Hyxhym te Gashi
Shkëlzen Gashi është bërë emër i njohur në futbollin evropian. Paraqitjet fantastike të tij në Zvicër në dy vjetët e fundit kanë bërë që shërbimet e futbollistit kosovar t’i lakmojnë plot skuadra të mëdha të kontinentit të vjetër. Kryesimi në listën e golashënuesve më të mirë qe dy edicione në futbollin helvetikë ka bërë që Gashi të bëhet objektiv i shumë klubeve të njohura.
Ai dha kontribut shumë të madh edhe sivjet që Baseli ta fitojë titullin e kampionit të Zvicrës, ndërsa në kohën kur afati kalimtar i verës po afrohet, konkurrenca e klubeve që duan të përforcohen me Gashin dita-ditës po shtohet.
Deri më tani Lazio e Igli Tares, Lorik Canës, Etrit Berishës e Thomas Strakoshës shihej si favoritja kryesore për ta transferuar nga Baseli reprezentuesin e Shqipërisë. Por, situata tashmë duket të ketë ndryshuar. Është një klub i madh gjerman që i ka hyrë shumë seriozisht e intensivisht garës për ta nxjerrë nga gjiganti zviceran sulmuesin e shkëlqyeshëm të Shqipërisë.
Fjala është për Schalke 04. Mediet zvicerane kanë raportuar se gjermanët shumë shpejt do ta dërgojnë një ofertë të mirë në Basel, që ky i fundit të pajtohet për transferimin e Gashit në Bundesligë. Raportohet se trajneri i Schalkes, Di Mateo, është ai i cili e ka vendosur emrin e Gashit në krye të listës së transferimeve që i do ish-menaxheri i Chelseas. Për ta bërë të veten Gashin, Schalke është e gatshme ta sakrifikojë një shumë të madhe të parave. Siç raportojnë mediet zvicerane, gjermanët janë të gatshëm t’i derdhin rreth 10 milionë euro në xhirollogarinë e Baselit për yllin kosovar.
Mirëpo, gjermanët nuk do ta kenë të lehtë ta kryejnë me sukses këtë operacion. Kjo pasi Lazio nuk do të heqë dorë aq lehtë nga futbollisti tashmë i njohur në Evropë. Fakti që klubi italian ia ka lënë në dorë Igli Tares çështjen “Gashi”, futbollisti mund të përfundojë në Serie A, pasi do ta ketë më të lehtë të arrijë marrëveshje “shqip” me klubin italian. Po ashtu, prezenca në Lazio e dy shokëve të Kombëtares shqiptare, Lorik Canës e Etrit Berishës, mund të jetë një plus i madh për klubin nga “Olympico” që ta afrojë në gjirin e vet Gashin. Lazio e Schalke janë favoritet kryesore, por në luftë për kosovarin kanë hyrë edhe shumë klube tjera. Para pak kohësh thuhej se edhe gjiganti anglez, Arsenal, e do supersulmuesin./zeri/


