Ibrahimi, Kurtit: Kosova nuk rrezikohet nga lufta, por nga një krizë ekonomike dhe një kolaps energjetik

Edhe analisti politik Ilir Ibrahimi, ka komentuar deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha për median italiane të hënën se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një shkrimi në Ibrahimi tha se Kosova nuk rrezikohet nga lufta, por nga një krizë ekonomike dhe një kolaps energjetik.

“Të dyja këto kërkojnë menaxhim dhe lidership dhe nuk mund të tejkalohen me gjuhë luftënxitëse” u shpreh ai.

Ibrahimi po ashtu përmendi shkuarjen e Kurtit në festivalin “Sunny Hill”, për të cilin tha se nuk e kupton kryeministrin se si mund të bëjë dy veprime që nuk shkojnë njëra me tjetrën.

“Nuk e kuptoj se si kryeministri në të njëjtën ditë mund të deklarojë se vendi kërcënohet nga lufta, dhe ndërkohë në mbrëmje të shkojë dhe të vallëzojë në një festival ndërkombëtar, i cili përveç të rinjve kosovarë, ka sjellë edhe vizitorë nga mbarë bota”, u shpreh ai.

Tutje theksoi se, deklarimet e Kurtit mund të kenë efekt jo të mirë tek qytetarët si dhe në arenën ndërkombëtare.

“Deklarimet e kryeministrit merren seriozisht sepse supozohet se ai ka informata të dorës së parë. Ato kanë efekt te qytetarët por edhe në arenën ndërkombëtare, si te vizitorët, ashtu edhe te investitorët”.

“Nëse do të kishte ndonjë rrezik lufte, reagimin e parë për ndonjë mobilizim do ta kishte bërë KFOR. Një gjë të tillë nuk e kemi parë”.

“Atëherë pse bëhen këto deklarata nga kryeministri kur dihet që ato kanë vetëm efekte negative, sidomos kur janë të pabaza”, deklaroi Ibrahimi.

Ndërkq, edhe të hënën pati reagime të opozitës kundrejt deklaratës së Kurtit. Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS