Eko Higjiena

I dogjën “Të pakënaqurit”

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Tri veturat e djegura nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës janë të Ministrisë së Kulturës, Shëndetësisë dhe Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përgjegjësinë për djegien e tyre e kanë marrë një grup ose persona të vetëshpallur të “Të Pakënaqurit”. Ata lanë edhe një porosi në sheshin Nënë Tereza.

“ Të pakënaqurit!” Këta janë personat që janë vetëdeklaruar se qëndrojnë mbrapa djegies së tri veturave zyrtare në lagje të ndryshme të Prishtinës.

Ky grup përmes një porosie elektronike ka marrë përgjegjësinë për djegien e tri veturave zyrtare në disa rrugë të Prishtinës.

Në njoftim thuhet se ky grup nuk ka asgjë personale ndaj ndonjë ministri të caktuar në qeverinë e Kosovës, por thjesht janë kundër Qeverisë së Hashim Thacit.

“Mbram në ora 11:45 i kemi kall 3 kerre të qeveris, caku i sulmit nuk u kan naj ministri, por qeveria e Kosovës, kerret me 3z janë sulmu për qita. Mesazhin e sulmit e gjani në një parullë që u shkru te Ministria e Kulturës (n’muri), tradhtart e qeverisë po e dhajn veriun, na jemi kundër dhe t’ mllefosun”, ka thënë ky grup i njerëzve të vetëdeklaruar si grup apo organizatë “Të pakënaqurit”.

“Tradhtarët plumbin e kanë hak” – Avni Rrustemi, ky është mesazhi i vendosur në muret e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Mesazhi është shkruar nga persona të panjohur, të thirrur si organizata ose grupi “Të pakënaqurit”.

Policia e Kosovës ka bërë sigurimin e vendit, derisa ekspertët e krimit kanë marrë gjurmët.

Njëkohësisht policia po heton të tria rastet e mbrëmshme në Prishtinë, ku cak ishin veturat zyrtare.

Hidromorava

Policia e ka cilësuar djegien e veturave ‘rrezik të përgjithshëm’.

Zyrtarë policorë përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 24:00 kishte marrë informatën lidhur me tri raste të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Rasti i parë ishte raportuar në orën 23:45, kur sipas informatës ishte djegur tërësisht vetura e tipit Land Rover, ngjyrë e gjelbër me targa zyrtare të Qeverisë, e cila në atë moment ishte e parkuar në rrugën “Bajram Bahtiri”; rasti i dytë ndërkaq ishte raportuar të njëjtën natë, në ora 23:50, ku gjithashtu ishte djegur tërësisht një veturë e tipit Toyota me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ishte e parkuar në rrugën “Sali Nivica” dhe rasti i tretë, gjithashtu nga zjarri ishte djegur tërësisht një veturë, është raportuar në orën 00:03.

Bëhet fjalë për një veturë të tipit Toyota ngjyrë e zezë me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ka qenë e parkuar në rrugën “Henry Dynan”, që të tri rastet në kryeqytet.

Zëdhënësi i policisë për Prishtinën, Agron Borovci, ka thënë për Express se të tri veturat ishin vetura zyrtare të tri ministrive të ndryshme.

“Njëra është e Shëndetësisë, tjetra e Kulturës dhe një veturë tjetër e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale“, ka thënë ai

Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave në vendet e ngjarjeve kishin dalë njësitet përkatëse policore, të përkrahur edhe nga njësitet e tjera rajonale të specializuara për ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe hetimin e rasteve të tilla si dhe zjarrfikësit.

Veprimet policore të ndërmarra në vendet e ngjarjeve kanë çuar në grumbullimin dhe marrjen e të gjitha të gjeturave dhe evidencave, të cilat mund të ndërlidhen me rastet. Është me interes të theksojmë se nuk ka asnjë person të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.

“Aktualisht policia po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar, përderisa po pret rezultatet përfundimtare nga ekspertimi i evidencave të marra nga vendi i ngjarjes me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin, ashtu që të ngrihet një version lidhur me hetimin”, njofton policia.(express)