RCCOLA

I ikin premtimit për themelimin e ushtrisë

/ 4 minuta lexim

Subjektet politike në fushatë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara lokale, po i ikin premtimit për themelimin e ushtrisë dhe çështjes së sundimit të ligjit. Vrojtuesit e zgjedhjeve thonë se përveç që themelimi i ushtrisë nuk po shihet si diçka që mund të sjell vota karshi menysë së premtimeve nga më të pabesueshmet.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidentja e vendit përmendi se për krijimin e ushtrisë i janë drejtuar komuniteteve etnike në Kosovë, vendeve të rajonit dhe palëve të interesuara ndërkombëtare në NATO. Kjo sipas saj për të vazhduar “këtë dialog të rëndësishëm”.

Ndërkohë në Kosovë fushata elektorale po intensifikohet me premtimet më marramendëse të partive politike, por themelimin e ushtrisë nuk po parapëlqen ta përmend më asnjëra si premtim.

Ushtria kishte qenë premtimi më i shpeshtë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale hiq më larg se 7 muaj më parë. Por, tani Blerand Stavileci nga Partia Demokratike,Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike dhe Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje po mohojnë se partitë e tyre që po i ikin zotimit për themelimin e ushtrisë. Madje që të gjithë kanë thënë se kjo është punë e kryer.

Ndërkohë vrojtues të fushatës nuk po e shohin ushtrinë si një prej çështjeve që mund të sjell vota.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika Kërkimore thotë se partitë po flasin për zhvillim ekonomik ngase e kanë kuptuar se as ushtria e as sloganet e vjetra për çështje nacionale nuk mund të sjellin më vota.

“Por nuk do të ndodhë zhvillimi ekonomik pa reformën dhe forcimin e gjyqësorit , sundimin e rendit dhe ligjit ngase kjo është parakusht për mirëqenien e qytetarëve. Gjithashtu pa e reformuar administratën e cila është e politizuar dhe e korruptuar”, ka thënë Rashiti.

Eco Higjiena

Ndërsa për Shpend Kursanin fakti që partitë nuk e kanë problem të bëjnë premtime nga më qesharaket, ushtria nuk po përmendet edhe për faktin se themelimi i saj nuk do jetë aq i lehtë për t’u realizuar.

“Ushtria nuk po përmendet në fushatë jo shkak se ato po sillen me përgjegjësi ngase asnjëra prej tyre e kemi pas se nuk e ka problem me gënjye votuesin pa fije turpi. Nuk është se e kanë menduar ushtrinë këtë në formë aq institucionale ngase partitë politike në Kosovë nuk e shohin institucionin për ta marrë votën , por e shohin pushtetin për ta ruajtur pozitën dhe pasurin e tyre”, ka thënë Kursani.

Dastid Pallaska thotë se realiteti për shtetin ligjor mund të mos ndryshoj shumë pas 8 qershorit ngase partitë po tregojnë se sundimin e ligjit e kanë hendikep dhe për këtë po i ikin si ofertë.

“Sundimi i ligjit është parakusht për jetën normale dhe sigurinë e çdo qytetari dhe është absurde nëse dikush jep premtime madhore për ekonomi kur sovraniteti i shtetit në aspektin ligjor veçse është prekur në palcë ”, i ka thënë Pallaska RTK-së.

Megjithatë partitë po e shfaqin qartë se për ushtrinë, elementin kapital të shtetit beteja do të vazhdoj edhe më tej, ngase kjo kërkon jo vetëm mbështetjen e të gjitha komuniteteve etnike, por edhe votën e tyre.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, në Këshillin e Sigurimit kërcënoi sërish pengimin ushtrisë së Kosovës përmes kushtëzimit të pakicës serbe. Forcave politike në Kosovë u mbetet të gjejnë zgjidhjen pa e dërguar në bisedime krijimin e ushtrisë së vendit. /rtk/Telegrafi/