Ibrahim Kadriu nderohet me çmimin “Azem Shkreli”, për romanin “Pjella e dreqit”

Gjilan – Shkrimtari i mirënjohur dhe romansieri i shquar shqiptar, Ibrahim Kadriu, është nderuar me Çmimin Kombëtar për letërsi, “Azem Shkreli”, për romanin më të mirë, të botuar gjatë vitit 2012, “Pjella e dreqit”.
Një Juri profesionale e kryesuar nga dr. Hysen Matoshi dhe e emëruar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, mbi bazën e një konkursi të shpallur kohë më parë, për veprat e shkruara në prozë dhe të botuara gjatë vitit 2012, u përcaktua pa dilemë për romanin e Ibrahim Kadriut, “Pjella e dreqit”, botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”.
Ky roman fillimisht është promovuar në vendlindjen e shkrimtarit, në Zhegër, përkatësisht në ambientet e shkollës fillore “Agim Ramadani, më 14 dhjetor 2012, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
Një ditë më pas, më 15 dhjetor, në Tiranë, nga Pen Qendra shqiptare, Ibrahim Kadriu shpallet romansier i vitit.
Ky shkrimtar i shquar dhe mjaft produktiv, autor i mbi dyzet veprave letrare, në vitin 2011 është nderuar edhe me Çmimin Letrar “Beqir Musliu”.
Prej librave poetik, kësaj radhe, e njëjta Juri u përcaktua për vëllimin e parë poetik të Skënder Berishës, “Njëqind vjet të kërkoj”, botim i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” . Në fushën e kritikës dhe studimeve letrare u shpërblye Ag Apolloni. Kurse Çmimi Vjetor për letërsi si çmim edhe i karrierës letrare, kësaj radhe iu dha, shkrimtarit të shquar, Ramiz Kelmendit.
Çmimet pritet të jepen gjatë ceremonive me rastin e 5 Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Enkas për rajonipress Sabit Rrustemi.