FIDANISHTJA

Idriz Gjilani: I vëllazëruar me shqiptarët, por kurrë me serbët

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nga Fitim Rifati – Sentencat janë mendime filozofike të shprehura në pak fjalë, që përmbajnë një të vërtetë jetësore në përmasa e aspekte të ndryshme. Në anale të historisë, historiografisë, folkloristikës, religjionit dhe kulturës shqiptare, veç tjerash, me lakonizmin e tij ka hyrë edhe Idriz Gjilani, personalitet i shquar dhe poliedrik shqiptar. Janë të shumëllojshme sentencat e tij, por spikasin ato mbi trinominë e mbijetesës së popullit shqiptar, si: atdheu, kombi dhe lufta, që u bënë të njohura para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën sa Idriz Gjilani ishte figurë qendrore dhe lider popullor, ushtarak, fetar, arsimor e shpirtëror i shqiptarëve.

I. A T DH E U

Idriz Gjilani tërë jetën e tij e kishte preokupim kryesor atdheun. Në konceptin e tij, nocioni i atdheut zbërthehet si segment universal i jetës në trungun etnogjeografik. Tërësia territoriale në të cilën struktura shoqërore, organizative, kulturore e arsimore frymon e funksionon shqip, sipas pikëpamjeve realiste të Idriz Gjilanit përbën atdheun. Ai ishte plotësisht i bindur se gjuha dhe religjioni i shërbejnë atdheut dhe bashkimit të tij. Në sentencën e njohur: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot – dhe – Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut, të kufirit të Shqipërisë… përballë armikut shekullor”, Idriz Gjilani shpreh një përkufizim metafizik. Së pari, e vë atdheun në rend të parë si vlerë autoktone dhe detyrë unike për shqiptarët. Së dyti, minon e shuan propagandën fetare dhe pretendimet për përçarjen e shqiptarëve mbi baza të saj. Në këtë kontekst, atdheu sendërtohet dhe merr vend superior e diakritik në sentencën: “Nuk ka fe pa atdhe”. Prandaj, në këndvështrimin e Idriz Gjilanit, shqiptari nuk duhet t’i dorëzojë armët, por duhet të luftojë e të therorizohet për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut. Sipas tij, lufta e shqiptarëve është përpjekje, sakrificë dhe e drejtë historike, natyrore e shoqërore. “Humbë vetëm ai popull që nuk lufton për atdheun e vet”, konstatonte ai në një maksimë tjetër kushtuar atdheut.

Idriz Gjilani njihte konfiguracionin e kufijve historikë, etnikë dhe politikë të Shqipërisë. Trashëgimia territoriale, e tkurrur në vargonjtë shekullorë, është komponentë themelore në ruajtjen e saj dhe pengimin e procesit të copëtimit të trojeve shqiptare. Sipas tij, të mbrosh kufijtë e Shqipërisë prej 74000 km2 dhe të flijohesh për lirinë e tyre konsiderohet pavdekshmëri, ndërsa të mos punosh e të mos luftosh për bashkimin e Shqipërisë është tradhti. Për këtë arsye, vetëmohimi për Shqipërinë etnike niste nga shembulli personal i Idrizit: “Njëqind vjet t’i kisha jetë, të gjitha kam për t’i kaluar kaçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë”. Përgjithnjë, sipas Idriz Gjilanit, rruga e vetme për lirinë e atdheut kalonte nëpër homogjenitetin, koherencën dhe unitetin e plotë midis shqiptarëve.

II. K O M B I

Kombi si bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike, të formimit psikik dhe afirmimit kulturor, është kategori e njohur në mendimin intelektual të Idriz Gjilanit. Mirëpo, shkalla e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, në diskursin politik të kohës kur jetoi dhe veproi ai, kishte nivel të pamjaftueshëm për t’i rezistuar platformave shoviniste e asimiluese të pushtuesit të huaj. Idriz Gjilanin veçanërisht e shqetësoi në masë procesi i emigrimit të shqiptarëve drejt Turqisë e Shqipërisë ndërmjet dy luftërave botërore. Rrjedhimisht, vetëdija për përkatësinë kombëtare ishte thelbësore për shqiptarët e Kosovës. Turmave popullore që kishin marrë rrugën e emigrimit iu tërhiqte vërejtjen: “Ju nuk jeni as myslimanë e as shqiptarë! Kurrë nuk do të bëheni Turq! Ktheni kaparet (paradhëniet, F.R) e tokës dhe qëndroni me pushkë e sëpata në dorë!”.

Ai konsideronte se ndaj kombit ngarkohej me përgjegjësi historike secili shqiptar që braktiste varret e paraardhësve të tij.

