare të vendit.
E njëjta ndërmarrje gjermane tashmë ka edhe dy linja prodhimi në Serbi sepse edhe atje, sikur edhe në Maqedoni ka gjetur gjuhë të përbashkët dhe interes për të prodhuar, por jo edhe në Kosovë dhe Shqipëri.
Kosova duhet të krijojë ambient miqësor për investitorët gjermanë
Njohësi i çështjeve ekonomike, Labinot Hashani, thotë se me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor, i kanë bërë investitorët të hezitojnë të investojnë në Kosovë. “Gjithnjë do të mbetet obligim për forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, joformalitetit në ekonomi dhe gjithnjë do të jetë e nevojshme që Kosova ta përmirësojë sistemin e qeverisjes në të gjitha nivelet, sepse vetëm vendet që krijojnë ambient miqësor, mund të llogarisin në fluksin e investimeve”, shprehet Hashani. Ai gjithashtu ka thënë se në Kosovë shumë pak bëhet për zhvillim ekonomik dhe për përmirësim të ambientit biznesor e në veçanti në tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Derisa në Kosovë humbet kohë në kërkim të arsyeve për dështim, të tjerët gjejnë rrugë për të arritur synimet e zhvillimit ekonomik. Duhet të mësojmë nga të tjerët dhe përvojat e të tjerëve në këtë drejtim e besoj që qasja e Maqedonisë në këtë drejtim duhet të analizohet fare mirë nga të gjithë ne”, ka shtuar Hashani.