I harruar për historiografinë, por i rishfaqur si feniks në publicistikën dokumentare

Nga Emin Azemi – Rahim AZEMI, ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’, botoi LENA, Prishtinë, 2019). Këtyre ditëve u botua monografia ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’ e autorit Rahim Azemi, kushtuar Mark Gashit, një prej figurave më të pastra të historisë patriotike shqiptare të viteve 1960 – 1960 nga rajoni i Karadakut.

Dalja në dritë e kësaj monografie nxjerr në pah tri merita kryesore:
– e bën të njohur për një rreth më të gjerë njerëzish figurën, gati të harruar, por shumë të rëndësishme, të Mark Gashit;
– e nxjerr nga perdet e trasha të anonimitetit dhe mosvëmendjes një rajon, siç është Karadaku i Gjilanit dhe Preshevës, i cili gjatë periudhave të caktuara të historisë ka qenë strehë e njerëzve të idealit, siç ishte edhe Mark Gashi. Karadaku, me relievin e tij malor dhe me karakterin e fortë etnopsikologjik të banorëve, për këta njerëz të idealit ishte njëfarë Olimpi që ngërthente në vetvete gjithë energjitë mobilizuese për përkushtim atdhetarie;

Dhe e treta, kjo monografi na e sugjeron modelin e njeriut altruist, i cili vepron pa rreshtur në një konstantë kohore, pa marrë parasysh vështirësitë që i dalin në jetë. Ky njeri që personifikohet në figurën e Mark Gashit, mund të jetë edhe sot burim frymëzimi, por në një dioptri dhe kontekst tjetër, për arsye se modernizimi dhe virtaulizimi i jetës sonë të përditshme ka nxjerr nga përdorimi shumë virtyte njerëzore, pa të cilat është i pamundur vertikaliteti i homosaipiensit të sotëm. Figurat si Mark Gashi do ta ridimensionin natyrën njerëzore në një planimetri më humane, aq shumë e munguar edhe në rrafsh global.

Profesor Rahim Azemi shquhet tash më si autor me integritet të lartë profesional në shkrimin e veprave monografike. Autorësia e këtij lloj shkrimi nuk do të mund të kishte shenjën e saj origjinale sikur të mos përfshinte në vete dy komponentë kryesor metodologjikë: përkushtimin maksimal ndaj temave që trajton dhe observimin përmes një aparature mjaft praktike (dëshmi dhe rrëfime gojore, letra e faksimile si dhe përshkrime burimore të rrethanave e vendeve të caktuara.) që i jep monografisë vulën e autenticitetit.

Monografia është e organizuar sipas një arkitekture mjaft dinamike dhe tërheqëse shkrimore, e ndarë në 10 kapituj, ku secili kapitull e ka fabulën kryesore, i ka ngjarjet dhe rrëfimet nga terreni dhe ka vijueshmërinë e ndërtimit të faktografisë biografike, që nuk kufizohet ekskluzivisht brenda një personi, por risjell herë pas herë brenda tekstit episode të caktuara të historisë së organizimit ilegal të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ku Mark Gashi zë një vend qendror dhe mjaft të lavdishëm.

Me ndriçimin e kësaj figure, zbërthehen në fakt edhe enigmat historike dhe dritë-hijet e doktrinave politike me të cilat shqiptarët e ish Jugosllavisë i ndërtonin kauzat e tyre kombëtare. Nga ajo që del në pah në këtë monografi, Mark Gashi mban anën e duhur të historisë, duke u rreshtuar në krah të forcave nacionaliste shqiptare që kishin synim shkëputjen e viseve shqiptare nën Jugosllavi përmes kryengritjes së armatosur dhe bashkëngjitjen shtetit amë shqiptar. I ndodhur pranë kësaj filozofie politike që kishte elemente të pastra nacionaliste, Mark Gashi me përvojën e tij ushtarake dhe me kulturën iluministe të mësuesit, bëhet një hallkë mjaft e rëndësishme e organizimit ilegal, që fillimisht pati si strehë Partinë NDSH e pastaj Partinë Revolucionare për Bashkimin e Trojeve shqiptare me Shtetin Amë Shqipërinë, e formuar në vitin e largët 1957, kryetar i së cilës ishte Metush Krasniqi. Duke qenë ‘zemra e partisë’, siç thuhej për Mark Gashin, ai do të jetë jo vetëm prezent fizikisht në të gjitha mbledhjet ilegale që mbaheshin në Preshevë, Shkup e gjetiu, por edhe një levë e fuqishme e mbarëvajtjes së aktiviteteve që kishin synim fuqizimin e organizatës dhe arritjen e qëllimit final, – shkëputjen dhe bashkimin.

Ndonëse i rreshtuar krah për krah me nacionalistët shqiptarë të kohës, që kishin prirje të djathta ideologjike, Mark Gashi në monografinë e Rahim Azemit, megjithatë na del një figurë më tepër kombëtare se sa ideologjike, më tepër popullore se sa partiake.
‘Për t’i arritur qëllimet në interes të popullit, Mark Gashi konsideronte se nuk duhej mbetur peng i ideologjive dhe sistemit politik’, shkruan Rahim Azemi dhe ky detaj mjaft i rëndësishëm nga jeta dhe vepra e Mark Gashit dëshmon për gjerësinë e pikëpamjeve të tij politike, por edhe për thellësinë e karakterit tepër kombëtar të vokacionit të tij si idealist i çështjes shqiptare.

