RCCOLA

I merret titulli Master deputetes Fiala

/ 2 minuta lexim

Një ekspertizë e jashtme ka ardhur në konstatimin se akuzat që i drejtoheshin deputetes Fiala për plagjiaturë, kishin qenë me bazë.

Doris Fiala, deputete e Partisë Liberale (FDP) në Parlamentin Nacional të Zvicrës i është tërhequr titulli Master i shkencave nga universiteti ETH i Cyrihut. Me vendimin e këtij universiteti, ajo nuk mund të bartë më titullin Master për drejtimin e politikës së sigurisë dhe menaxhimit të krizave. Krahas ETH-së, këtë njoftim e ka konfirmuar të premten edhe vetë Fiala.

Arsyeja për këtë marrje titulli, qëndron sipas ETH-së te parregullsitë “jo të papërfillshme” në citimin e burimeve. Një ekspertizë e jashtme ka ardhur në konstatimin se akuzat që i drejtoheshin deputetes Fiala për plagjiaturë, kishin qenë me bazë, shkruajnë mediet zvicerane.

Mobi Casa

Sipas komunikatës së ETH-së, Doris Fiala duhet të zgjedhë një temë tjetër nëse dëshiron të punojë një punim të ri të Masterit.

“Pikërisht këtë do ta bëj”, është përgjigjur Fiala. Ajo ka pranuar dhe vazhdon të pranojë gabimet që sipas saj janë rezultat i një pakujdesie. Në komunikatën e saj Doris Fiala thotë se ETH ka konstatuar veprimin e saj të akujdeshëm dhe jo mashtrimin e qëllimshëm./albinfo/