RCCOLA

I palosin milionat

/ 4 minuta lexim

Me gjithë papunësinë dhe varfërinë që ka Kosova, qytetarët i kanë deponuar në bankat komerciale në vend hiç më pak se 2 miliardë euro. Të dhënat e BQK’së tregojnë se vetëm në muajin korrik të këtij viti, kosovarët i kanë palosur në banka 64 milionë euro. Njohës të ekonomisë vlerësojnë se kosovarët e kanë kuptuar se më mirë është t’i deponojnë paratë se t’i mbajnë nën jastëk.

Kosovarët nuk duket të jenë shumë të varfër ashtu siç thuhet. Së paku, të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se një pjesë e shoqërisë disponon miliona euro të palosura në banka. Me gjithë papunësinë prej mbi 40 për qind, në tetë bankat komerciale sa operojnë në Kosovë, depozitat e qytetarëve dhe bizneseve janë hiq më pak se 2 miliardë euro.

Prej tyre, pjesa më e madhe, prej 1.4 miliard eurosh janë para të ekonomive familjare të afatizuara maksimumi deri në dy vjet.

Nga kjo shumë, vetëm në llogari të kursimeve kosovarët i kanë 278 milionë euro.

Nëse shikohen se nga sa para kanë kursyer qytetarët për çdo muaj, tabelat tregojnë se mesatarisht ata i kanë ndarë nga 10 milionë euro për çdo muaj.

Ndërsa vetëm në muajin korrik të këtij viti, i kanë deponuar në banka 64 milionë euro.

Kjo edhe duket se ka ndikuar që të bjerë interesimi për kredi. Kredidhënia në tre muajt e fundit raportohet se ka rënë dukshëm.

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se rënia e kreditimit më shumë ka të bëjë me kushtet e kredive që ofrojnë institucionet financiare, shkaku i të cilave hezitojnë t’iu afrohen klientët.

Megjithatë, vlerësohet si fakt inkurajues se kosovarët po kanë para për të kursyer.

Musa Limani, profesor i ekonomisë, thotë se qytetarët e kanë kuptuar se më mirë është t’i mbajnë paratë në bankë, edhe nëse nuk ka normë të lartë të kamatës, sesa t’i mbajnë nëpër jastëkë dhe xhepa.

Mobi Casa

“Është një potencial i mirë, një akumulim që mund të na shërbejë për zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson Limani.

Sipas tij, Qeveria duhet të krijojë politika që këto para t’i orientojë për të ngritur kapacitetet zhvillimore.

Ai shpjegon se vlera e mjeteve të deponuara nga ekonomitë familjare është e lartë, tregon se paga nuk është i vetmi burim i të ardhurave, por mund të ketë të ardhura nga qiraja dhe burime të tjera si remitencat nga diaspora.

Me këto para të depozitave, po të kishte një politikë më të mirë qeveritare, sipas Limanit, shumë lehtë do të ndikohej në uljen e normave të interesit.

“Në kushte normale do të duhej të ulen normat e interesit dhe të zvogëlohet diferenca mes normave të interesit në depozita dhe në kredi”, thotë ai.

E, në anën tjetër, për të tretin muaj me radhë, bankat kanë dhënë më pak kredi. Kështu, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se ka rënë edhe fitimi i bankave komerciale në Kosovë.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi thotë se kriza në Eurozonë ka bërë që bankat t’i shtrëngojnë kushtet e dhënies së kredive.

“Bankat e kanë njëfarë frike prej zhvillimeve në rajon, apo në Evropë. Është edhe fakti tjetër se kushtet e renda, kostoja, mbulesa me garanci dhe hipotekë, bizneset i bie në situatë që të mos iu drejtohen bankave”, thekson Rexhepi.

Në raportin e Bankës Qendrore shihet se për të gjithë ata që i mbajnë paratë nëpër banka, norma mesatare e interesit në depozita ka rënë nga 3.5 për qind nga muaji qershor, në 3.4 për qind për muajin korrik, që është nivel i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërsa, norma mesatare e interesit në kredi gjatë kësaj periudhe shënoi rënie në 13 për qind për muajin korrik nga 13.5 për qind sa ishte në muajin qershor.(express)