Autori Rahim Azemi na e përshkruan jetën e Mark Gashit si një varkë që lëkundet në mes të detit me furtunë, por që do të arrij të ruaj drejtpeshimin e tij moral e njerëzor, edhe përkundër shumë problemeve e vështirëve që i dalin në jetë si pasojë e arrestimeve e burgosjeve të njëpasnjëshme.

‘Më denoni sa të doni, por unë kur të dal prej burgut, prapë kam me vazhdu të njëjtën rrugë’, do të deklarojë Mark Gashi në njërin prej proceseve gjyqësore kundër tij, që dëshmon se dënimet me burg nuk ishin stihike dhe as pa shkas, por ishin rrjedhojë logjike e punës së tij të palodhshme në terren që si rezultantë të përhershme kishte ndikimin te masat e njerëzve në rritjen e ndërgjegjes kombëtare për një ardhmëri që shqiptarët i parashihte në një shtet të përbashkët jashtë tutelës jugosllave, ose siç do të deklarojë Mark Gashi ‘unë kam qenë për një Shqipëri nacionaliste, të themeluar me principe të demokracisë perëndimor që Kosova të bashkohet me Shqipërinë’.

Rruga jetësore e heroit kryesor të kësaj monografie – Mark Gashit, është studiuar me vëmendjen e një vëzhguesi mjaft të sprovuar me punën në terren, siç është sociologu Rahim Azemi, puna sistematike e të cilit ka bërë që ne sot të kemi para vetes një thesar çmuar nga historia patriotike e lëvizjes shqiptare në një hark kohor prej 20 viteve, konkretisht në periudhën e viteve 1940 – 1960, ku figura e Mark Gashit zë një vend qendror.

Duke e zbërthyer këtë rrugë jetësore, autori përmes një materiali të bollshëm nuk ka pasur si qëllim vetëm përkufizimin moral e njerëzor të Mark Gashit, por të shoqëroj observimin e tij me detaje interesante nga jeta e tij, duke i bërë publike, madje për herë të parë, disa të bëma e ngjarje, bartës i të cilave ishte pikërisht protagonisti i kësaj monografie – Mark Gashi.

Lexuesi për herë të parë do të njoftohet se Mark Gashi ishte pilot i avionëve ushtarak, në kohën e Mbretërisë Jugosllave, dhe shkathtësitë e tij të pilotimit i kishte sprovuar duke bërë një akrobacion ajrore nën urën e Danubit, në Novi Sad.

Ai gjithashtu me aeroplan ushtarak merr pjesë në një operacion kundër forcave ajrore gjermane në mes të Preshevës dhe Kumanovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast merr plagë të rënda, por arrin të shpëtojë duke u tërhiqur në malet e Karadakut.
Për ta plotësuar listën e bëmave e ngjarjeve që lidhen me figurën e Mark Gashit vlen të përmendet se ai në çdo regjim arrestohet dhe vuan denime me burg disavjeçar. Kur vinë pushtuesit italianë, e arrestojnë dhe e syrgjynosin në Bergamo të Italisë. Pas tyre, bullgarët gjithashtu e burgosin dhe në vitin 1945 nga regjimi i Titos ishte denuar me pushkatim, por falë angazhimit vetëmohues të bashkëshortes së të tij Zorës, ky dënim kapital i transformohet në disa vite burg.

‘Jam i vetëdijshëm se kisha dy rrugë jetësore: ose t’i përshtatem rrethanave shoqërore, ose të zgjedh rrugën e kundërshtimit që s’paku të ofroj një gur në murin e kalasë që të ndërtohet e nesërmja jonë’, thotë Mark Gashi në një nga rrëfimet e tij të lëna me shkrim.
Ai nuk zgjodhi nënshtrimin, por rezistencën, sepse vetëm ashtu kishte kuptim kauza që ai po e kultivonte me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, sepse sipas tij ‘ai që jeton për një ideal, nuk mund të mos ishte i padobishëm…’

Këtë maksimë që nuk ishte vetëm filozofike, por edhe programatike, që prodhonte altruizëm, ai e kishte zbatuar në të gjitha fazat e jetës, dhe në të gjitha aktivitetet që kishte zhvilluar, qoftë si administrator komune, qoftë si ushtarak, qoftë së mësues.
Monografia ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’ e autorit Rahim Azemi, lexohet lehtë, sepse stili i të shkruarit është shumë afër natyrës së perceptimit të publicistikës dokumentare. Kjo monografi është e një rëndësie të vaqante për arsye se përfshin në formë të dokumentuar një jetëshkrim mjaft aktiv të një atdhetari, i cili që nga mosha 16 vjeçare e deri në minutat e fundit të jetës, kishte qenë në shërbim të kauzës kombëtare, me forma e metoda të ndryshme.

Mark Gashi nuk është një hero të cilit historiografia i ka rezervuar vendin e merituar. Ai është një hero i harruar që në kujtesën tonë vjen e rishfaqet si një feniks, kurse merita e autorit Rahim Azemi është e jashtëzakonshme sepse arriti të vilte një material të pasur nga terreni edhe prej disa njerëzve që nuk janë më në mesin e të gjallëve. Kjo e bën monografinë edhe më të dashur për gjithë ata që e kishin njohur në distancë Mark Gashin, por që nuk kishin arritur ta zbërthenin kompleksitetin e kësaj figure, e cila nuk mund të bëhet pa e studiuar me themel siç veproi sociologu Rahim Azemi.
18 tetor 2019
_________________________
( E lexuar në Hapjen e Manifestimit tradicional kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit” , gjatë përurimit të Monografisë së Rahim Azemit: “Mark Gashi – veprimtaria kombëtare dhe arsimore”, mbajtur në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, më 19 tetor 2019 )

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).