UBT

I jepet lamtumira e fundit Deli Hysenit, njeriu që përjetoi masakrën e Llashticës

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Deli Hyseni dëshmitari kryesor i masakrës së Llashticës është varrosur sot në vendlindjen e tij në Llashticë, në prani të bashkëvendësve të tij. Deliu vdiq më 28 prill në Francës kurse për koincidencë u varros më 30 prill pikërisht ditën kur kishte ndodhur vrasja e 13 shqiptarëve të pafajshëm në këtë fshat.

Deli Hyseni në moshën 53 vjeçare u nda nga kjo botë pa e shijuar jetën ashtu siç duhet dhe në kërkim të drejtësisë për të gjetur fajtorët që masakruan familjen e tij dhe të tjerët në Llashticë në prill të vitit 1999.

Fatkeqësisht Deli Hyseni është varrosur pa ndonjë ceremoni institucionale sepse shteti i Kosovës ka vite që e ka harruar këtë kategori.

Deli Hyseni mbetet dëshmitari kryesor dhe dëshmia e tij do të duhej të merrej nga shumë hetues për ta bërë zyrtare dhe deponuar në nivelet më të larta të drejtësisë.( foto Miran Berisha)

Lexojeni me vëmendje prononcimin e Deli Hysenit për rajonipress nw vitin 2018

Porosia e Deli Hysenit: Mos e harroni masakrën e Llashticës, dëshmitë janë të freskëta

Gjilan – Deli Hyseni është njëri nga dëshmitarët kryesor që e ka parë dhe përjetuar pothuajse tërë masakrën e Llashticës. Në rrëfimin e tij ekskluziv për rajonipress, Deli Hyseni tregon detaje interesante, shpalos tërë atë masakër që bënë serbët në këtë fshat. Deliu i ka parë familjarët e tij teksa vriteshin para syve të tij, ka parë se si digjeshin për së gjalli në prani të tij dhe në fund teksa mbuloheshin me eskavator për të humbur gjurmët. Deli Hyseni çuditërisht asnjëherë nuk është intervistuar dhe as që i është marrë deklaratë nga policia apo prokuroria kosovare. “Më kujtohet si sot, më kujtohet ajo ditë, ajo orë e aj sekondë i trishtuar. Pash e çka nuk pash, përjetova tmerrin më të rëndë për një familjar. Trupat e familjarëve të mi binin njëri pas tjetrit, pushkatoheshin dhe digjeshin për së gjalli. A ka më rëndë, më vështirë se ta jesh dëshmitar për së gjalli. E kam lutur disa herë zotin të vdes e mos t`i shoh ashtu, por njeriu po jetojka edhe kështu”, raporton rajonipress.
Kjo është njëra pjesë e rrëfimit të Deli Hysenit nga Llashtica e Gjilanit i cili për herë të parë flet për një medium shqiptar. Jo pse nuk ka dashur të flas, jo pse nuk ka çfarë të flas, por siç thotë Deliu, mediat e huaja dhe KFOR-i pas luftës ishin më shumë të interesuar, edhe pse e pranon se asnjë hetim nuk ndodhi për masakrën e Llashticës.

Në masakrën e Llashticës Deliu ka humbur babain Hysen Hyseni, nëna Ajshe Hyseni, vellau Fazli Hyseni, gruaja Arife Hyseni, djali i Fazliut, Driton Hyseni si dhe është i vrarë nipi ( djali i motrës) nga Velekinca, Blerim Halili.

Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. E dhimbshme është historia e Deli Hysenit dëshmitarit kryesor i cili në mungesë të përkujdesjes nga ana e institucioneve shtetërore detyrohet të shkojë ilegalisht në Francë për tu shëruar nga plagët dhe traumat e luftës.

Deli Hyseni tani është bërë 50 vjeçar dhe jeton diku në Francë që nga viti 2006. “U zhgënjeva pas luftës sepse edhe pse isha i plagosur dhe kisha humbur gjysmën e familjes, babain, nënën, djalin, vëllain unë sërish duhej të punoja. Duhej ta mbaja pjesën tjetër të familjes. Ika në Francë ku tani jam rehatuar dhe ndodhem me familje” thotë Deliu.

I gëzohet çdo zhvillimi që ndodhë në Kosovë edhe pse thotë se nuk ka mundësi ta shoh sepse në vitin 2007 kishte humbur të pamurin. “Si mos t`i humb këta sy kur panë gjithçka, panë e përjetuan skena të llahtarshme. Më kujtohet si sot dhe çdo orë e sekondë e përjetoj emocionalisht masakrën e Llashticës. Nuk e harrojë asnjë detaj dhe më kujtohet mirë skena e krimit që ndërtuan ushtria dhe paramilitarët serb, që dirigjoheshin edhe nga policia e rregullt”.

