IKD: Gjykata Speciale, e ashpër ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e me proces gjyqësor të ngadaltë

Gjykata Speciale për Krime Lufte në Hagë, po tregohet më e ashpër sesa që duhet në raport me vazhdimin e masës së paraburgimit të ish krerëve të UÇK-së – vlerëson Instituti i Kosovës për Drejtësi, ndërsa thekson se bazuar në faktet, procesi gjyqësor kundrejt ish krerëve të UÇK-së, mund të fillojë nga shtatori i vitit të ardhshëm.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se masa e paraburgimit caktohet në kushte kur ka dyshim të bazuar se personat që janë në paraburgim, mund të ndikojnë në dëshmitarë, apo në rrethanë tjetër, mund të mos i përgjigjen ftesës për gjykim nga ana e Gjykatës.

“Edhe përkundër faktit që po flasim për vepra penale të cilat janë shumë serioze, standardet që promovojnë të drejtat dhe liritë e të pandehurve në procedurë penale, kërkojnë që kjo masë të caktohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, pasi që personat që po mbahen në Hagë mund të lirohen nga policia penale, atëherë koha e kaluar në paraburgim apo privimi nga liria është një masë që pastaj nuk mund të kompensohet”, tha ai.

Miftaraj konsideron se procesi gjyqësor është duke shkuar shumë ngadalë.

Sipas tij, do të shkojnë muaj të tërë, deri të kalohet në shqyrtim kryesor.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë qenë shumë më të ashpër me prokurorin, duke kërkuar që prokuroria të ofrojë dosjen të ana e avokatëve në mënyrë që të kalojë shqyrtimi kryesor. Mbrojta ende nuk e ka kohën e duhur siç e përcakton edhe ligji, këtë vit pothuajse është e pamundshme të fillojë shqyrtimi kryesor, ky afat do mund të vazhdojë deri në shtator të vitit të ardhshëm”, shtoi ai.

Ndërsa, profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë për Radio Kosovën se politikisht mund të ushtrohet presion ndaj autoriteteve të gjykatës që të respektojnë rregullat ligjore, e në mënyrë të veçantë, të mundësojnë një gjykim të shpejtë, të drejtë e të paanshëm.

“Janë jo vetëm shkelje e Kushtetutës dhe legjislacionit të Kosovës, por edhe shkelje e të drejtave të Konventave Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtës Ndërkombëtare Penale, që nga mbajtja në arrest pa kurrfarë nevoje e deri te shkeljet procedurës në radhë të parë nga gjyqtari paraprak”, tha Bajrami.

Ndryshe, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së që po qëndrojnë në paraburgim në Hagë kanë kërkuar që të akuzuarit të mbrohen në liri dhe për këtë i janë drejtuar Policisë së Kosovës për t’i ofruar garanci. Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, pretendohet se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim, për çka edhe u është vazhduar masa e paraburgimit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS