RCCOLA

IKD: Dështimi i shtetit ndaj rastit “Kobra”, të gjitha dënimet me kusht ose me gjobë për veprat penale deri në 10 vite burgim

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të enjten ka publikuar analizën “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”, ndërsa thuhet se Dibran Hoxha, i dyshuar për vrasjen e një 31 vjeçari ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë, ndërsa të gjitha ishin dënime me kusht e me gjobë dhe në asnjë prej aktgjykimeve nuk ishte dënuar me burgim efektiv.

IKD thekson se sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, më 3 janar 2023, dyshohet se pas konfliktit lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve në lokalin “Kobra City”, një 31 vjeçar gjeti vdekjen, e derisa një tjetër u plagos.

“Deri të vdekja e 31 vjeçarit dyshohet se erdhi nga arma që u shkrep nga një recidivist i veprave penale, Dibran Hoxha apo siç njihet me pseudonimin ‘Kobra’, thuhet në analizën e IKD-së.

Në analizën e publikuar thuhet se IKD, përmes platformës “Betimi për Drejtësi” në shkurt të vitit 2022, kishte raportuar se Hoxha ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në media proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur.

IKD përmes kësaj analize, bënë të ditur se nga 16 aktgjykimet e analizuara rezulton se i njëjti ishte dënuar me dënime me kusht e me gjobë dhe në asnjë prej aktgjykimeve nuk ishte dënuar me burgim efektiv.

“Derisa ndër veprat për të cilat është dënuar më shumë se dy herë është vepra penale e armëmbajtjes pa leje. Por, se këto dënime nuk do ta ndalonin të njëjtin që të posedonte sërish armë, dhe të kryente vepër penale më të rëndë, si ajo e privimit nga jeta të një personi, ashtu siç po dyshon Prokuroria Themelore në Prizren”, thuhet në analizën e IKD-së.

Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist.

RCCOLA

Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxha, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim.

“Sipas IKD-së rasti ‘Kobra’ është rast i pakontestueshëm dhe shembull, në të cilin sistemi i drejtësisë, ka dështuar të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e njëherësh ka dështuar të mbrojë shoqërinë nga një kryes i veprave penale, përmes politikave ndëshkimore joadekuate, respektivisht përmes dënimeve me gjobë e me kusht të një pas njëshme, me ç’rast si rezultat i mosveprimeve në rehabilitimin e një kryesi recidivist të veprave penale nga ana e sistemit të drejtësisë, një person është privuar nga jeta”, thuhet më tej.

Tutje, IKD përmes kësaj analize thekson se në shtetet demokratike, ku sundon ligji, në mënyrë të pavarur dhe paanshme, ku integriteti i sistemit të drejtësisë mbrohet skajshëm, në rrethanat e rastit “Kobra”, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), do të duhej të alarmoheshin nga dështimi i sistemit të drejtësisë, në parandalimin e një recidivisti nga kryerja e veprave penale dhe mbrojtja e të drejtës themelore, të garantuar në çdo shoqëri demokratike, që është jeta e një personi. Sipas IKD-së, deri më tani këto fatkeqësisht, deri më tani, as në këtë rast nuk kanë reaguar këto institucione, ngjashëm siç nuk kishte reagim institucional adekuat as në rastin e vrasjes së Saime Domazetit.

Në analizën e publikuar thuhet se recidivizmi i vazhdueshëm i tij nuk kishte ndikuar që ndaj tij të merren masa më të ashpra dhe Hoxha të mos ketë qasje në armë.

“Me këtë rast, institucionet e drejtësisë, duhet të sqarojnë për publikun se si është e mundur që një recidivist i kësaj vepre penale, sërish përfundon me qasje në armë përmes së cilës dyshohet se është kryer një vepër e rëndë penale, si privimi i një personi nga jeta.

IKD në këtë analizë ka theksuar se situata të tilla, do të duhej të ishin alarmante, në drejtim të mbajtjes përgjegjës të gjithë personave zyrtar, të cilët me mosveprimin apo veprimin e tyre, nuk i përmbushin obligimet dhe përgjegjësitë e tyre që burojnë nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe atribuojnë në një klimë, ku persona me të kaluar voluminoze kriminale gjenden në liri dhe me lehtësi promovojnë krimin dhe kryejnë vepra penale.

Të gjitha këto sipas IKD-së në sy te institucioneve që përgjegjësi kanë parandalimin, hetimin dhe dënimin e kryesve të veprave penale. Institucionet kanë zgjedhur të heshtin dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në gjetjen e përgjegjësve në këtë hallkë dështimi të institucioneve”, thuhet në analizë. /Telegrafi/