Ibrahimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe: S’guxon të shpërfillet vendimi i Kushtetueses

Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nëse krijohet në bazë të direktivave që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese do t’i mbrojë interesat e komunave.

Sipas tij, nëse nuk përfillet kërkesat e Kushtetueses mund të ndodh që të ketë një nivel të ri qeverisës, i cili nuk do të duhej të ndodhte në Kosovë sepse ajo do të bie ndesh me Kushtetutën.“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nëse krijohet në bazë të direktivave që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese po besoj që do të kemi një organizatë e cila do t’i mbrojë interesat e komunave. Në bazë të eksperiencave nuk kemi hasur në një Asociacion, i cili mund të ketë një rol tjetër përveç përfaqësimit dhe ruajtjes së interesave të komunave pa marrë parasysh përkatësinë politike apo etnike”.

“Ne po shpresojmë që gjithçka të ndodhë në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse një mekanizëm i tillë do të ketë vetëm një kompetencë atëherë nuk do të jetë i njëjtë me Asociacionin e komunave të Kosovës pra do të ketë një rol tjetër e cila mund të na dërgojë në krijimin e një strukture të re qeverisëse e cila në Kosovë nuk ka ekzistuar”.

“Ka mundësi nëse nuk përfillet kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të kemi një nivel të ri qeverisës, i cili nuk do të duhej të ndodhte ne Kosovë sepse ajo do të bie ndesh me Kushtetutën. Ne po mendojmë që gjithçka që është rekomanduar apo është dhënë nga Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet në plotni dhe nëse respektohen kërkesat e Gjykatës Kushtetuese nuk do të duhej të kishim ndonjë problem”, tha Ibrahimi.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS