I vërtetohet dënimi i përjetshëm shqiptarit për vrasje nga gjakmarrja

Motivi i vrasjes kishte qenë gjakmarrja në mes dy familjeve të armiqësuara shqiptare, e cila po vazhdonte për shumë vjet

Më 3 prill 2019, Gjykata e Landit në Ulm pati dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje një 47-vjeçar nga Göppingeni, me prejardhje shqiptare. Tani, më 20 nëntor, aktgjykimi është i formës së prerë, shkruan pnp.de. Gjykata Federale hodhi poshtë si të pabazuar një kërkesë për rishikim, të bërë nga mbrojtja.

Gjykata Penale e Ulmit e kishte konsideruar si të provuar faktin që i pandehuri, së bashku me një bashkëpunëtor të tij, në prill të vitit 2017 e kishin joshur viktimën e ardhshme Xhoi M. në një liqen peshkimi (Erbach), me pretekstin e një biznesi droge, transmeton albinfo.ch. Aty ata kanë vrarë viktimën me një goditje me çekiç në kokë dhe më pas e kanë fundosur (përmbytur) trupin e tij në ujë.

Motivi i vrasjes kishte qenë gjakmarrja në mes dy familjeve të armiqësuara shqiptare, e cila po vazhdonte për shumë vite dhe tashmë ka marrë disa jetë njerëzish, ishte thënë në vendimin gjyqësor, në prill të vitit 2019.

Në kundërshtim me këtë vendim, dy mbrojtësit e të pandehurit kishin parashtruar në Gjykatën Federale një kërkesë për rishikim, përcjell albinfo.ch. Ata pretendonin se kishte ndodhur ndonjë gabim procedural gjatë procesit njëvjeçar.

Në rast se Gjykata Federale do të kishte ndjekur pretendimin e tyre, çështja do të duhej të rihapej para një kolegji tjetër penal në Gjykatën e Landit në Ulm. Sidoqoftë, nuk ndodhi kështu, prandaj vendimi është i plotfuqishëm.

I vërtetohet dënimi i përjetshëm shqiptarit për vrasje nga gjakmarrja

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).