RCCOLA

I kandidojmë edhe ata që janë nën hetime

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi e ka lënë të hapur mundësinë që partia e tij t’i kandidojë në zgjedhjet lokale edhe kandidatët që janë nën hetime apo në procedurë gjyqësore.

Ai ka thënë se do të respektojnë çdo vendim gjyqësor, por edhe do të respektojnë parimin se askush nuk është fajtor përderisa nuk vërtetohet një gjë e tillë.

“Ju e dini që në radhë të parë çdokush është i pafajshëm në një vend ku prezumimi i pafajësisë është parim kushtetues. Çdokush është i pafajshëm derisa gjykata ta vërteton një gjë të tillë”, ka thënë Kuçi, kur është pyetur nëse PDK do të kandidojë edhe zyrtarët që aktualisht kanë probleme me ligjin.

“Ne do të respektojmë çdo vendim gjyqësor, por ata që janë në procedura të tilla askush nuk duhet ta prek prezumimin e pafajësisë”, ka shtuar ai.

Aktualisht disa kryetarë të komunave, që janë nga radhët e PDK’së, janë duke u hetuar ose gjykuar për vepra të ndryshme, përfshirë Kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtakun, Ramadan Mujën e Prizrenit dhe Nexhat Demakun, Kryetar i Drenasit.

Sidoqoftë, Nënkryetari i PDK’së ka folur edhe për Prishtinën e Prizrenin, ku ende partia e Hashim Thaçit s’i ka publikuar kandidaturat.

Sipas tij, krejt kjo vonesë është bërë për të gjetur personin më kredibil që ka përkrahjen jo vetëm të partisë, por edhe të qytetarëve.

RCCOLA

“Jemi në konsultim edhe me Degën e Prishtinës, po ashtu, jemi në konsultim me qytetarët dhe me strukturat tjera edhe brenda partisë, e edhe jashtë partisë për ta gjetur një kandidat të dinjitetshëm edhe për Prishtinën”, ka treguar ai.

Kuçi ka thënë se sikurse në Kryeqytet, të njëjtën procedurë po e ndjekin edhe me Prizrenin, ku kanë dalë disa kandidatë dhe po e promovojnë vetën për Kryetar të Komunës.

Këtë situatë, sipas Kuçi po e përkrah edhe PDK’ja për të rritur konkurrencën.

“Është mirë që ka interesim të shtuar dhe është mirë kjo. Ne e stimulojmë këtë garë edhe në Prizren dhe në Degë të tjera dhe do të provojmë ta zgjedhim atë që ka përkrahjen më të madhe, jo vetëm në parti, por edhe te qytetarët”, ka deklaruar Nënkryetari i PDK’së.

Ai ka thënë se pavarësisht zhvillimeve që kanë ndodhur, PDK do të fitoj në më shumë komuna sesa aktualisht kanë nën qeverisje.

“Vazhdojmë të jemi partia e parë politike dhe presim që të rrisim edhe numrin e komunave që jemi duke qeverisur aktualisht”, ka thënë ai./express/