Fundamenti

Ia nisën t’i tuten Kosovës

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Pas pak muajsh Kosova pritet të anëtarësohet në UEFA. Dhe, këtë proces me vëmendje të veçantë po e përcjellin edhe disa shtete, për të cilat luajnë futbollistë me prejardhje nga Kosova, të cilët madje janë shumë të rëndësishëm për përfaqësueset e atyre vendeve ku kanë emigruar vite më parë me familjet e tyre.

Shtetet e atilla po i frikësohen mundësisë që të braktisen nga futbollistët kosovarë, të cilët mund të zgjedhin për të luajtur për vendin e origjinës, menjëherë pasi Kosova të njihet nga UEFA.

Kjo frikë e ka kapluar edhe Finlandën, e cila është e vetëdijshme se shumë shpejt mund të mbetet pa kapitenin e saj, Përparim Hetemajn. Mesfushori i Chievos, që është shumë i njohur në Serie A të Italisë, është mjaft i lidhur emocionalisht me Kosovën, të cilës mund t’i bashkohet në një të ardhme të afërt.

Fundamenti

Mehmet Hetemaj, tashmë është bërë pjesë e reprezentacionit kosovar, ku do ta mirëpriste vëllain e tij, Përparimin. “E paramendojmë Hetemajn duke luajtur për përfaqësuesen e vendlindjes së tij”, shkruante portali finlandez, “YLE”, shkruan sot gazeta Zeri.

Në rast pranimi të shpejtë në UEFA, Kosovës mund t’i bjerë të luajë në një grup me Finlandën, në eliminatoret e Botërorit 2018. Mediat finlandeze nuk e kanë të qartë nëse Hetemaj do të luajë ndaj Finlandës, apo kundër vendlindjes. “Hetemaj ka lindur në Kosovë më 1986, ndërsa kur ishte pesëvjeçar, familja e tij emigroi në Finlandë. Pjesëmarrja e Kosovës në eliminatore nënkupton se Hetemaj mund të luajë ndaj vendlindjes. Nuk është e qartë nëse anëtari i kombëtares tonë do të mundë të luajë për një kombëtare që nuk ka ekzistuar kur futbollisti e ka bërë zgjedhjen e parë”, thekson ky portal. Kjo temë tashmë është hapur edhe në disa media të Shqipërisë, dhe njësoj pritet të ndodhë këto ditë edhe në Zvicër dhe disa vende tjera që kanë kosovarë.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, por edhe vetë FFK-ja, patën paralajmëruar se do t’ua hapin dyert e përfaqësueses kosovare të gjithë futbollistëve me prejardhje nga Kosova, ndërsa u mbetet atyre të vendosin për t’iu bashkuar vendit të origjinës, apo për të vazhduar të luajnë për shtetet që u kanë dhënë shumë, si në aspektin social, ashtu edhe në atë sportiv./zeri/