I bashkon ”Darka e Lamës”

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka organizuar “Darkën e Lamës”, aktivitet ky i cili organizohet tradicionalisht në Kosovë, ku ka ftuar përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare , personalitete të jetës akademike e kulturore, prodhues dhe përfaqësues të biznesit.
Me këtë rast, presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se qysh në kohërat e lashta, përfundimi i të korrave gjithmonë ka sjellë gëzimin dhe festën e përbashkët “Darkën e Lamës”, kur bujqit krenarë kanë sjellë ushqimin më të mirë që kanë pasur në sofrën e përbashkët.
“Darka e Lamës është një festë e dardanëve ilirë dhe e popujve të tjerë në lashtësi; një festë tradicionale në familjet tona. Ajo u ruajt dhe u përcoll brez pas brezi si festë gëzimi për punët e kryera të stinës, për mbledhjen e drithërave, fryteve dhe të gjitha prodhimeve bujqësore ku secila familje i gëzohet bukës së re të motmotit që uron që këto të mira të shijohen e përdoren me shëndet e harmoni deri në të korrat e reja”, ka thënë Jahjaga, raporton Express.
Ajo ka shtuar se në çdo vend të zhvilluar dhe të qytetëruar, bujqësia ka qenë sektori kyç që ka nxitur zhvillimin ekonomik.
“Institucionet e vendit janë të vetëdijshme për sfidat nëpër të cilat kalojnë bujqit dhe prodhuesit e Kosovës në këto vitet e para të shtetit tonë. Ne dimë që për të ardhur në një ditë si kjo e sotmja ku po ekspozojmë frytet e punës dhe të djersës, nuk është e lehtë. Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm për peripecitë tona për të plasuar produktet në tregjet evropiane e të botës. Por, unë ju siguroj se institucionet e Kosovës po bëjnë gjithë ç’është e mundur për të përmirësuar kushtet që të kemi më të lehtë të zhvillojmë bizneset, duke pas përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të vendit tonë”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka folur edhe për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku sipas saj, do të jetë një rrugë e vështirë me sfida të mëdha, por edhe e vullnetshme drejt së ardhmes e cila nuk ka alternativa.