RCCOLA

I pëlqen Kosova

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Albert Bunjaki është i kënaqur me ecurinë e Përfaqësueses së Kosovës. Ish-përzgjedhësi i “Dardanëve” e përgëzon pasardhësin e tij Bernard Challandes për punën që po e bën dhe beson se Kosova po përparon dhe se ka të ardhme të ndritshme. Ai beson se Verdhekaltrit mund të kualifikohen në “Evropianin 2020”, siç e kishte thënë disa herë në të kaluarën. Mirëpo forcën e vërtetë të Kosovës thotë se mund ta shohim në kualifikimet e vërteta, ato të Evropianit, kur ekipi përfaqësues do të ketë punë me kombëtare të fuqishme.

Përfaqësuesja e Kosovës po shkon me hapa të sigurt drejt zhvillimit dhe përparimit, shkruan sot gazeta Zëri.

“Dardanët” kanë bërë paraqitje të kënaqshme në Ligën e Kombeve, ku prijnë në Grupin 3 të Ligës D.

Edhe pse kundërshtarët nuk janë të nivelit të lartë, ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses Albert Bunjaki është i kënaqur me ecurinë e deritashme të Kosovës post-tij.

Ai e ka përgëzuar pasardhësin e tij Bernard Challandes për punën që po e bën, derisa beson se Kosova mund të ngrihet dhe të zhvillohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Mendoj se është punuar mjaft mirë kohëve të fundit. Liga e Kombeve është një mundësi shumë e mirë. Kosova hyn në mesin e 16 kombëtareve më të dobëta në Evropë, mirëpo realiteti është diçka tjetër. Ne e dimë se Kosova është më e mirë se disa prej këtyre kombëtareve. E përgëzoj selektorin dhe Federatën, po e bëjnë një punë shumë të mirë”, ka thënë fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

Mund të kualifikohemi në “Euro 2020”

Albert Bunjaki e kishte përsëritur disa herë se Kosova ka kapacitet dhe mundësi të kualifikohet në “Evropianin 2020”.

Në atë kohë njerëzit ishin skeptikë, por duket se tash të gjithë kanë rënë në fjalët e tij.

Verdhekaltrit po mundohen që përmes Ligës së Kombeve ta sigurojnë një biletë, e cila dërgon në “Euro 2020”.

“Liga e Kombeve është një shans ideal që Kosova duhet ta shfrytëzojë. Më pëlqen punën të cilën po e bën selektori i ri, e mban balancën në ekip mirë. Tash kushtet i kemi, stadiumi tashmë është. Federata ka punuar në atë drejtim. Duhet t’i gëzohemi faktit që jemi të parët në grup. Besoj dhe shpresoj të përfundojmë të parët në grup. Ka rëndësi për ne dhe për opinionin”, ka shtuar ai.

“Unë e kam ditur se çka do të ndodhë kur thosha se mund të kualifikohemi në ‘Evropianin 2020’. Kosova vitin e ardhshëm e fillon fazën e kualifikimeve reale me kundërshtarë të fortë. Krejt do të varet qysh ne ballafaqohemi me ata kundërshtarë, qysh opinioni e kupton realitetin. Në kohën time kërkonin që ta mposhtim Kroacinë, Turqinë e Ukrainën”, nënvizoi Bunjaki.

RCCOLA

Kosova e bëri të pamundurën në kualifikimet e Botërorit

Përfaqësuesja e Kosovës kishte debutuar në kualifikimet e “Botërorit 2018”, ku arriti ta fitonte vetëm një pikë.

Mirëpo duke i pasur parasysh rrethanat e ndryshme, duke përfshirë këtu ekipin e ri pas pranimit në UEFA e në FIFA, pastaj edhe kundërshtarët “e frikshëm” dhe mungesën e stadiumit, realisht “Dardanët” nuk mund të bënin më shumë.

Bunjaki bëhet realist dhe thotë se Kosova nuk ka mundur më shumë në atë kohë.

“Mendoj se nuk duhet të nënvlerësohet fakti se në atë kohë, pas pranimit në UEFA e në FIFA është krijuar Kombëtarja brenda tre muajsh dhe ka bërë lojëra të mira. Kemi qenë në grupin më të vështirë të mundshëm, por kemi pasur performanca të mira. Nuk jam i kënaqur me rezultatet, kjo është reale, por a është reale të presësh rezultate ndaj kundërshtarëve të tillë? Kundër Kroacisë, nënkampione e botës, i kishim 6-7 raste për gol. Edhe tash Kosova po bën lojëra të mira dhe kjo tregon se është punuar dhe po punohet mirë. Jam shumë i kënaqur që e shoh Kosovën në këtë mënyrë. Kjo e dëshmon se ia ka vlejtur puna, të cilën e kemi bërë. Kosova është në rrugë të mirë”, shprehet trajneri kosovar.

Ai ndihet mirë që tash Përfaqësuesja mund të luajë në stadium të saj, gjë të cilën nuk e kishte gëzuar sa ishte ai trajner, por shton se tash Kosova i ka edhe ekipet U-19 e U-21, ku lojtarët mund të bëjnë sadopak eksperiencë dhe më pas mund të jenë gati për Përfaqësuesen A, “luks” të cilin nuk e kishte Bunjaki në epokën e tij.

Ai sugjeron që të rritet konkurrenca në repartin defensivë, te portieri dhe te mbrojtja pasi zbulon se në kohën e tij 90 për qind e lojtarëve që i ka afruar nga jashtë ishin lojtarë ofensivë, 80 për qind prej tyre “10-sha”.

Tutje, Bunjaki ua kujton të gjithëve deklaratat e tij se brenda 3-4 vjetësh do t’i kemi 5 lojtarë në top-ligat e Evropës.

Dy tashmë dolën, Valon Berisha në Serie A dhe Milot Rashica në Bundesligë. Ai i sheh me potencial të tillë edhe Hekuran Kryeziun, Arbër Zenelin, Besar Halimin, lojtarin më kreativ që e ka parë ndonjëherë, pastaj Bersant Celinën, por edhe Benjamin Kolollin.

Me këtë rast, Bunjaki shprehet i bindur se lojtarët do të zhvillohen dhe se do të rritet edhe niveli i ekipit përfaqësues të Kosovës.

Tutje, Bunjaki theksoi se Kosova e ka ende reprezentacionin më të ri në botë, siç e kishte edhe dy vjet më parë, por edhe potencialin më të madh të zhvillimit prej krejt ekipeve përfaqësuese që i ka në grup. /Zëri/