I harrojnë kërcënimet
Serbia nuk do të braktisë procesin e bisedimeve për shkak të vendimit të fundit të Tribunalit të Hagës. Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, duke paralajmëruar pjesëmarrjen në raundin e ri të dialogut, ka lënë të kuptohet se bisedimet do të vazhdonin edhe nëse përballë do ta kishte Ramush Haradinajn. Thaçi dhe Dacic pritet të takohen të martën e ardhshme.
Zyrtarët e lartë të Serbisë nuk do ta braktisin procesin e dialogut për shkak të lirimit të Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës.
Disa ditë para se të merrej vendimi për ish – Kryeministrin e Kosovës, Serbia kishte bërë presion kundër lirimit të tij, madje duke paralajmëruar edhe mundësinë e largimit nga bisedimet.
Por, zyrtarët e shtetit serb nuk e kanë ndërmend që t’i mbajnë zotimet që ia ka dhënë Baroneshës Catherine Ashton, e cila po ndërmjetëson procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Kështu, Ivica Dacic ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij në raundin e ri të bisedimeve, që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Gjatë takimeve mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacic, që është paralajmëruar për të martën, në rend të ditës do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Dacic madje nuk e ka problem nëse si bashkëbisedues do ta ketë edhe Ramush Haradinajn
“Në interes të Serbisë është vazhdimi i dialogut. Nuk jemi në situatë të zgjedhim me kë do të bisedojmë”, ka thënë ai.(express)