Mobi Casa

Deliu thotë se ankthi nuk e lenë rehat tërë natën kur i kujtohen skenat e rënda. “Si të pushojë e flejë rehat kur para syve të mi më dalin prindërit, djali, gruaja e familjarët e tjerë teksa vriteshin aq mizorisht. Unë kisha vetëm gjysmë vetëdije sepse isha i plagosur në fyt. 30 prilli i vitit 1999 ndryshoj gjithçka në jetën time dhe në kujtesën time të trishtë. Më ka humbur forca e guximi që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri. Por ende jam i aftë të dëshmojë, të rrëfejë, të tregojë edhe për serbët e dyshuar. Jam i zhgënjyer sepse askush nga policia e as nga prokuroria, nuk më kanë marrë asnjë deklaratë. E kam humbur besimin dhe jam i zhgënjyer”.

Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.

Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Fisnik Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.

Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse djalit të vëllaut Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim, ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” shprehet Deliu.

Kjo është dëshmia e Deli Hysenit, njeriut që pa gjithçka dhe madje edhe buldozerin që erdhi nga Pasjani për të rrafshuar tërë vendin e krimit. “Nuk dua të vdes pa dëshmuar aty ku duhet dhe nuk dua të vdes pa e takuar serbin dhe romin. Anipse nuk shoh, mund t`i njoh nëse përballem me ata drejtpërdrejtë. Këta hetuesit e tanë le të presin derisa të vdesin dëshmitarët. Vërtet është një turp i madh që askush nuk është marrë me neve. Unë do të jetojë me rrëfimin tim që e kam përjetuar në lëkurën time, por me vdekjen time vdes edhe rrëfimi. Edhe në Francë kam dhënë deklaratë, por më thanë se t`i nuk sheh dhe e ke të vështirë të dëshmosh, por unë do të dëshmojë një ditë” shton Deliu.
Porosia e Deliut është e qartë dhe e dhimbshme. “Mos e harroni masakrën e Llashticës, mos e harroni atë tragjedi e katrahur që na bëri Serbia, mos shkelni mbi trupin e fëmijëve e prindërve tanë që u dogjën për së gjalli. Nëse asgjë nuk bëni, të paktën sillni para drejtësisë, arrestoni kriminelët dhe mos i falni sepse historia nuk do ua fal”.

Edhe, Nehat Shabani mësues ishte dëshmitar i dhunës serbe. Ai është i plagosur në krahun e djathtë dhe e humbi djalin e tij Lirimin. Nehati më 13 prill 1999 plagoset nga serbët derisa banorët po qëndronin në male.

Nehati I gëzohet faktit që Deli Hyseni ende është mirë nga memoria dhe po ka mundësi që të rrëfej për masakrën.”Po befasohem nga organet hetuese që nuk e intervistojnë njeriun kryesor të masakrës. Shpresoj që ata hetues e prokuror do të zgjohen një ditë nga gjumi” shprehet me ironi Nehat Shabani.

Fatkeqësisht asnjë dëshmitarë i Llashticës nuk është ftuar të dëshmojë në Hagë përkundër premtimit nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ndonëse gjithçka rreth masakrës në Llashticë ishte e përpiluar duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve, skicat nga vendi i ngjarjes, fotografimet e vendit të krimit dhe video regjistrimet, megjithatë hetime zyrtare nga asnjë organ hetues nuk është zhvilluar.

Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.
Në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura.

Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.
Të pushkatuarit e datës 30 prill 1999 janë :
1. Hysen Deli Hyseni i lindur më 10.05.1933
2. Ajshe Hysen Hyseni e lindur më 11.12.1937
3. Fazli Hysen Hyseni i lindur më 06.01.1963
4. Arife Fazli Hyseni e lindur më 21.08.1963
5. Driton Fazli Hyseni i lindur më 13.02.1982
6. Mirije Deli Hyseni e lindur më 19.05.1970
7. Blerim Ramadan Halili i lindur më 22.12.1983
8. Rifat Xhemajl Shabani i lindur më 14.09.1919
9. Selami Rifat Shabani i lindur më 02.12.1954
10. Zijavere Ejup Shabani e lindur më 15.06.1962
11. Fisnik Selami Shabani i lindur më 20.12.1996
12. Sylejman Ymer Ibishi i lindur më 18.06.1932
13. Xhavit Banush Berisha i lindur më 10.12.1935
Në këtë pushkatim kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur:
– Deli Hysen Hyseni (1968)
– Dritë Fazli Hyseni (1984)
– Blerinë Fazli Hyseni ( 1994)
– Leonorë Deli Hyseni (1993)
– Vlorë Selami Shabani (1986)
Në fshatin Llashticë gjithashtu janë vrarë më 13 prill 1999:
– Ali Bejtë Selimi 15.04.1937
– Enver Sylë Murseli 17.06.1949
– Ymer Kadri Rashiti 18.05.1930
– Lulzim Feti Musliu 28.02.1988
Të vrarë më 16 .04.1999:
– Rukije Qazim Ramushi 08.12. 1927
– Habibe Idriz Ramushi 03.05.1909
– Nezir Hasan Ramushi 15.02.1929
Xhyzide Shaban Hasani (1918)
– Lirim Nehat Shabani (1999)
Të vrarë më 20.04.1999:
Azem Limon Cani i lindur më 25.04.1938./rajonipress/