“Ibrahim Rugova” përkrah Thaçin

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Drejtuesit e Listës “Ibrahim Rugova”, duket se ka ndarë mendjen që në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ta mbështesin partinë e kryeministrit Hashim Thaçi dhe jo Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës.

Edhe pse njëri nga themeluesit e kësaj liste, zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, ka deklaruar ditë më parë në mënyrë të hapur se do të përkrahë LDK-në e Mustafës për t’i fituar zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, megjithatë duket se gjërat kanë ndryshuar në hierarkinë partiake.

Njëri nga zyrtarët e Listës “Ibrahim Rugova” i ka deklaruar gazetës “Zëri” në kushte anonimiteti se do të mbështeten kandidatët e PDK-së, pikërisht për shkak të koalicionit qeverisës që ka kjo listë në nivelin qendror me partinë e Thaçit.

KKVITI

Edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili është njëri nga themeluesit e Listës “Ibrahim Rugova” nuk ka mohuar as pohuar mbështetjen për kandidatët e PDK-së.

“Përkrahja që do ta japë lista do të varet shumë nga kandidati, por ne jemi në koalicion me PDK dhe këtë s’bën ta harrojmë”, ka thënë ai, duke shtuar se roli i Listës së tij do të jetë më i rëndësishëm në ato komuna ku do të shkohet në balotazh…. ( “Zëri”)