Në vizionin për të ardhmen e Shqipërisë etnike, Idriz Gjilani theksonte: “…Bashkimi i Shqipërisë… është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”. Në funksion të këtij ideali irredentist ai ngarkoi me përgjegjësi edhe klerikët e prijësit religjiozë, që liturgjitë dhe predikimet fetare t’i kryenin në gjuhën shqipe; në gjuhën amtare të shqiptarëve. Mirëpo, dy faktorë relevantë që ai vuri në spikamë për të ardhmen e bashkimit kombëtar, kishin të bënin me divergjencat dhe konvergjencat që përcaktonin procesin e këtij akti. Së pari, sentenca në formë porosie: “Nëse nuk mund të ndihmosh, mos shkatërro atë që na e fali koha dhe puno që shtëpisë t’i vihet kulmi”, i adresohej heshtjes së sabotatorëve dhe kundërshtarëve të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Së dyti, duke llogaritur se kombi serb ishte armiku historik i kombit shqiptar, nënvizonte: “I vëllazëruar me shqiptarët, por kurrë me serbët”. Në këtë kontekst, Idriz Gjilani aludonte në bashkëpunimin e elementëve komunistë shqiptarë si aleatë politikë e ushtarakë me komunistët serbo-sllavë, që qe përcaktues i çështjes së bashkimit kombëtar. Mirëpo, për Idriz Gjilanin ideja e bashkimit kombëtar ka karakter doktrinar. Ajo “duhet të ruhet edhe me sakrifica mbinjerëzore, duke bërë theror veten, fëmijët, familjet dhe miqtë”.

FIDANISHTJA

III. L U F T A

Lufta e armatosur, si fenomen diakronik shoqëror dhe ushtarak, që zhvillohet ndërmjet forcave kundërshtare gjatë një vargu betejash, është aksiomë profesionalisht e njohur për Idriz Gjilanin. Ai, ndeshjet e armatosura i përjetoi si i ri, ndërsa arti i luftës përgjithësonte përvojën e tij nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Lufta ishte rruga e vetme për liri. Idriz Gjilani e ndjeu peshën e detyrës së komandantit ushtarak të forcave vullnetare për të mbrojtur kufirin e Shqipërisë etnike nga depërtimi i forcave agresore armike. Për këtë arsye ishte i vetëdijshëm dhe u përgatit që detyrën ushtarake ta kryente me ndershmëri. Kësisoj, Idriz Gjilani profilizoi mënyrën dhe metodat e luftës, për të unifikuar dhe kompaktësuar radhët e vullnetarëve në frontin e kufirit.

Për të kishte rëndësi të madhe përsosmëria, vigjilenca, trimëria dhe guximi për të luftuar i vullnetarit të armatosur. Nuk dëshironte tradhtinë, neglizhencën, sabotimin, tërheqjen, plaçkën e dhunën ndaj armikut. Një ndër sentencat mbi luftën, që ngërthen burimin e mendimit të tij analitik, drejtuar e proklamuar shpesh ushtarëve, ishte: “U është e lejuar lufta atyre që sulmohen. Të rreptë në luftë, por të ndershëm e zemërbutë me robërit dhe familjet e armikut”. Vetëmohimi ishte kulm i therorizimit. Në këtë kontekst, nën prizmin e tij, sentencat mbi luftën zbërthehen deri në imtësi. Vdekja ose rënia në altarin e trupit të atdheut ishte akti më i admirueshëm për Idriz Gjilanin. “Ai që vdes për atdhe është djalë i merituar, është i dashur i Perëndisë. Ai është dëshmor. Pa atdhe të lirë nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as parajsë”, është një maksimë afirmative e Idrizit, pohuar shpesh në fronte të luftës e mjedise të shoqërisë shqiptare.

Ai përkufizoi edhe rangun e dëshmorit. Sipas tij “dëshmor bëhet vetëm ai që ka fatin të goditet nga ana e përparme, në ballë”. Si drejtues i forcave vullnetare të armatosura, veçonte mobilizimin mendor e emocional të ushtarakëve, duke këmbëngulur që ushtria armike të mos lejohej të depërtonte në tokat shqiptare pa kaluar më parë mbi trupat e tyre. Për këtë arsye tërhiqte vërejtjen: “Asnjë minutë nuk guxojmë për t’i mbyllur sytë para fatkeqësive që na kërcënohen. Vigjilenca është kusht për fitore, kurse pakujdesia është hap në tradhti.”. Ai nënvizonte se fitorja e luftës qëndron në disiplinën e përgjithshme, në ndershmërinë, në moralin shqiptar dhe në bindjen ushtarake të luftëtarëve ndaj hierarkisë së udhëheqësve të grupeve luftarake.

Për të, mbrojtja e popullit dhe e vatrës nga dhunues e pushtues, është detyrë e shenjtë. Specifikonte pozitat strategjike që befasonin forcat e armikut dhe nuk dëshironte gabime e as përsëritje të tyre. “Përsëritja e gabimeve ka përgjegjësi para historisë”, u thoshte shpesh ushtarakëve. Në perceptimin e tij për luftën, rezultatet dhe konkluzionet e saj, pa dyshim, ndër sentencat dhe botëkuptimet më vizionare, veçohet: “…Gjaku ynë ka për të qenë argument për kërkesat tona historike dhe armë për luftën e bijve tanë, që u lindën në kohën e këtyre luftërave për Shqipërinë etnike”.

Për sa më sipër, sentencat e Idriz Gjilanit në trinominë piramidale <>, janë mendime të avancuara, iluministe dhe vlera kombëtare, që i kanë shërbyer si frymëzim forcave liridashëse shqiptare për realizimin e aspiratave historike. Afishimi i tyre nëpër institucione arsimore, universitare, shkencore, politike, ushtarake, fetare e artistike, do të shërbente si fanar ndriçues mbi ndërgjegjen kolektive./rajonipress/

(Kumtesë e prezantuar në Gjilan, më 19 janar 2019, në Tryezën Shkencore kushtuar 70-vjetorit të martirizimit të Mulla Idriz Gjilanit, organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” 2019)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.