“IBM light” dhe “IBM strong”

Nga Milaim Shefkiu – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, duket se janë përshtatur si model politikanësh, me disa veti të përbashkëta. Dikush mund t’iu thotë se nga praktika qeverisëse dhe vetitë politike mund të duken sikurse “gurtë e oxhakut”. Të dy politikanët e kanë bërë “ujë” retorikën, madje në diskurs mund t’ia kishin kaluar edhe “Ciceronit antik”. Të dy politikanët i dinë shumë mirë figurat e rrëfimit dhe të stilistikës, ndërsa më ekspertë qëndrojnë në figurën e hiperbolës, duke i “bërë mizat buaj”.
Pas bisedimeve të fundit, të cilat rezultuan me dy marrëveshje, njëra për IBM dhe tjera për zyrat ndërlidhëse, të dy politikanët dhanë deklarata pak a shumë kundërthënëse, thua se bisedimet i kanë me të dëgjuar, dhe nuk kanë qenë aty për pesë sahat.
Nga ajo që ka deklaruar Hashim Thaçi, duket se kryeministri i Kosovës ia ka “ngulë” atij të Serbisë duke bërë “Pirro” në takim. Madje sipas deklaratave, Hashim Thaçi po del një lloj “Kasparovi” i shahut politik, duke e shtyrë Ivica Daçiqin që ta pranojë marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, madje duke ia luajtur lojën, që ai të pranojë edhe zyrat ndërlidhëse, që sipas Prishtinës do të jenë si Ambasada.
Mirëpo menjëherë pas këtyre deklaratave, del Daçiqi, “pinjoll” i Millosheviqit, i cili po ashtu e konsideron vetëm njëfarë “Karpovi” në shahun politik, duke thënë se Hashim Thaçi e ka “hangër” në takimin e djeshëm. Kjo sipas Daçiqit, sepse serbët e veriut nuk do t’iu nënshtrohen autoriteteve të Prishtinës, nuk do të paguajnë taksa, ndërsa mallrat që i shtinë në Kosovë nuk do të doganohen. Po ashtu, sipas Beogradit, zyrat ndërlidhëse janë të thjeshta dhe nuk kanë lidhje me ambasadat, kurse një polici speciale do të autorizohet për t’i ruajtur kishat dhe manastiret serbe.
Nëse serbët e veriut do të hyjnë në Kosovë pa taksa, nuk e respektojnë autoritetin kosovar, atëherë çfarë IBM-je është kjo. Nëse marrëveshja për IBM nuk është ajo që ka nënshkruar Edita Tahiri në Bruksel dhe nuk i ka të njëjtat parime, kontura dhe rregulla që ia ka përcaktuar Bashkimi Evropian, po ngjet se veriu ia ka larë duart me sapun “misk” dhe ata që e kanë “hangër” jemi ne. Dhe Hashim Thaçi bashkë me koordinatorin Blerim Shala do të jenë përgjegjës për këtë veprim.
IBM është konceptuar si model evropian që iu ndihmon shteteve që të kenë kontroll më të detajuar të kufirit, ndërsa qytetarëve që jetojnë afër kufijve, që të kenë liri të qarkullimit pa pengesa, andej e këndej, për vete dhe për mallra. Ndërsa IBM e jona do të jetë ndryshe.
Ne veri serbët nuk e njohin autoritetin qendror, ndërsa në lindje do ta njohin edhe pak do t’iu duket. Madje këta të fundit do të paguajnë taksa 5-fish më të larta se që paguajnë nëpër Evropë dhe në vendet tjera, kurse qarkullimi iu është vështirësuar prej që IBM u deklarua si marrëveshje dhe si koncept evropian. Atëherë, sipas kësaj logjike, do të kemi dy lloj të IBM-ve. “IBM light” që do të aplikohet te serbët dhe “IMB strong” te shqiptarët.
Këto do të jetë standardet e dyfishta apo të pesëfishta të IBM-së së ristrukturuar dhe riformuluar nga kosovarët dhe nga BE, që do të çojë ujë në mulli të Beogradit. Serbia do të fitojë edhe në procesin integrues të BE-së, por edhe do t’ia qes pikat kufitare veriut të Kosovës. Prandaj nëse shihet në këtë aspekt sa i përket IBM-së, Hashim Thaçi është treguar lojtar më i dobët, ndërsa sa i përket zyrave ndërlidhëse duket se Daçiqi ka humbur.
Kjo, sepse zyrat ndërlidhëse pavarësisht që minimizohen nga Daçiqi, ato do të luajnë njëfarëlloj koordinimi ndërshtetëror ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Loja politike ndërmjet dy shahistëve vazhdon në janar, ndërsa populli si spektator po shikon nga distanca “Karpovin dhe Kasparovin”.