UBT

I fton prapë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Baronesha Catherine Ashton ka ftuar Kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për takimin e radhës në Bruksel më 7 nëntor. Zyra e Kryediplomates europiane tha se takimi është vazhdim i dialogut për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Por, temat e takimit mbeten sekrete.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka ftuar Kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për takimin e radhës në Bruksel këtë të mërkurë.

“Qëllimi i këtij takimi është vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, që ka filluar më 19 tetor”, ka thënë Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic.

Po të hënën, kur u njoftua për takimin e radhës, Kryeministri kosovar ka udhëtuar për në Zagreb për një vizitë njëditëshe, e nga atje ai pritet të udhëtojë për në kryeqytetin europian, Bruksel.

Zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, i tha Gazetës Express se Prishtina është jashtëzakonisht e përkushtuar për normalizimin e raporteve me Beogradin, por ai u shpreh se nuk dihet ende se cilat tema do të jenë në tavolinën e dialogut të mërkurën.

“Mund të ketë tema, nuk janë përcaktuar ende”, ka thënë Kuçi për Express, të hënën.

Ditë më parë, Gazeta Express, duke u thirrur në burime të saj, ka shkruar se temë e këtij raundi bisedimesh mund të jetë hapja e zyrave ndërlidhëse dhe se për këtë çështje mund të ndodhë pajtimi mes të dyja palëve.

“Hapjen e zyrave ndërlidhëse e kanë kërkuar edhe Sekretarja Clinton dhe Baronesha Ashton gjatë takimeve që kanë pasur me Dacic në Beograd dhe me Thaçin në Prishtinë”, pati thënë burimi.

Mirëpo, Zëvendësshefi i Qeverisë, Kuçi tha se nuk di nëse takimi do të përfundojë më ndonjë marrëveshje apo jo.

“Nuk e di këtë…”, tha Kuçi.

Ditë më parë, Zëvendëskryeministri pati shpreh gatishmërinë e ekzekutivit për hapjen e zyrave ndërlidhëse. Madje, sipas Kuçit, hapja e tyre do të shënonte një hap të rëndësishëm për procesin e normalizimit.

“Ndërkohë që njohja reciproke mes dy vendeve do të ndodhë me arritjen e një traktati të paqes”, ka deklaruar Zëvendëskryeministri Kuçi.

Mobi Casa

Kundër kësaj ideje ndërkaq ka dalë Kreu i ekzekutivit serb.

Ivica Dacic të dielën ka deklaruar për mediat serbe se pretendimet për hapjen e zyrave ndërlidhëse nuk janë të sakta. Ai ka thënë se në vend të zyrave po shqyrtohet mundësia e caktimit të zyrtarëve ndërlidhës, që do të mund të punonin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Mirëpo, Kryeministri kosovar javën e kaluar në Parlament kishte raportuar të kundërtën.

“Është diskutuar mundësia e shpejtë e hapjes së zyrave ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas, të Serbisë në Prishtinë”, ka lexuar Thaçi pikën e tetë të temave që ka përmendur të jenë diskutuar gjatë takimit me Dacicin.

Ky raportim ndërkaq kishte ndodhur vetëm një ditë pas vizitës së Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton dhe Baroneshës europiane, Catherine Ashton.

Që të dyja kishin vizituar Prishtinën dhe Beogradin për nisjen e dialogut ndërmjet dyja shteteve dhe për të caktuar qartë kufijtë e bisedimeve që po zhvillohen.

Clinton nga Prishtina ka thënë se SHBA’të kundërshtojnë çfarëdo bisedimesh që prekin integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës.

E fton Kryeministri kroat

Në Kroaci Kryeministri Thaçi ka udhëtuar të hënën për vizitë zyrtare me ftesë të homologut të tij, Zoran Milanovic.

Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media të hënën, ka bërë të ditur se në Zagreb Thaçi do të takohet edhe me Presidentin Ivo Josipovic.

“Do të ketë takime me Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipovic, Kryeministrin Zoran Milanovic dhe me Kryetarin e Parlamentit, Josip Leko. Temë bosht e takimeve do të jetë bashkëpunimi ndërshtetëror mes Kosovës dhe Kroacisë, thellimi i këtij bashkëpunimi dhe mbështetja e Kroacisë për perspektivën europiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.