KKVITI

Hyseni viziton Drejtorinë e Shëndetësisë, QKMF “Nagip Rexhepi” dhe QMF Dardania

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar të martën Drejtorinë e Shëndetësisë, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e QMF Dardania, për t’u njohur nga afër me punët që bëhet aty.

Më pas, Hyseni dhe drejtoresha e QKMF-së, Dr. Arbenita Hajdari, kanë qëndruar në vizitë tek trafo stacioni i cili është djegur mbrëmë, e i cili ka ndikuar në ndërprerjen e shërbimeve në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania.

“Sot punimet janë duke vazhduar prej KEDS-sit dhe po besojmë që deri pasdite do të përfundojnë, me ç’rast edhe do të kthehen shërbimet shëndetësore nga QKMF në këtë ambullantë. I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin dhe angazhimin gjatë mbrëmjes. Jam i lumtur që nuk ka pasur ndonjë lëndim. Përpos sanimit të trafo stacionit, këtu do të gjejmë edhe zgjidhje alternative për energjinë elektrike, duke blerë gjenerator për nevojat e QKMF-së, sepse duket që ky dimër do të jetë më i ngarkuar për shkak të shpenzimeve të rritura të energjisë, ndërkaq ju bëj apel qytetarëve që sa më racional në shfrytëzim të energjisë elektrike”, tha Hyseni.

KKVITI

Ai theksoi se për shkak të rasteve të shtuara të gripit sezonal, është rritur numri i shërbimeve edhe në QMF Dardania.

“Kemi dy dhoma kontrolli dhe një dhomë të veçantë për kontrolla për fëmijët, dhe kjo i shërben uljes së pritjes së njerëzve e numrit më efikas të kontrollave”, tha kryetari Hyseni.

Ndërkaq, drejtoresha e QKMF-së, Dr. Arbenita Hajdari, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për vizitën dhe përkushtimin e mbrëmshëm për zgjidhjen e problemit të trafo stacionit./rajonipress/