UBT

Hyseni pret në takim kryeministrin Kurti, merr përkrahje për projektet zhvillimore për Gjilanin

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët, ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka njoftuar për punën e deritanishme, rezultatet, sfidat, problemet dhe projektet e të ardhmes. Hyseni e ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e ofruar për Gjilanin.

“Ajo që është me e rëndësishmja është që projektet zhvillimore të cilat i kemi dizajnuar dhe premtuar në kohë fushate, i kemi prezantuar para kryeministrit edhe për arritjet e deritanishme. Unë besoj e shpresoj që sikur deri më tani, edhe në të ardhmen do ta kemi mbështetjen e Qeverisë, në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët dhe ta rrisim nivelin e mirëqenies përmes projekteve që garantojnë punësim dhe përparim”, ka thënë Hyseni.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para gazetarëve se takimi i sotëm ishte takim për të mësuar të arriturat dhe rezultatet të qeverisjes së drejtë dhe të mirë gjatë kësaj kohe, por edhe për të mësuar për planet e për projektet në vijim.

“Prezantimi ishte i gjatë për shkak se të arriturat dhe punët janë të shumta, prej palestrës në Zhegër të cilës i ka ngelur vetëm edhe kulmi t’i qitet, pastaj tek shtimi i bursave për studentët për 150 për qind, rritja e buxhetit për sportin për 50 për qind e deri tek zvogëlimi i jashtëzakonshëm i borxhit që është gjetur këtu në Komunë prej 26 milionë euro. Ndërkaq, për vetëm dhjetë muaj janë zvogëluar 5 milionë euro borxh dhe kjo paralelisht me 6 milionë euro investime nga Komuna”, tha Kurti.

“Duke pasur parasysh këtë qeverisje të drejtë dhe të mbarë, Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më shumë është e inkurajuar që ta mbështesë Komunën e Gjilanit me projektet në vijim për të mirën e qytetarëve, pasi është edhe një lloj kryeqyteti i rajonit të Anamoravës”, ka shtuar ai.

Hidromorava

Kryeministri Kurti theksoi, po ashtu, se me kryetarin Hyseni kanë biseduar edhe për kursimin e energjisë elektrike në prag të dimrit.

“Ai kursim edhe shpërblehet për qytetarët me masat që i kemi ndërmarrë në kuadër të pakos së përballjes me inflacion”, ka shtuar ai.

Paraprakisht, kryeministri Kurti ka vizituar edhe fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave “Bujana”.

“Ëmbëlsirat këtu janë të shkëlqyeshme. Është me të vërtetë krenari kur e sheh një biznes i cili me prodhimtari vendëse ka arritur në periudha të caktuara që të ketë rreth 50 punëtorë e të shesin në mbi 250 pika anë e mbanë Kosovës”, tha me këtë rast kryeministri Kurti, teksa ka falënderuar pronarët për punësimin e dy personave me sindromën down.

Ndërkaq, Hyseni ka përgëzuar fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave “Bujana” për suksesin e madh në tregun Kosovës, duke uruar që të jetë operuese edhe në eksport./rajonipress/