I erdhi dita Atdheut

/ 4 minuta lexim

Atdhe Nuhiu po i shijon momentet më të mira të karrierës. Sulmuesi shtatgjatë i ka realizuar katër gola në gjashtë ndeshjet e fundit me Sheffield Wednesdayn, duke e rrëmbyer zemrën e tifozëve të klubit anglez. Përfaqësuesi kosovar ndihet mirë për formën nëpër të cilën po kalon dhe premton se do të mundohet ta ndihmojë klubin nga Championshipi anglez me gola në arritjen e objektivave. 28-vjeçari vitin e kaluar e kishte realizuar një gol edhe për Përfaqësuesen e Kosovës.

Viti 2018 duket se do të jetë i Atdhe Nuhiut. Sulmuesi kosovar po i shijon ndoshta momentet më të mira të karrierës, shkruan sot gazeta Zëri.

Përfaqësuesi kosovar është duke e mbajtur gjallë ekipin e tij Sheffield Wednesday këtë sezon pasi i kaloi edicionet e fundit duke qëndruar në bankinë dhe me minutazh të paktë.

28-vjeçari i ka realizuar katër gola në gjashtë ndeshjet e fundit dhe të shtunën që shkoi realizoi përsëri, nga penalltia në derbi me Barnsleyn në stadiumin “South Yorkshire”.

Ai ndihet mirë për formën nëpër të cilën po kalon, duke e falënderuar trajnerin e ri për hapësirën që po ia jep dhe premton se do të mundohet t’ia shpaguajë atij me gola dhe në çdo mënyrë tjetër.

“Unë gjithmonë shikoj përpara në ndeshjet e ardhshme dhe mundohem ta ndihmoj ekipin dhe ta jap më të mirën nga vetja, gjithmonë. Unë nuk fshihem në asnjë rast, më duhet t’i shfrytëzoj rastet në këto situata të vështira. Trajneri i ri më ka dhënë besim, ai beson në mua dhe unë mundohem t’ia shpaguaj, jo vetëm atij, por edhe ekipit”, ka thënë Nuhiu për uebfaqen zyrtare të klubit.

Gjithçka për Sheffieldin

Sheffieldi nuk po kalon momente të mira këtë sezon.

Megjithatë, Nuhiu thotë se vendimtare për ekipin duhet të jetë që lojtarët të jenë së bashku dhe të luftojnë fort për çdo pikë, duke nisur nga ndeshja e së martës (sonte) ndaj Hillsboroughut.

“Ishte një pikë e merituar dhe mendoj se të dyja ekipet e merituan atë. Ndonjëherë, kur je në situata të tilla jogjithçka shkon në mënyrën që dëshiron, mirëpo më e rëndësishmja është të jemi të gjithë së bashku”, ka shtuar Nuhiu, duke folur për ndeshjen e së shtunës që shkoi.

“Lojtarët që i kemi në dispozicion po luajnë së bashku dhe po luftojnë për njëri-tjetrin. Është e vështirë, nëse e shikoni bankinën, pasi kishim tre lojtarë nga U-23. Ne kemi lojtarë të mirë, kam besim në të gjithë dhe menaxheri ka po ashtu. Edhe tifozët mund ta shohin se ne po mundohemi vazhdimisht. Këtë sezon gjërat nuk po shkojnë në mënyrën e duhur, por kjo ndodh në futboll”, shprehet futbollisti shtatlartë.

Uji Dea

Edhe pse në ndeshjen tjetër Sheffieldi do të ketë punë të vështirë ndaj ekipit të vendit të dytë në Championship, futbollisti kosovar beson se ekipi i tij mund t’ia dalë mbanë.

“Tash do të luajmë në shtëpi, ku do t’i kërkojmë tri pikë. Do të luftojmë për një tjetër paraqitje pozitive”, përfundoi ai.

Një gol për Përfaqësuesen

Atdhe Nuhiu ishte pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e “Botërorit 2018”.

Ai luajti kohë pas kohe titullar te Verdhekaltrit, ku e kishte konkurrent kryesor sulmuesin tjetër shtatgjatë Vedat Muriqin.

Dhe, nga 10 ndeshjet sa i zhvilloi ekipi i Albert Bunjakit në këtë turne, të parin absolut, Nuhiu ia doli ta shënonte një gol, atë ndaj Islandës, në humbjen 1:2.

E la Austrinë për Kosovën

Atdhe Nuhiu është lindur në Prishtinë më 29 korrik 1989. Mirëpo, si shumë futbollistë tjerë të njohur kosovar, ai u rrit në Perëndim, respektivisht në Austri.

Dhe, sulmuesi i rrezikshëm me goditjet me kokë i përfaqësoi ekipet zinxhirë të Austrisë, duke përfshirë atë U-19, U-20 e U-21, por në fund vendosi t’i bashkohej vendit të tij – Kosovës, me të cilën ka zhvilluar 7 ndeshje.

Sa i përket karrierës, ai ka luajtur në ekipet Wels, Austria Karnten, Ried, Rapid Wien, Eskisehirspor dhe Sheffield Wednesday, pjesë e të cilit është që nga viti 2013. /Zëri/