HIDROMORAVA

Ia sjelli fatin CSKA Sofjes, Zymer Bytyqi flet për pritjen në klubin e ri, objektivat personale dhe ato ekipore

/ 3 minuta lexim
HIDROMORAVA

Zymer Bytyqi ka qëndruar rreth katër muaj pa klub, pasi prishi kontratën me skuadrën turke Antalyaspor për shkak se nuk i ishin paguar pagat.

Megjithatë pas shumë ofertave që kishte, ai ka zgjedhur gjigantin bullgar CSKA Sofja, ku duket se i ka sjell fat të mirë kësaj skuadre.

Pas pesë humbjeve radhazi, CSKA Sofja është rikthyer te fitoret duke marrë shtatë pikë në tre ndeshjet e fundit, derisa Bytyqi u inkuadrua nga banka rezervë.

Ylli dardan ka folur për Telegrafin rreth aventurës bullgare, duke thënë se pritje i është bërë shumë e mirë.

“Jam befasuar shumë për të mirë nga pritja që më është bërë. CSKA Sofja është klubi më i madh në Bullgari dhe është një klub shumë profesionist me tifozë të shumtë”.

“Atmosfera në klub është rikthyer pas dy fitoreve radhazi dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm”, deklaroi Bytyqi.

Ka vite që titulli nuk fitohet nga CSKA Sofja, derisa Bytyqi thotë se qëllimi i klubit është ta thyej dominimin disa vjeçar të Ludogoretsit.

“Sigurisht që të gjithë flasin për titullin, pasi ka kaluar kohë e gjatë nga hera e fundit kur është fituar. Klubi ka bërë investime të rëndësishme dhe kemi një skuadër shumë të fortë. Momentin që komponohet gjithë ekipi atëherë do të jemi edhe më të fortë dhe nuk është i pamundur titulli”, thotë Bytyqi.

Objektivat me klubin janë të futen në Play-Off dhe pastaj të synojnë fitimin e trofeve.

Fundamenti

“Sigurisht që duhet të futemi në ‘Play-Off’, pastaj do të luftojmë me skuadrat më të forta dhe qëllimi mbetet të fitojmë trofe”, tha Bytyqi që foli edhe për objektivat personale.

“Puna ime si sulmues është të shënoj gola, të asistoj, por edhe të krijoj raste të mëdha për skuadrën. Nuk i kam vendosur ende numra vetës pasi duhet të jem në formën më të mirë pastaj vinë golat e asistime”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Për të shumë më e lehtë ka qenë të ambientohet te klubi dhe në kryeqytetin bullgar, pasi aty ka gjetur bashkëkombësin e tij, Lumbardh Dellova.

“Dellova më ka ftuar edhe më parë që t’i bashkohem CSKA. Megjithatë jam shumë i lumtur që e gjeta këtu pasi më ka ndihmuar shumë si në klub ashtu edhe jashtë. Është shumë mirë kur dy bashkëkombës janë në një skuadër pasi këtë e kam përjetuar edhe në klubet e mëparshme ku kam luajtur si Antalyaspor, Konyaspor, Viking e Olympiacos”,vazhdon tutje Bytyqi.

Krejt në fund ai flet edhe për Kombëtaren e Kosovës, ku pret fillimisht ta rikthejë formën më të mirë dhe pastaj të përfshihet në listë.

“Vazhdimisht më kanë kontaktuar nga Kosova për të më pyetur për formën, ecurinë dhe të gjitha. Për mua si futbollist nuk ka krenari më të madhe se sa ta vesh fanellën e Kombëtares së Kosovës”.

“Sa herë që më është kërkuar ndihma ime unë kam qenë i gatshëm dhe gjithmonë do të jem. Pres me padurim të rikthehem në Kombëtare dhe të arrijmë së bashku suksese të reja”, përfundoi ylli dardan.

Bytyqi në dy ndeshjet e fundit është aktivizuar me CSKA Sofjen ku ka pasur paraqitje shumë të mira me kampionin e shumëfishtë të Bullgarisë. /Telegrafi/