Igli Tare: Tifozët më kërcënuan familjen

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Nuk ka paqe për Lazion dhe drejtorin sportiv, Igli Tare. Dështimi i bisedimeve për blerjen e mbrojtësit Davide Astori që nënshkroi për rivalët e Romës, ka rritur tensionin në ambientin bardhekaltër ku tashmë nuk debatohet më vetëm për çështjet sportive.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Il Tempo”, Tare shprehet i zhgënjyer për dështimin e bisedimeve me Cagliarin, por shton se tensioni është rritur pasi në adresë të familjes së tij kanë ardhur kërcënime me vdekje.

Zemërimi i tifozëve ka arritur deri në atë pikë sa ta detyrojnë ish sulmuesin e kombëtares shqiptare të ndryshojë edhe numrin e telefonit për shkak të kërcënimeve.

Tonet mes tifozerisë dhe drejtuesve kanë qenë pothuajse përherë të larta dhe në këndvështrimin e Tares, kjo është pjesë e profesionit, por muajt e fundit, situata ka marrë tatëpjetën. Në muajin Janar, shitja e brazilianit Hernanes shërbeu si shkëndijë dhe numri i telefonit të Tares përfundoi në internet.

Uji Dea

Rreth 2 mijë mesazhe, shumica kërcënime në adresë të tij dhe familjes, por policia nuk i çoi përpara hetimet. Me ndryshimin e numrit, situata filloi të ndryshonte dhe drejtuesi nga Shqipëria e shpërndau vetëm në një rreth të ngushtë miqsh, por pas konfrontimit me tifozët në Auronzo di Cadore, rinisën telashet.

Sipas tij, mesazhet filluan sërish, madje shkuan edhe më tej duke telefonuar bashkëshorten. Në këtë pikë Tare bëri një denoncim. “Është e pabesueshme se si në një vend si Italia, privatësia nuk mbrohet. Jam i detyruar të ndryshoj sërish numër, por nuk është një gjë e lehtë sepse ma komplikon shumë punën. Kam shumë probleme por më shumë më vjen keq për ato që i thuhen familjes time”, thekson 41-vjeçari për të përditshmen italiane.

Një histori e trishtë që po i kalon kufijtë sportiv, por Igli nuk pranon të dorëzohet, ai e mbyll intervistën me konfirmimin se do të vazhdojë të punojë në Romë për të finalizuar projektet që ka hartuar bashkë me presidentin Claudio Lotito.