I motivuar maksimalisht
Futbollisti shqiptar, Alban Meha, i cili njihet si specialist i gjuajtjeve të lira, është i përgatitur maksimalisht me ekipin e tij, Konyaspor, para sfidës kundër gjigantit, Fenerbahçe, që zhvillohet sonte në orën 20:15, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Turqisë në futboll.
“Gjëja më e rëndësishme është të mos pësojmë gol në fushën tonë. Nëse do ta përmbushim këtë gjë, kundër Fenerbahçe-s, atëherë do të mbërrijmë në finale. Gjasat tona janë të mëdha. Ashtu si ata, edhe ne do të luftojmë për t’i kaluar me sukses gjysmëfinalet”, ka thënë Meha. Falë golave të mrekullueshëm nga goditjet e lira, shqiptari ka marrë nofkën “snajperi”. “Më pëlqen rrjedha e nofkës ‘snajperi’ nga Gjermania në Turqi. Në periudhën e parë, kur kam luajtur në Bundesliga 1, edhe në ekipin kombëtar, kur më quanin kështu ishte një burim krenarie. Shpresoj që edhe në ndeshjen kundër Fenerbahçe-s, gjithashtu ta kem një mundësi të tillë, të shënoj nga goditja e dënimit”, theksoi futbollisti kosovar.
Tifozët janë të ‘çmendur’
Ai thotë se synimet e klubit janë garat evropiane dhe Kupa. “Do të bëj çmos për ta mbajtur ekipin tim në vendin e tretë në kampionat. Në gjysmën e dytë të kampionatit kemi mbledhur pikë të mira. Kemi pësuar shumë pak gola. Paraqitja jonë si ekip është shumë e mirë. Nëse mbajmë këtë ritëm, do të marrim pjesë në Kupat e Evropës. Ky është edhe një avantazh i madh për ekipin. Do të bëjmë më të mirën për të luajtur në Evropë. Tifozët tanë janë të frikshëm, e përmbushin plotësisht misionin e tyre. Audienca mesatare e disa ndeshjeve në Gjermani është 35-40 mijë tifozë, ndërsa mesatarja e tyre, kur luajmë në shtëpi me Konyaspor-in, është diku te 20-25 mijë. Megjithatë, 25 mijë këtu kanë vlerën e 40 mijë tifozëve kur luaja në Gjermani. Me të vërtetë janë të frikshëm kur brohorasin. Ne vetëm mund t’i falënderojmë ata për mbështetjen”, ka thënë Meha. (Kosova Sot)


